1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia ka nevojë për një parlament sovran

Intervistoi Fabian Schmidt27 Mars 2007

Intervistë me James Pettifer ekspert për Ballkanin dhe bashkautor i librit "Çështja shqiptare, riformësimi i Ballkanit"

https://p.dw.com/p/ArXD
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Deutsche Welle: Zoti Pettifer, Marti Ahtisaari sapo paraqiti një plan në këshillin e sigurimit për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ku ndodhet ky plan në kontekstin e përgjithshëm të çështjes shqiptare:

James Pettifer: Mendoj, se ka një pikë mjaft delikate. Raporti i Ahtisaarit sigurisht që përbën një hap përpara, ai përbën padyshim një ngjarje të madhe, që i hap rrugën diskutimit përfundimtar për statusin e ardhshëm politik të Kosovës. Por, në anën tjetër unë personalisht mendoj, se ky propozim ka një numër të madh mangësish, sepse e ka evituar çështjen e sovranitetit, e cila duhej sqaruar haptazi, dhe kjo është në fakt çështja thelbësore. Nuk ka rëndësi në se përdoret fjala "pavarësi" a jo, por se a është marrë një vendim i qartë dhe i pakeqkuptueshëm për sovranitetin. Në fakt, nuk është e qartë për bashkësinë ndërkombëtare se si ajo mund të formojë një shtet të ri, kur shteti përgjegjës, siç del nga deklaratat e Beogradit, nuk pranon t'i lëshojë territorin apo njerëzit e tij. Kjo është një lojë e re, rregullat e së cilës nuk janë shumë të qarta.

Deutsche Welle: Ju mendoni, se ka ende çështje, për të cilat Beogradi duhet pyetur?

James Pettifer: Në aspektin ligjor Beogradi duhet të pyetet. Por ata nuk pranojnë asnjë propozim. Tani shtrohet pyetja si do të veprohet më tej. A do të ketë një njohje të shtetit të ri nga ndonjë vend i rëndësishëm dhe në se do të ketë apo jo ndonjë zvarritje të njohjeve deri në një rezolutë të BE-së a të Këshillit të Sigurimit.

Deutsche Welle: Çfarë mund të sillte deri tek zvarritja?

James Pettifer: Presioni i Rusisë. Kjo tani është shumë më e fuqishme se disa vjet më parë, ndikimi i Rusisë në këtë çështje është i madh, prandaj duhet parë se çfarë do të bëjë Putini.

Deutsche Welle: A mendoni Ju se vendet perëndimore do t'i nënshktrohen këtij presioni?

James Pettifer: Jo, sepse, në rast se ata e bëjnë, do t'i mundësonin Rusisë të luante në Evropën Perëndimore një rol, të cilin ajo nuk e ka pasur qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Unë besoj, se, megjithë rezervat që disa vende evropiane mund të kenë, qoftë për shkak të parimit të pavarësisë, qoftë ndaj mënyrës se si po realizohet ajo, ata do të preferojnë më mirë ta mbështesin rezolutën, se sa të lejojnë si rrjedhojë të mundshme ndikimin e Rusisë, jo vetëm në Ballkan, por edhe gjetkë.

Deutsche Welle: Nëse supozojmë se gjithçka do të shkojë ashtu siç është planifikuar, cili do të jetë problemi më i madh, në zbatimin konkret të propozimit të Ahtisaarit?

James Pettifer: Nuk është fare e qartë se cila do të jetë vija që do të ndjekë përfaqësuesi i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe nuk është as e qartë se si do t'i transmetohet ky mekanizëm parlamentit dhe presidencës së Kosovës. Sipas mendimit tim, dobësia më e madhe e propozimit të Ahtisaarit është mungesa e rolit sovran të parlamentit kosovar. Në se ne duam një demokraci të re në Kosovë, që është diçka që gjithkush e do, atëherë nevojitet një parlament i fortë e rigoroz dhe kjo është ajo që mungon.

Deutsche Welle: Mendoni se ky dokument është i mjaftueshëm për të mbështetur të drejtat e pakicave?

James Pettifer: Unë mendoj se dokumenti përmban të drejta mjaft të forta për trashëgiminë e kishës ortodokse serbe dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara së fundi. Më pak e qartë është se ç'mund të ndodhë me të vërtetë në vend, sepse nuk është shumë e qartë se sa serbë jetojnë në disa zona të reja, që parasheh decentralizimi, dhe se a do të jenë ata në gjendje të krijojnë komuna të vlefshme dhe funksionuese.

Deutsche Welle: Mendoni se serbët do të kenë motive për të marrë pjesë në administratën lokale. A kanë ndonjë interes ata, që ta pranojnë Kosovën si shtetin e tyre?

James Pettifer: Le të shpresojmë! Por, po të shohim gjithë zhvillimet që nga viti 1999, problemi ka qenë, se serbët i kanë pasur të drejtat e tyre, të drejtën e përfaqësimit në parlamentin e Kosovës, e nuk i kanë shfrytëzuar. Ata nuk kanë shkuar në votime dhe nuk kanë marrë pjesë në institucionet e shoqërisë civile. Kështu që, përsa kohë që serbët i referohen më shumë Serbisë se Kosovës për shtetësinë dhe identitetin e tyre si qytetarë, unë mendoj, se për fat të keq, ky problem rrezikon të mbetet. Dhe ky është shkaku, se përse nevojitet prania bashkësisë ndërkombëtare.

Deutsche Welle: A mendoni se pala shqiptare e ka seriozisht kur i fton serbët, që të marrin pjesë në jetën sociale, apo mendoni se e bëjnë vetëm për hir të bashkësisë ndërkombëtare?

James Pettifer: Kjo është pyetje shumë e mirë, por unë nuk e di përgjigjen. Askush nuk mund të japë përgjigje në të. Mendoj, se disa politikanë shqiptarë në Kosovë duan të kenë një minoritet serb, jo vetëm sepse rëndom kjo u kujton se kush e ka fituar luftën. Shumë njerëz të emancipuar e kanë kuptuar, se, në se duan një shtet modern, ata duhet të tolerojnë edhe pakicat. Por ka edhe shumë njerëz që nuk e thonë publikisht, por që në fakt shpresojnë që serbët do të largohen pas zgjidhjes së statusit. Duhet gjetur barazpeshimi i opinionit, ka vende në Kosovë ku marrëdhëniet ndërmjet etnive janë shumë më të mira se në disa vende të tjera, dhe unë shpresoj që të paktën në ato pjesë, bashkësia serbe do të vazhdojë të qendrojë.

Deutsche Welle: Dhe së fundi, libri që keni nxjerë rishtaz së bashku me zonjën MIranda Vickers, "Çështja shqiptare, riformësimi i Ballkanit", është pjesa e dytë e një trilogjie. A mund të na tregoni se ku do të fokusoheni në pjesën e tretë?

James Pettifer: Libri i tretë, është shumë më specifik, ka të bëjë me çështjen shqiptare në kohrat e sotme, ai do të fokusoheet në aspektin ushtarak të luftërave në Kosovë dhe në Maqedoni, dhe do të jetë përçapja e parë për të prezantuar konfliktin në këndvështrimin ushtarak."