1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëshmi e besimit tek Gjermania

Klaus Dahmann10 Maj 2006

Zgjedhja e Gjermanisë si anëtare e Këshillit të ri të të drejtave te njeriut është lajm i gëzueshëm, por edhe përgjegjësi

https://p.dw.com/p/Ar0d
Kombet e Bashkuara, Nju Jork
Kombet e Bashkuara, Nju JorkFotografi: AP

Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara Gynter Plojger, do kishte dashur me shumë dëshirë ta bënte realitet ëndërrën e tij për vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit. Kjo dëshirë nuk do të realizohet. Jo për shkak të vendit që Pleuger përfaqëson në Nju Jork, por për shkak të strukturave që shtetet fituese të Luftës së Dytë Botërore kanë betonuar gjatë krijimit të Kombeve të Bashkuara. Vend për dëshpërim nuk ka, Plojger është krenar për punën e tij. Sepse falë tij Gjermania gëzon emër të shkëlqyer në Kombet e Bashkuara.

Një nga arsyet e emrit të mirë është shumë e qartë. Prej kohësh Gjermania zë vendin e tretë në listën e vendeve donatore të Kombeve të Bashkuara dhe përveç kuotës së anëtarësisë e hap kuletën për shembull edhe për ndërhyrjet e paqes. Por emri i mirë i Gjermanisë nuk ka të bëjë vetëm me faktin që është dorëlëshuar. Aftësia e diplomatëve gjermanë vlerësohet edhe për shkathtësinë në bisedime të vështira. Shembulli më i mirë janë bisedimet mbi programin atomik iranian, ku Gjermania siguroi një vend në krah të pesë fuqive me të drejtë vetoje të Këshillit të Sigurimit.

Tani, qeveria në Berlin mund të gëzohet edhe për një gjë tjetër. Gjatë zgjedhjes në Këshillin e të drejtave të njeriut, Gjermania morri numrin më të madh të votave në Grupin e Europës perëndimore/Amerikës Veriore/ Australisë. Më shumë se tre të katërtat e vendeve të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit dëshirojnë të shohin një përfaqësues nga Berlini në organizmin e ri. Pa dyshim, dëshmi besimi.

Por edhe përgjegjësi. Fakti që qeveria federale mezi shuajti grindjet absurde për ligjin e ri kundër diskriminimit nuk ishte rastësi. Letrat me paralajmërime nga Brukseli për të zbatuar linjat përkatëse të Bashkimit Europian, nuk kontribuojnë për mirë kur ndodhesh nën vëzhgimin e fortë të Këshillit për të drejtat e njeriut. Prandaj shpresohet, që për shembull në të ardhmen të kihet më shumë kujdes për të drejtat e njeriut gjatë trajtimit të të izoluarve që presin dëbimin nga Gjermania. Sepse vetëm emri i mirë në nivel ndërkombëtar është pak dhe nuk mjafton, prandaj Gjermania duhet që me konseguenca ta meritojë besimin edhe brenda vendit.

E njëjta gje vlen edhe për pjesën tjetër të 46 vjendeve anëtare të Këshillit për të drejtat e njeriut.