1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetë vjet pas Dejtonit në Bosnje-Hercegovinë ekziston një demokraci multi-etnike e bazuar në një sistem aparjtejdi

Fabian Schmidt10 Korrik 2005

Kanë kaluar dhjetë vjet që prej se në Srebrenicë ndodhi një prej krimeve më të rënda që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu së shpejti mbushen dhjetë vjet edhe që prej përfundimit të luftës në Bosnjë. Gjithsesi edhe dhjetë vjet pas Srebrenicës plagët nuk janë shënuar dhe në Bosnje-Hercegovinë ekziston një demokraci multi-etnike e bazuar në një sistem aparjtejdi.

https://p.dw.com/p/ArDp
Përvjetori i Srebrenicës
Përvjetori i SrebrenicësFotografi: AP

Srebrenica është simboli më i fuqishëm i një politike të gabuar ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë. Dhjetë vjet pasi ushtria e Republika Srpska e mori pas asnjë farë rezistence të helmetave të kaltra zonën e Srebrenicës, e cila ishte shpallur nën mbrojtjen e OKB-së, qyteti vazhdon të rrënohet. Para dhjetë vjetësh OKB-ja e dorëzoi Srebrenicën dhe sot nuk ka qejf, kur ia kujtojnë këtë. Madje sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, i cili asokohe ishte i ngarkuar i posaçëm i OKB-së për ish-Jugosllavinë, as që nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e përmortshme përkujtimore.

Srebrenica është Bosnje-Hercegovina në miniaturë. Paqja e dhjetë vjetëve të fundit ka mbetur e papërfunduar. Kjo paqe u ngrit që në fillim mbi themelet e ndarjes etnike të vendit, të ndërrmarë dhunshëm përmes gjencidit, dëbimeve dhe krimeve të luftës. Ndarja e vendit në dy etnitete, në federatën BiH dhe Republika Srpska, ishte edhe qëllimi i luftës i presidentit të Republika Srpska, Radovan Karaxhic, që konsiderohet si një ndër kriminelët më të kërkuar të luftës. Pasardhësit e tij nuk e kanë humbur nga sytë këtë qëllim.

Bashkësia ndërkombëtare u përpoq pas përfundimit të luftës që të krijonte një demokraci multi-etnike mbi bazën e një sistemi nacionalist apartejdi. Kjo është e sanksionuar edhe në marrëveshjen e Dejtonit të nëntorit 1995, e cili i dha status kushtetues ndarjes etnike dhe jo parimit të barazisë individuale të qytetarëve.

Bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesi i lartë i saj Paddy Ashdown nuk kanë si synim që me plotfuqishmërinë e tyre të arrijnë një transformim thelbësor. Ata ua kanë lënë në dorë politikanëve vendas që një ditë ta ndryshojnë kushtetutën duke ua përshtatur normave evropiane. Por elitat nacionaliste nuk kanë asnjë lloj interesi në këtë mes, sepse ato jetojnë mjaft mirë në sistemin aktual.

Dhe në këtë mënyrë gabimet e së kaluarës vazhdojnë. Në rast se BiH dëshiron që të anëtarësohet ndonjëherë në Evropë, atëhere ajo duhet të ndryshojë kushtetutën dhe të kapërcejë ndarjen etnike. Kjo do të bëhet e mundur vetëm nën presionin masiv të atyre që ndërmjetësuan para dhjetë vjetësh marrëveshjen e Dejtonit.