1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhunë në Maqedoni: Emër i ri, por jo për nacionalistët

18 Qershor 2018

Zgjidhja e çështjes së emrit pritet me protesta të dhunshme para Kuvendit në Maqedoni. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

https://p.dw.com/p/2zl05
Bildergalerie Mazedonien Proteste in Skopje
Fotografi: Getty Images/AFP

Protestat e mbrëmjes së të dielës (17.06)) para Kuvendit të Maqedonisë kundër marrëveshjes për emrin janë shkallëzuar në dhunë me policinë, pasi një grup i protestuesve kishin filluar të hidhnin gurë dhe sende të tjera kundër policisë, në përpjekje që të thyejnë kordonin dhe të futen në Kuvend. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Shtatë policë janë lënduar

"Gjatë protestës para Kuvendit, një pjesë e demonstruesve kanë përdorur mjete spërkatëse dhe me dhunë kanë rrëzuar barrikadat policore, duke tentuar me dhunë për të hyrë në Kuvend. Me qëllim të moseskalimit të situatës, policia ka përdorur gaz lotsjellës në përputhje me procedurat dhe rregullat e saj. Shtatë policë janë lënduar në protestat e dhunshme. Me këtë rast policia ka arrestuar 25 persona”, thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Bildergalerie Mazedonien Proteste in Skopje
Fotografi: picture alliance/dpa/AP/B. Grdanoski

Nga kjo ministri u theksua se respektojnë të drejtën e protestës së qetë, por nuk do të lejohet përdorimi i dhunës si dhe prishja e rendit dhe qetësisë. Policia njofton se është duke identifikuar edhe personat e tjerë që sulmuan zyrtarët policorë. Rruga para Kuvendit është zhbllokuar ndërsa organet e rendit po punojnë në pastrimin e vendit.

MPB ka apeluar në shprehjen e mendimit publik në mënyrë demokratike. Protestat e thirrura përmes rrjeteve sociale shpërthyen me dhunë në Shkup gjatë orëve të mbrëmjes, pasi të dielën në Psarades të Greqisë  u firmos marrëveshja për emrin.

Bildergalerie Mazedonien Proteste in Skopje
Fotografi: picture alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Edhe në Manastir u protestua kundër marrëveshjes për emrin

Në qytetin e Manastirit është mbajtur edhe një tjetër protestë nga partia e opozitës, VMRO DPMNE. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, duke e quajtur "tradhtar të interesave kombëtare maqedonase”. Ai ka thënë se partia që ai përfaqëson asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen e arritur në Prespë të Greqisë, duke paralajmëruar kështu bllokim në Kuvend, ku për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave, por edhe gjatë referendumit që parashihet të mbahet në vjeshtë.

"Komitët” paralajmërojnë protesta radikale

Grupi i tifozëve i njohur me emrin "Komitët” paralajmëron përsëri protesta radikale kundër marrëveshjes për emrin para Kuvendit. Protesta e së dielës sipas tyre do jetë e fundit prej protestave të qeta, pasi strategjia do ndryshojë.

"Neve nuk na frikësojnë arrestimet dhe presionet. Ne nuk jemi as "Regjimi” e as "Revolucioni i larmë”, ne jemi ‘Komitët'. Mbani mend, lufta jonë është për ta ndryshuar mentalitetin e politikanëve që t'i mësojmë t'i vlerësojnë dhe mbrojnë interesat e popullit maqedonas, e jo t'i shesin. Askush nuk është më i fortë se populli i bashkuar. Dilni pa frikë në rrugë”, thuhet mes tjerash në apelin e "Komitëve” në rrjetet sociale. Protesta janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut