1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daniel Fried: Ekstremistët dhe kundërshtuesit e procesit nuk janë miq të Kosovës

Bekim Shehu7 Mars 2007

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried u shpreh në Prishtinë se propozimi i ndërmjetësit, Marti Ahtisari vërtet nuk përmbush plotësisht kërkesat e dyja palëve, por jep diçka për të dyja palët

https://p.dw.com/p/ArXs
Prishtina
PrishtinaFotografi: picture-alliance/dpa

Shtetet e Bashkuara mbështesin pa rezervë pakon e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari. Ky propozim nuk përmbush plotësisht kërkesat e dyja palëve shqiptarëve dhe serbëve, por të dyja palët nuk do të mbesin pa gjë. Kështu deklaroi në Prishtinë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried pas një takimi që zhvilloi me grupin negociator të Kosovës.

"Tani është shanci që të punohet me Marti Ahtisarin që të bëhet diçka e drejtë. Paketa e Marti Ahtisarit nuk është përfunduar mirëpo, është e qartë se ajo është një paketë e balancuar. Ajo nuk përmbush plotësisht kërkesat e dyja palëve, por jep diçka për të dyja palët. Unë shpresoj se takimi i 10 marsit në Vjenë do të jetë produktiv dhe udhëheqësit kosovarë dhe ata serbë do të arrijnë në një zgjidhje", tha Daniel Fried. Dhuna në këtë moment në të cilin ndodhet Kosova është tërësisht e papranueshme dhe kundërproduktive për procesin, theksoi ai.

"Ekstremistët dhe kundërshtuesit e procesit, nuk janë miq të Kosovës. Ky ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë dhe tani po shkon drejt fundit. Cilido që të jetë statusi final, Kosova, duhet të jetë një vend për të gjithë qytetarët e saj, që e ndjejnë Kosovën si vendin dhe shtëpinë e tyre", tha Daniel Fried. Udhëheqësit politik kosovarë, të cilët janë të pritje të propozimit të plotësuar për statusin të ndërmjetësit Marti Ahtisari, besojnë se ky proces do të përfundojë me pavarësinë e Kosovës.

Ndihmessekretari amerikan i shtetit të martën në mbrëmje takoi edhe udhëheqësit serbë të komunave veriore të Kosovës. Ai përsëriti qëndrimin e grupit të kontaktit se nuk ka ndarje të Kosovës ndërkohë që ftoi serbët që të bëhen pjesë konstuktive e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.