1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënimet pa faj - Dita ndërkombëtare e të zhdukurve

Dragoslav Dedoviç26 Gusht 2016

Dita e të pagjeturve është për familjet e viktimave vetëm njëra prej shumë ditëve të ankthit. Ata ende jetojnë me mungesën e përgjigjes: çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre?

https://p.dw.com/p/1JqJo
Kosovo Vermisste Personen
Fotografi: DW

Para dhjetë vitesh kam biseduar me një nënë, së cilës i kanë vrarë fëmijët në Srebrenicë. Ende nuk e di varrin e tyre. Atëherë më është dashur të përkthej për për një politikane gjermane që interesohej për fatin e tyre. Pas disa minutash thjesht ndalova. Kjo grua tërë kohën më fliste mua - me fjalët "o bir". Dëshironte thjesht të fliste me dikë, t'ia rrëfente vuajtjet e saj. Bota e saj është ndalur në momentin kur para syve ia marrin fëmijët dhe i largojnë. Për këtë grua nuk ka përfunduar lufta kurrë. Ajo nuk i ka vajtuar bijtë e saj.

Ndoshta ky rrëfim i tmerrshëm më ka lënë përshtypje, sepse nëna ime ka qenë jetime. Pas Luftës së Dytë Botërore, as ajo nuk e dinte varrin e prindërve të saj në Qupri. Gjithçka i kishte mbetur dhe kishte marrë me vete në Bosnje ishin ca fotografi dhe kujtimet nga rrënojat e shtëpisë së dikurshme. Por edhe ato janë zhdukur në lutën e Bosnje-Hercegovinës në vitet 90-të. Tani unë nuk kam asnjë fotografi. Më kanë mbetur vetëm kujtimi i syve të saj të kaltër. Të kaltër si Adriatiku.

Ndoshta kjo grua e Srebrenicës më tregonte për bijtë e saj, duke ndjerë se isha ndër të rrallët që kishte vesh për ta dëgjuar, për të dëgjuar për vuajtjet dhe shqetësimet e saj.

E dëgjoja sikur të dëgjoja nënën time. Sikur të dëgjoja një nënë nga Prishtina, së cilës para syve ia kanë marrë burrin, apo djalin dhe sot nuk ia di as varrin. Sikur të dëgjoja nënat e të zhdukurve në Vukovar, apo në vendet e tjera.

Nuk dua të politizoj asgjë. E refuzoj logjikën e viktimave "tona" apo "të tyre". Unë dëgjoj vetëm vuajtjet e këtyre personave, të cilëve koha iu është ndalur në momentin kur ua kanë marrë më të dashurit, me njerëzit që çdo ditë përballen me këto krime, tragjedi.

Disa gjëra i kam mësuar duke dëgjuar për vuajtjet e familjeve të të pagjeturve. Njerëzit pa varr nuk janë të vdekur por as të gjallë. Ata janë të rrethuar me heshtjen dhe këtë heshtje e bartin me vete. Çdo ditë. Ata janë të dënuar pa pikë faji.

Njëkohësisht shumë prej atyre që kanë bërë krime të drejtpërdrejta janë zhdukur dhe - shijojnë lirinë. Disa merren me politikë. Të tjerët me biznes, apo janë fqinj të mirë dhe njerëz familjarë.

Dënimi i kriminelëve do të sillte më shumë drejtësi, por vetëm gjetja dhe varrosja e të vravarëve do t'u mundësonte të gjallëve që të përballen me realitetin dhe të qajnë për të humburit. Që një ditë të pajtohen me realitetin.

Kjo është bota që është ngritur mbi rrënojat e ish-Jugosllavisë. Një botë në të cilët disa njerëz ende nuk dinë asgjë për të zhdukurit, apo për të vdekurit e tyre. Nuk më pëlqejnë idetë e ditëve ndërkombtare, por të paktën sot duhet të jemi solidarë dhe të bashkëndjejmë me njerëzit që vuajnë në heshtje, duke pritur realitetin e hidhur.