1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deri tani nuk është nevojitur ombrella e shpëtimit

19 Gusht 2010

Paketa me 750 miliardë euro për shpëtimin e monedhës së përbashkët nuk është shfrytëzuar deri tani. Spanja, Portugalia, Irlanda dhe Rumania nuk kanë patur nevojë. Një bilanc pas 100 ditësh

https://p.dw.com/p/OqX6
Eurozona po qetësohetFotografi: picture-alliance/dpa

Suksesi më i madh i paketës për shpëtimin e euros është se deri tani nuk është nevojitur. Por vetëm ekzistenca e risigurimit për shtete të dobëta financiarisht të Eurozonës, i ka qetësuar në një farë mase tregjet financiare. Shefi i qendrës speciale, që administron fondin e shpëtimit, Klaus Regling, i tha plot besim agjencisë së lajmeve dpa: "Aktualisht nuk ka gjasa të nevojiten para."

Dramë në Bruksel

Klaus Regling 2005
Klaus Regling, shef i fondit të shpëtimitFotografi: picture-alliance/dpa

Në seanca, që zgjatën edhe natën, ministrat e Financave, Drejtorët e Bankave Qendrore dhe kryetarët e shteteve të 16 vendeve të eurozonës vendosën në javën e dytë të majit së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar një plan gjigand kredish. Gjithsej 750 miliardë euro qëndrojnë gati për shpëtimin e vendeve të eurozonës, në rast se nuk do të jenë në gjendje të paguajnë. 60 miliardë vijnë nga buxheti i Komisionit të BE, 440 miliardë janë premtime kredish nga vendet, që kanë monedhë euron dhe 250 miliardë vijnë nga FMN-ja, ku janë mjaft të përfshira shtetet e BE. Kancelarja Angela Merkel pati folur për "sfidën më të madhe deri tani për BE."

Unioni mund të paguajë me të vertetë jo 440 miliardë euro nga vendet e eurozonës por vetëm 366 miliardë. Agjencitë më të mëdha për vlerësimin e riskut të kredive kërkojnë, që kreditë të sigurohen me 120 përqind. Kjo do të thotë, që për t'u paguar 100 euro duhet paraqitur një garanci prej 120 eurosh. Kështu i dilet para rrezikut në rast mospagimi..

Nicolas Sarkozy Angela Merkel Elysee Palast Frankreich
Gjermania dhe Franca me propozime të ndryshmeFotografi: AP

Investorët të qetësuar - fillimisht

"Llogaria e qeverive të BE doli me sukses," thotë kryeekonomisti i Commerzbank, Jërg Krämer. Investorët u qetësuan nga shumat gjigante.


Shtetet e eurozonës kanë hyrë në kursin e kursimit. Ekonomitë, përveçse në Greqi, shënojnë rritje. Monedha e përbashkët hëpërhë mundi të shpëtohej. Por diplomatët evropianë pranë komisionerit për çështje monetare Olli Rehn paralajmërojnë se paketa e shpëtimit ka blerë vetëm kohë. Premtimet për dhëniet e kredive zgjasin vetëm tre vjet, deri atëherë euro-zona duhet të mekëmbet dhe të reformohet. Vendimet delikate, se si duhen kontrolluar dhe mëkëmbur në të ardhmen deficitet dhe buxhetet e vendeve të euros, u shtynë për në vjeshtë. Një grup pune i ministrave të Financave nën drejtimin e Presidentit të Këshillit të BE, Herman Van Rompuy ,do të paraqesë propozimet. Gjermania këmbëngul për një ligj për paaftësinë paguese të shteteve. Franca dëshiron një qeveri ekonomike qendrore, që mund të drejtojë edhe Bankën Qendrore Evropiane. Për duket se për këto propozime nuk po bihet dakord. Kriza e borxheve nuk është kapërcyer ende, paralajmëron eksperti për koniunkturën i kompanisë së sigurimeve Allianz, Rolf Schneider. Vendimare është që shtetet të zbresin borxhin e ri, veçanërisht kritik do të jetë viti 2011.

