1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deri në çfarë mase lejohet ndërhyrja e bundesverit brenda vendit?

Cristoph Hasselbach14 Nëntor 2006

Bundesveri lejohet të ndërhyjë vetëm në raste të jashtëzakonshme si katastrofat natyrore. Kjo është përgjigja korrekte që gjendet në kushtetutën gjermane. Por mund të ndryshohet kushtetuta?

https://p.dw.com/p/Aqo4
Bundesveri ndihmon në katastrofën e përmbytjes
Bundesveri ndihmon në katastrofën e përmbytjesFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Çështja e intervenimit të bundesverit u diskutua seriozisht pas atentateve të 11. shtatorit 2001 në SHBA, por pas disa kohësh u la në harresë. Organizimi i kampionatit botëror 2006 në Gjermani e risolli sërish këtë temë në qendër të vëmendjes. Për faktin se edhe qeveria kishte ndryshuar me ardhjen në pushtet të koalicionit të unionit me socialdemokratët, u rrit edhe gadishmëria politike për një ndryshim të kushtetutës në këtë pikë. Ministri i brendëshm gjerman Volgang Shojble, në një intervistë para kampionatit botëror u shpreh se bundeveri tashmë është e angazhuar brenda vendit edhe pa ndryshimin e kushtetutës: "Pra bundesveri kryen të gjitha detyrat në kuadrin që i lejohet nga kushtetuta. Por këtë e bën edhe në rastin e gripit të shpendëve, në rastin e katastrofës nga bora në Bavari, bundesveri ofron logjistikë sanitare, pra bën ç'është e mundur, por sigurisht që askush nuk dëshiron të shohë tanke në stadium."

Shojble atëherë u shpreh për shembull që bundesveri të angazhohej në sigurinë e aeroportit të Frankfurtit me qëllim që të lehtësohej barra e forcave të policisë, të cilat mund të angazhoheshin diku tjetër.

Sipas të dhënave të ministrit të mbrojtjes, Franc Jozef Jung, gjatë kohës së kampionatit botëror u angazhuan më shumë se 2000 ushtarë të bundeverit, 5000 të tjerë ishin në gadishmëri, me qëllim të dhënies së ndihmës në raste të jashtëzakonshme.

Kritikët e angazhimit të bundesverit brenda vendit shprehen se angazhimi i shumëllojshmë i bundeverit hap dyert më shumë. Disa madje flasin për një militarizimi të shoqërisë. Shojble edhe ministri i brendshëm bavarez, Gynter Bekshtajn, shprehen se ndryshimi i kushtetutës do të thotë më shumë normalitet: Bekshtajn në fillim të vitit tha: "Fakti që si ne të gjitha vendet evropiane në raste të jashtëzankonshme dhe ekstreme të gjendjes së sigurisë, mund të ndërhyjë edhe bundesveri, duhet të jetë i mundur, dhe kjo përmes një ndryshimi të kushtetutës."

Sulmet ndaj trenave gjermanë në verë të këtij viti dhe zbulimi në Angli i atentateve ndaj avionëve me destinacion përtej oqeanit, kanë rigjallëruar këtë debat, por kanë shkaktuar edhe konsolidimin e dy fronteve kundërshtare.

Në rast se do të ishte i mundur ndryshimi i kushtetutës në të ardhmen, do të duhej që aksionet e bundesverit të mbeteshin të kufizuara dhe të përcaktuara qartë. Disa juristë të së drejtës shtetërore argumentojnë se nuk është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës, po qe se, mbrojtja ndaj një sulmi të rëndë terrorist interpretohet si mbrojtje e vendit, dhe kjo është një detyrë klasike e ushtrisë.

Sindikata e policisë megjithatë këmbëngul për një ndarje të qartë mes detyrave të policisë brenda vendit dhe ushtrisë jashtë. Ajo ankohet se tek policia po bëhen mjaft shkurtime, dhe vetëm për këtë shkak, pra për mungesë personeli po zhvillohet një diskutim i tillë për angazhimin e bundesverit brenda vendit.