1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Danilo Turk në Tiranë: Shqipëria shumë shpejt anëtare e NATO-s

Ani Ruci19 Shkurt 2009

Firma që hodhi të mërkurën (18.02) Presidenti slloven Danilo Turk mund të konsiderohet hallka e fundit që mbyll me sukses ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

https://p.dw.com/p/GxK0
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Deklarata e Presidentit slloven Danilo Turk, në Tiranë, shprehu edhe qëndrimin pro të Sllovenisë. „Parlamenti ynë , tha presidenti slloven, ratifikoi kohët e fundit Protokollin e anëtarësimittë Shqipërisë në NATO, të firmosur edhe prej meje, gjë që do të thotë se Shqipëria do të bëhet shumë shpejt anëtare e NATO-s. Sllovenia e mirëpret Shqipërinë në samitin e NATO-s në Strazburg/Kel , në fillim të Prillit,“ tha presidenti slloven Danilo Turk gjatë një konferencë për shtyp në Tiranë.


Tanimë është e sigurtë që samiti i NATO-s , më 3 prill, nuk do të ketë të papritura për Shqipërinë. Anëtarësimi i saj në NATO mbërriti në fazën e zyrtarizimit, e lënies pas të shprehjes së përdorur për më se një dekadë : “Dyert e NATO-s janë të hapura për Shqipërinë“.


Kryemnistri Berisha e vlerësoi ngjarje historike përfundimin e procesit të ratifikimit. Ai përshëndeti 26 vendet anëtare dhe ua dedikoi reformave ardhjen e këtij momenti. „ Ftesën e Shqipërisë nga NATO dhe përfundimin e procesit të ratifikimit e bënë të mundur reformat e gjithanshme, reforma në Forcat e Armatosura dhe përcaktimi i një buxheti për to në masën 2% të Produktut të Brendshëm Brutto, zgjerimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në operacionet paqeruajtëse në Azi, në Afrikë dhe në zona të tjera“, tha të mërkurën në mbrëmje kryeministri Berisha menjëherë pas deklaratës së Presidentit slloven Danilo Turk.


Berisha e quajti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si arritjen më madhore më sublime pasi " NATO është ombrella e lirisë për çdo komb, por sidomos për atë shqiptar që në shekuj ka pasur si problem të parë atë të sigurisë.“


Rruga 16 vjeçare e Shqipërisë drejt NATO-s


Shqipëria shprehu interesin e saj ndaj NATO-s, për herë të parë, në vitin 1992. Ajo u bë vendi i parë ish komunist që kërkoi partneritet dhe anëtarësim në NATO që në fillimet e pluralizmit politik dhe i tha“PO“ kërkesës së SHBA-së dhe të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut për të marrë pjesë në "Partneritetin për Paqen".


Viti 2002 do të shënonte momentin e dytë të rëndësishëm në udhëtimin e Shqipërisë drejt NATO-s. Në atë vit mori jetë nisma amerikane e Karta së Adriatikut, ku u përfshi Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, tri vende aspirante për anëtarësim në aleancë. Në bazë të saj ishte pjesëmarrja në projekte të përbashkëta paqeruajtëse me NATO-n, bashkëpunimi për çështje të mbrojtjes dhe rritja e kapaciteteve të forcave të tyre të armatosura.


Momenti i tretë është është marrja e ftesës për anëtarësim, vitin e kaluar në samitin e Bukureshtit. Sontazhet në prag të atij samiti treguan se 96 përqind e popullsisë ishin pro anëtarësimit, shifër kjo më e larta në të gjitha vendet e Kartës së Adriatikut. Ftesa për anëtarësim u konsiderua si një ndarje përfundimtare e Shqipërisë me tranzicionin dhe bazë për përshpejtimin e ritmeve drejt integrimit euro-atlantik.


Samiti i 3 prillit ne Strazburg/Kel do të jetë përfundimi i sukseshëm i rrugëtimit 16 vjeçar të Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO. Ai shihet si marrja e një pasaporte që do t'i japë Shqipërisë perceptimin e një vendi të sigurtë për ardhjen e investimeve të huaja, jetike për rritjen ekonomike të vendit.

Sa për detyrimet që sjell anëtarësimi vitin e ardhshëm: në 2010 do të përfundojë transformimi i plotë i forcave të armatosura të Shqipërisë në një forcë tërësisht profesionale, të paguar nga buxheti i shtetit, e aftë për t´iu përgjigjur misioneve të NATO-s.