Një tjetër union

Brüssel EU Olli Rehn
Komisioneri për çështjet monetare, Olli RehnFotografi: picture-alliance/dpa

Me paketën e shpëtimit BE në fillim të majit kapërceu parime, që deri atëherë ishin të pakapërcyeshme. Klauzola e marrëveshjes së BE, që një vend nuk duhet të përgjigjet për borxhet e një shteti tjetër, u hoq. Banka Qendrore Evropiane (BQE) blen obligacione shtetërore nga shtetet e eurozonës, që më parë gjithnjë i kishte refuzuar. BQE ndoqi orientimet politike të kryetarëve të shteteve duke rrezikuar pavarësinë e saj absolute.

Për administrimin e paketës së shpëtimit vendet e Euros themeluan në Luksemburg një organizëm special. Një bankë e vogël, që në rast nevoje do të mblidhte paratë në vendet anëtare dhe do t'ia kalonte vendeve me borxhe të larta. Secili shtet, që lutet për ndihmë, duhet t'i nënshtrohet kushteve të rrepta dhe në rradhë të parë të pranojë kontrollin. Ai merr për këtë kredi miliardëshe me norma interesi me të favorshme se në tregun e lirë të kapitalit. Çdo injeksion kapitali duhet të aprovohet nga vendet e eurozonës dhe FMN-ja. Për shpëtimin e bankave të veta kombëtare vendet e euros duhet të kërkojnë gjithashtu kredi në rast nevoje.

Vetëm sa është shtyrë kriza e borxheve?

Megjithëse në Evropë shënohet përsëri rritje ekonomike shefi i institutit për studime ekonomike në Renani Westfali, Christoph Schmidt, porosit që të kihet kujdes nga euforia. "Disfatat nuk duhen përjashtuar", thotë Schmidt, i cili bën pjesë në këshillin e konsulentëve të qeverisë gjermane. Ngarkesa e shtetit prej programeve koniunkturore dhe paketave të shpëtimit për bankat është shumë e madhe. Rreziku i një krize borxhesh vazhdon të ekzistojë, edhe pse në Evropë është kthyer përkohësisht qetësia. "Borxhet e SHBA-së, Japonisë dhe Britanisë së Madhe janë ndërkohë mjaft të larta", thotë Christoph Schmidt.

In Griechenland streiken Tanklastwagenfahrer
Grevë e shoferëve të kamionëve në Greqi, korrik 2010Fotografi: picture-alliance/dpa

Greqia ka marrë ndihma të posaçme

Një rast i veçantë në eurozonë është Greqia. Për shtetin e falimentuar BE së bashku me FMN ka dhënë para dy muajsh një paketë shpëtimi të vetën. Nga 110 miliardë eurot, që Greqia ka në dispozicion deri në vitin 2013, ka marrë deri sot 20 miliardë euro për të mundësuar aftësinë paguese. Programi drastik i kursimeve i ndërmarrë nga qeveria greke, sipas mendimit të ekspertëve bën që vendi të mbetet në recesion. Papunësia rritet, të ardhurat nga taksat bien. Nga ana tjetër Greqia dhe shtete të tjera të dobëta, si Spanja dhe Portugalia, arritën në korrik që të marrin përsëri para të thata në tregjet e kapitalit.

Njëri anëtar distancohet

Sllovakia javën e kaluar (11.8.) i dha fund solidaritet me Greqinë, duke refuzuar pjesëmarrjen në aksionin e shpëtimit për këtë vend të Mesdheut. Por Sllovakia, shteti më i ri i eurozonës, e ka pranuar paketën e madhe të shpëtimit për vendet e Euros.

Sidoqoftë paketa e shpëtimit të euros nuk ekziston prej 100 ditësh, që prej vendimit të kryetarëve të shteteve në maj, por që prej 12 ditësh. Sepse vetëm me 6 gusht të gjitha shtetet e Eurozonës, e fundit Italia, vunë firmat e duhura për krijimin e organizmit special, fondit të shpëtimit në Luxemburg. Tani shefi i tij, Klaus Regling, pret klientët e parë, që shpresojmë të mos vijnë kurrë.

Autor: Bernd Riegert/Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti