1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cunami në ishujt Salomon

Jörg Musch-Borowska2 Prill 2007

Australia nuk njofton asnjë dëm

https://p.dw.com/p/ArJ2
Hartë informuese për tërmetin dhe Cunamin në ishujt Salomon
Hartë informuese për tërmetin dhe Cunamin në ishujt SalomonFotografi: picture-alliance/ dpa

Një Cunami ka shkatërruar ishujt Salomon në jug të Paqësorit. Fashtra të tërë janë përmbytur nga dallgë të larta disa metra dhe janë shkatërruar thuajse plotësisht. Përmasat e dëmeve ende nuk dihen me saktësi ashtu si nuk dihet ende as numri i viktimave.

Sipas njoftimeve më të fundit numri i viktimave të Cunamit është të paktën 15. Por ky numër mund të ndryshojë pasi shumë njerëz rezultojnë ende të humbur. Cunami është shkaktuar nga dy tërmete të fuqishme në bregun e ishujve Salomon, njëri me fuqi 8 ballësh dhe i dyti me fuqi 6,7 ballësh. Alex Lokopio, kryeminsitri i provincës Gizo në perëndim të ishujve tha në televizion se njerëzit janë zënë në befasi në orët e para të mëngjesit:

"Rrugës për në punë ishujt janë tronditur nga një lëkundje shumë e fuqishme. Pastaj erdhi dallga e Cunamit e cila shkatërroi të gjitha shtëpitë përgjatë bregdetit Gizo. Mendoj se dallga ishte më shumë se 5 metra e lartë. Më pas janë gjetur 3 trupa pa jetë në vende të ndryshme të ishullit."

Nexon Silus i cili punon me një traget në ishujt Salomon tha në televizion se shumë prej ishujve janë përmbytur tërësisht:

"Të gjitha shtëpitë në ishull janë krejtësisht nën ujë. Shumë shtëpi janë shkatërruar dhe mobiljet e orendi të tjera lundrojnë në det. Duket se banorët kanë arritur të largohen nga vala e Cunamit por tani nuk kanë se ku të kthehen."

Pas tërmetit të rëndë për gjithë jugun e Paqësorit përfshirë bregun lindor australian u dha një paralajmërim Cunami. Dallga e Cunamit e cila mbërriti në Sidnei ishte megjithatë më pak se një metër e lartë.

Në mediet australiane diskutohet nëse paralajmërimi i Cunamit ka qenë i nxituar dhe nëse ka qenë i nevojshëm evakuimi i plazheve. Kryetari i bashkisë së Waverly në shtetin austrian Queensland, George Newhouse, e ka hedhur poshtë kritikën:

"Kur janë në rrezik jetë njerëzish nuk ka reagime të tepruara. Në jemi orinetuar nga paralajmërimet e qendrës për katastrofat. Nëse na thuhet prej tyre se mund të jetë në rrezik jeta e njerëzve atëherë i mbyllim plazhet. Nuk mendoj se në këtë rast është vepruar me mendejlehtësi."

Në ishujt Salomon nuk ka patur asnjë paralajmërim për banorët. Arkipelagu i përbërë nga rreth 1000 ishuj në jug-lindje të Papua-Guineas së Re është një nga vendet më të varfra në botë. Lidhjet telefonike pas tërmetit ishin ndërprerë thuajse plotësisht. Si pasojë shumë prej ishujve nuk janë njoftuar për rrezikun.