1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dakord në parim, në letër asnjë vendim - rreth takimit të MPJ të BE-së

Bernd Riegert21 Mars 2006

Në takimin e së hënës së MPJ të BE-së nuk u morën vendime konkrete, por gjithësesi u thanë disa fjalë të qarta

https://p.dw.com/p/ArBg
Pamje nga takimi i MPJ të BE-së
Pamje nga takimi i MPJ të BE-sëFotografi: AP

Ende në Bruksel nuk është marrë ndonjë vendim i qartë në lidhje me një mision të mundshëm të BE-së në Kongo. Në parim të gjithë janë dakord që trupat prej 16.000 helmetkaltërish në Kongo të përforcohen me 1.500 vetë të tjerë për të vëzhguar procesin elektoral në qershor, por se nga do të dërgohen konkretisht këto trupa për këtë do të diksutohet gjatë javës edhe një herë. Sa i përket pjesëmarrjes së trupave gjermane në këtë mision, MPJ gjerman, Frank-Walter Steimeier tha: "Në rast do të ketë një shpërndarje të gjerë mbi shpatullat evropiane atëhere nuk do të tërhiqemi prej një aksioni të tillë dhe jemi në dispozicion të japim kontributin tonë përmes Bundesvehrit."

Pikërisht ky kusht, pra pjesëmarrja e sa më shumë shteteve në këto trupa nuk është realizuar. Ministri gjerman foli për një hap të vendimtar që ishte arritur sot në radhët e MPJ të BE-së. Por ky hap konsistonte në atë që i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Havier Solana u kthye nga një mision në Kongo duke sjellë me vete fjalët e presidentit të vendit, se Kinshasa dhe grupet etnike në Kongo janë të interesuara dhe e mbështesin misionin e BE-së: "Vizita ime kishte si qëllim t'u siguronte miqve tanë mbështetjen tonë deri në fund. Reagimi i presidentit Kabila ishte mjaft pozitiv, pra ne do të vazhdojmë më tej." - tha Solana.

Angazhimi jo pa rreziqe i rreth 500 ushtarëve gjermanë në Kongo duhet të miratohet prej parlamentit në fillim të majit. Me çështjen e misionit ushtarak në Kongo MPJ të BE-së do të merren edhe një herë të enjten dhe të premten.

I njëzëshëm ishte dënimi që i bënë MPJ të BE-së zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi. Ata i quajtën ato jodemokratike dhe të padrejta. Kryetarja e radhës e BE-së, Ursula Plassnik deklaroi: "Klima e frikësimeve, e kërcënimeve me dhunë dhe e pengesave ndaj opozitës janë gjëra që ne i kemi kritikuar vazhdimisht javëve të kaluara. Në këtë mes nuk ka pasur përmirësime."

Komisioni i BE-së duhet të përpilojë tani një listë me sanksione të mundshme, si p.sh. refuzimi i vizave apo bllokimi i llogarive bankare, të cilat do të prekin në radhë të parë qarqet drejtuese përreth presidentit Lukashenko. MPJ gjerman, Frank-Walter Steinmeier e refuzoi propozimin për të mos ta quajtur legjitime qeverinë bjelloruese dhe për të ndërprerë me të kontaktet. Megjithë kritikat e palës gjermane në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve në Bjellorusi, Steinmajeri tha: "Këshilli i Ministrave nuk arriti të binte sot dakord për këtë hap, sepse është e arsyeshme që të mendosh se një vendim i tillë do të kishte pasoja largvajtëse për marrëdhëniet me Minskun në të ardhmen. Mirë është që vendime të tilla të mos merren rrëmbimthi."

Asnjë vendim nuk u mor as për çështjen "qeveria e Hamasit" në territoret palestineze. MPJ austriake, Plasnik tha se duhet pritur se si do të jetë programi qeverisës i kësaj qeverie, e cila ende nuk ka filluar zyrtarisht nga detyra. Megjithatë në qëndrimet ndaj Hamasit, pra njohja e Izraelit, heqja dorë prej dhunës apo vazhdimi i procesit të paqes, nuk ka ndryshuar asgjë.

E pra edhe në lidhje me çështjen nëse qeverisë palestineze do të vazhdojnë t'i akordohen prej BE-së, ndihmat e majme prej 500 milionë eurosh në vit, pritet të vendoset më vonë. Për këtë do të pritet edhe përfundimi i zgjedhjeve në Izrael, të cilat zhvillohen të martën e ardhshme.