1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daci lavdëron angazhimin e Gjermanisë në Kosovë

Anila Shuka22 Maj 2007

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci, ka thënë se Gjermania ka bërë një punë brilante në Kosovën e pasluftës

https://p.dw.com/p/ArVE
Kreu i LDD-së, Nexhat Daci
Kreu i LDD-së, Nexhat DaciFotografi: dpa

Daci ia tha këtë Dojçe Veles mbas një vizite nëpër Gjermani, ku u takua me përfaqësues të Bundestagut, diplomatë dhe ekspertë për Ballkanin: "Ishte një përkrahje shumë e mirë e demonstruar për proceset që po shkojnë në Kosovë dhe një tërheqje e vëmendjes që të jemi të kujdesshëm dhe seriozë në menaxhimin e procesit dhe situatës," tha ai në përfundim të takimeve.

Ish kryetari i parlamentit të Kosovës pati të hënën takime me deputeten socialdemokrate në Bundestag, Uta Capf, si edhe me përfaqësues të ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë. Në fundjavë ai ishte takuar edhe me simpatizantë të partisë së vet nga diaspora në Shtutgart dhe Dyseldorf. Një pjesë e mirë e ish-antarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjermani, mbas shkëputjes së Dacit, kanë kaluar në krahun e tij. Shifra të sakta për numrin e antarëve megjithatë nuk ka. Nexhat Daci e krijoi LDD-në në fillim të këtij viti mbas grindjeve që pati me kreun e LDK-së.