1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënimi me vdekje jo vetëm tipar i vendeve diktatoriale

Daphne Antachopulos9 Tetor 2005

Sot (10.10) është dita ndërkombëtare kundër dënimit me vdekje. Amnesty International publikoi me këtë rast të dhënat dhe faktet më të fundit për ushtrimin e dënimit me vdekje në vende të ndryshme të botës. Në vitin 2005 rreth gjysma e shteveve të botës e kanë hequr dënimin me vdekje nga legjislacioni i tyre. E megjithatë numri i ekzekutimeve me vdekje gjatë periudhës 2004-2005 arriti pikën më të lartë gjatë një gjysmëshekulli. Për këtë zhvillim nuk janë përgjegjëse vetëm vendet diktatoriale.

https://p.dw.com/p/Aqt7
Fotografi: AP

Sipas këndvështrimit evropian e drejta për jetën është një ndër të drejtat themelore të njeriut dhe ajo nuk mund t'i mohohet as edhe një vrasësi.

Ndalimi i dënimit me vdekje është i sanksionuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është ratifikuar prej 44 shtetesh. Kush dëshiron që të bëhet anëtar i BE-së duhet të heqë nga legjislacioni dënimin me vdekje. Evropa konsiderohet si pararojë në lidhje me heqjen e dënimit me vdekje. Përvojat me dy luftrat botërore, rruga e gjatë dhe e vështirë drejt demokratizimit i bënë elitat politike të këtij vendi që të vendosnin në Këshillin e Evropës dhe në BE kundër dënimit me vdekje. Ky qëndrim përkrahet edhe prej popullsisë së vendeve evropiane.

Po pse evropianët nuk rrinë të qetë kur vjen fjala për dënimin me vdekje? Dënimi me vdekje vazhdon të përdoret prej shumë shteteve qoftë demokratike qoftë diktatoriale si instrument politik. Fjala është për shtete me të cilat BE-ja kooperon si në nivel politik edhe ekonomik.

Në SHBA çështja e dënimit me vdekje është pjesë e fushatave elektorale. Japonia dhe SHBA-të janë dy ndër shtetet demokratike në të cilat aplikohet dënimi me vdekje. Nga njëra anë kjo lidhet me frikën prej kriminalitetit, sepse kush vdes nuk mund të ribëhet kriminel, pasi të ketë vuajtuar dënimin. Nga ana tjetër me mendimin, se kush vret dikë, e meriton edhe vetë vdekjen dhe se kush e di se mund të dënohet me vdekje, nuk bën krime. Këto janë argumentat e përkrahësve të dënimit me vdekje. Qëllimi i dënimit është para së gjithash shpagimi për krimin. Kjo lidhet me zhvillimin e sistemit penal në SHBA, i cili tradicionalisht është zhvilluar nga poshtë dhe nuk është formësuar prej mendimtarëve politikë dhe demokratikë.

Nga ana tjetër nuk ka asnjë studim, i cili vërteton se heqja e dënimit me vdekje do të çonte në rritjen e kriminalitetit. Vdekja e kriminelit nuk u sjell ndonjë të mirë të afërmeve të viktimës, apo viktimës vetë. Madje ka shumë raste që drejtësia bën gabime dhe pas hetimeve dënohet një njeri i pafajshëm. Në këtë rast kemi të bëjmë me një gabim të parikthyeshëm dhe çdo dënim i padrejtë është i tepërt.

Në vende diktatoriale, qofshin ato afrikane, aziatike apo arabe dënimi me vdekje është një instrument politik për të hequr qafe kundërshtarët politikë. Të tillë vriten me mijëra çdo vit, dhe zakonisht pa një proces juridik të drejtë.

Po a mjafton vetëm përmendja e shifrave dhe statistikat për të arritur ndonjë efekt? Jo, sepse nga njëra anë edhe vetë statistikat nuk janë të mjaftueshme dhe nga ana tjetër ato nuk e ndriçojnë sfondin e dënimeve me vdekje.
E rëndësishme është që popullsisë t'i jepet një informacion i thelluar në lidhje me dënimin me vdekje dhe jo vetëm parrulla, të tipit dënimi me vdekje ul kriminalitetin. Po kur një gjë të tillë nuk e bëjnë qeveritë e vendeve demokratike, ç'mund të presësh prej një regjimi diktatorial i cili ka ndër mend të qëndrojë në pushtet.

Për këtë duhet që të vazhdojë të ushtrohet presion politik dhe ekonomik. Në disa raste ky presion mund të jetë i komplikuar dhe madje edhe i pasukseshëm. Por janë qeveritë e vendeve dhe elitat e tyre të cilat vendosin në lidhje me heqjen apo vazhdimin e dënimit me vdekje dhe që ndikojnë për këtë respektivisht edhe popullsinë e vendeve përkatëse. Kjo nuk diçka që e dinë të gjithë, por është përvoja evropiane.