1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Detyrë e shtetit krahas mbrojtjes së sigurisë është edhe garancia e të drejtave qytetare

26 Prill 2007
https://p.dw.com/p/ArkY

Janë kryesisht tema të politikës së brendshme, ato që tërheqin më shumë vëmendjen e komentatorëve të shtypit të sotëm gjerman.

Përgjimi në internet, i njohur me emrin hetimi online, i kërkuar së fundi nga ministri i brendshëm, Volfgang Shojble po kundërshtohet hapur në Gjermani. Por gazeta HANDELSBLATT që del në Dyseldorf konstaton:

"Tani del në pah se mbrojtja e kushtetutës (shërbimi informativ gjerman) ka dy vjet që e praktikon përgjimin e kompjuterave. Dhe e bën këtë me urdhër të ministrit të brendshëm, Oto Shili, që sic dihet është anëtar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD. Përpjekjet për të fituar profil të Kurt Beckut, që ta prezantojë partinë e tij si parti që mbron të drejtat e njeriut kanë pësuar një goditje të rëndë. Sepse urdhëresa e Shilit bën të qartë atë që Partia Socialdemokrate Gjermane përpiqet të fshehë me mundim në diskutim: ministri i kësaj partie vuri në jetë, atë që Shojble e kërkon sot me këmbëngulje. Sherifi i zi, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 vetëm zëvendësoi në post sherifin e kuq."

Presidenti i Gjykatës Kushtetuese Gjermane, Hans-Jürgen Papier ka bërë me këtë rast paralajmërimin e parë. Ai kërkon që në përpjekjet për më shumë siguri, të ruhet edhe proporcioni i masave. Nga gazeta DIE WELT për këtë shkëpusim:

"Papier tha në Klubit e Shtypit të Frankfurtit se duhet shtruar gjithmonë pyetja, nëse masa që synohet të merret i shërben me të vërtetë synimit për të sjellë më shumë siguri. Atë të cilën disa politikanë e deklarojnë me rëndësi esenciale, shpesh specialistët e vlerësojnë ndryshe. Kështu në disa seanca gjyqësore para Gjykatës Kushtetuese ai ka dëgjuar shpesh që instrumenta të tillë mund të përdoren vetëm shumë rrallë.

Detyrë e shtetit, sipas Papier-it, krahas mbrojtjes së sigurisë është edhe garancia e të drejtave qytetare dhe gjithçka gjithmonë duhet të kryhet duke ruajtur proporcionet. Papier-i tërhoqi më tej edhe vëmendjen, se kërkesat politike për masa më të rrepta sigurie, sipas sondazheve, janë jopopullore. Megjithatë, presidenti i Gjykatës Kushtetuese theksoi se shprehjet e tij nuk duhet të kuptohen si këshillë për diskutimet aktuale politike. Kjo sepse Gjykata Kushtetuese vendos parimisht vetëm për ligje të miratuara dhe e bën këtë vetëm pas një kërkese."

Prokuroria e përgjithshme gjermane, ka kërkuar rinisjen e hetimeve ndaj një ish-anëtari të fraksionit të ushtrisë së kuqe, Stefan Vishnievski. Sipas të dhënave të bëra të ditura tani, në bazë të deklaratës së ish-terroristes, Verena Becker, Vishnievski i dënuar njëherë ka qenë ai që ka vrarë në vitet 70 kryeprokurorin e Gjermanisë, Buback dhe jo një terrorist tjetër që ndodhet ende në burg. Këto të dhëna diheshin që 20 vjet më parë, por Prokuroria Gjermane mendohet se nuk veproi. Për këtë, në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Bëhet fjalë për Prokurorinë e Përgjithshme dhe bëhet fjalë për emrin e këtij institucioni. Kryeprokurorja Monika Harms dhe kolegët e saj paguajnë sot haraçet e kolegëve të tyre. Një prokurori e përgjithshme, nuk mund të mbrohet me argumentin se shteti, për të mbrojtur lirinë e qytetarëve të tij ka nevojë edhe për një sektor i cili të lejohet të ndyjë duart. Pas elementëve të bëra të njohura ditët e fundit, është e pashmangshme që të lulëzojnë spekullime të tjera. Kush mund të përjashtojë tani mundësinë, që prokurorë të përgjithshëm, të cilët kanë heshtur për informacione, kanë marrë vendime të tjera në bazë të pikëpamjes së oportunitetit", pyet STUTTGARTER ZEITUNG.

Ndërsa në gazetën që del në Hamburg, DIE ZEIT për këtë temë lexojmë:

"Spiralja e profesionistëve të dhunës mund të ndalohet vetëm atëherë, kur politika të pushojë së instrumentalizuari këtë temë dhe kur mediet të mbajnë distancë nga interesat dhe qëndrimet e botës së Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, RAF. Terroristët, që kanë ndryshuar me të vërtetë mendje, vec kësaj mund t'i njohësh shumë thjesht në faktin,që njeriu nuk dëgjon më për ta. Në rastin e RAF-it, nuk ka iluminim publik. Ky proces mund të ndodhë vetëm pa praninë e publikut."

Ja së fundi edhe mendimi i SÜDDEUTSCHE ZEITUNG:

"Ai që beson se Vishnievskin ose ndonjë anëtar tjetër të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, RAF mund t'i paditësh si të thuash në tym, për të hapur në këtë mënyrë rrugën për një proces gjyqësor, i cili ta ndriçojë edhe njëherë nga të gjitha anët atentatin e Bubakut, ai ka keqkuptuar synimin e një procesi penal gjyqësor: ai i shërben konstatimit të një faji individual. Procesi penal ka synim të gjejë se si ka qenë puna me të vërtetë, por kjo mund të bëhet vetëm po të kesh dyshime të mjaftueshme për një doras"