1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështon mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit francez

Angela Ulrich17 Maj 2006

Opozita në Francë dështoi të martën me një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit francez Domenik de Vilepë. Vetëm 190 deputetë votuan pro mocionit, të nevojshme ishin 289 vota.

https://p.dw.com/p/ArB2
Dominik de Villepë
Dominik de VillepëFotografi: AP

Në parlamentin francez u zhvillua një debat i ashpër. Socialistët në opozitë lëshuan akuza të rënda:

"Kjo është një aferë shtetërore për shkak se vet shteti është bërë peng, është shfrytëzuar për rivalitete dhe është kthyer në fushëbetejë".

Ishte shefi i socialistëve Fransua Hollande me akuzat e tij në adresë të kryeministrit Villepë. Hollande vazhdoi me pyetjen:

"Si munden që në të njëjtën qeveri të ulet një kryeministër i cili dyshohet se është duke destabilizuar numrin dy dhe një ministër i brendshëm i cili angazhohet për një proces i cili në shënjestër ka para së gjithash shefin e qeverisë", tha Hollande.

Kryeminsitri francez i kritikoi ashpër rivalët e tij politikë që kanë paraqitur një mocion mosbesimi të tillë ndaj qeverisë së tij. De Vilepë tha se mocioni i paraqitur nga socialistët është i bazuar në shpifje, gënjeshtra dhe thashetheme.

"Me shpifje, me gënjeshtra. Përdoren të gjitha për të shtuar dyshimet. Por asgjë nuk e ndalon qeverinë nga puna e saj", tha de Villepë.

Vet votbesimi nuk solli ndonjë befasi: 190 vota pro mocionit. Shumë pak edhe pse për herë të parë kundër de Villepë votuan edhe pjesë të Partisë së Qendrës UDF. Por përkundër rezultatit në votim, kryeministri nuk ka përforcuar pozitën e tij. Kjo për faktin se shumica e francezëve janë të indinjuar me aferën në kreun shtetëror:

"Kjo është një katastrofë për vendin. Qesharake. Ata duhet të kujdesen për ne, për popullin e jo të mirren me lojëra të tilla. Kjo është për keqardhje", thotë një qytetare franceze. Ndërkaq për një bashkëbisedues tjetër është e qartë se:

"E tëra është punë djalli. Asgjë me vlerë. Ata grinden mes vete, bile edhe presidenti është futur në këtë lojë. Sarkozy, Villepë, të gjithë duan vendin e tyre. E tëra kjo na shpie drejt fatkeqësisë".

Dhe figura e dytë kryesore në këtë aferë është ministri i brendshëm Sarkozy. Në një intervistë televizive pas seancës së parlamentit ai deklaroi se i qëndron ende besnik qeverisë:

"Unë jam në qeveri. Kur drejtësia të ketë zbardhur të vërtetën atëherë shohim më tej", tha Sarkozy.