1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna është e pajustifikueshme

4 Qershor 2007

Në prag të smaitit të G8-ës dhe protestës së kundërshtarëve të globalizimit me mëse 1000 të plagosur në Rostok, kancelarja Angela Merkel nënvizon në intervistë për ARD-në, kanali i parë televiziv i Gjermanisë, se dhuna është e pajustifkueshme

https://p.dw.com/p/ArIZ
Demostracionet në fundjavë në Rostok
Demostracionet në fundjavë në RostokFotografi: picture-alliance/ dpa
  • E pyetur, se ç´pasoja mund të kenë skenat e përleshjeve mes policisë dhe demonstruesve ndaj imazhit të Gjermanisë dhe se çfarë konseguencash do të nxirren prej kësaj, Merkel nënvizon:

"Pamjet ishin të tmerrshme. Dhuna nuk mund të justifikohet me asgjë. Policia me siguri që do ta analizojë këtë me kujdes. Policia gëzon besimin tim të plotë. Unë shpresoj, që ata që janë plagosur së shpejti do të shërohen e do të jenë shëndoshë e mirë. Më vjen mirë që organiozatorët e kësaj demonstrate paqësore janë distancuar qartë prej këtyre skenave. Unë besoj, se imazhi i Gjermanisë do të varet nëse qytetaret dhe qytetarët me shumicë të madhe do të thonë, se dhuna nuk është mjet për realizimin e qëllimeve. Kjo duhet të jetë e qartë."

  • Një ndër kritikat e protetstuesve kundër këtij samiti ka të bëjë edhe me pikëpyetjet që vihen lidhur me dobinë e të tilla veprimtarive gjigande dhe me shpenzime kolosale. Ka gjithashtu zëra të shumtë që komentojnë, se takime të tilla midis të mëdhenjve që zhvillohen në ambjente të izoluara krejtësisht nga publiku, nënkuptojnë largimin e politikanëve nga populli. Lidhur me këtë Merkel tërheq vëmendjen, se:

"Unë nuk besoj se është kështu. Natyrisht që këto reagime janë aspekte shoqëruese që nuk më gëzojnë. Por dua të theksoj, se është e rëndësishme që politikanët drejtues të vendeve të mëdha ulen së bashku për të shkëmbyer mendime në një tryezë. Eshtë e pamjaftueshme që të bisedohet vetëm në telefon midis dy personave. Ne duhet të ulemi edhe së bashku për të diskutuar, se si mund ta konceptojmë globalizimin në mënyrë sa më humane. Nga ana tjetër kritikët e globalizimit janë njëkohësisht për ne edhe një nxitje, që ne të kujdesemi për globalizimin human. Kjo do të thotë pra se ne kemi një shkëmbim ideshë dhe një proces diskutimi në vigjilje të një samiti të tillë. Ndaj dhuna nuk duhet ta shkatërrojë këtë proces, sepse shumë njerëz angazhohen për Afrikën, për çështje të rëndësishme dhe kjo duhet të jetë në plan të parë."

  • Kancelarja Merkel ka vendosur qëllime ambicioze sa i përket mbrojtjes së klimës dhe ajo synon që në samitin e G8-ës të merren vendime të qarta në nivel ndërkombëtar. Por midis vendeve të industrializuara nuk ka unanimitet sa u përket masave të detyrueshme për reduktimin e emisioneve të dioksidit të karbonit. E pyetur, nëse ka mundësi që të arrihet në unanimitet midis shtatë vendeve të industrializuara dhe Rusisë në samitin e G8-ës, Merkel përgjigjet:

"Unë e kam theksuar, se ne nuk do të pranojmë kompromise të paqëndrueshme dhe nuk duam të vendosim askënd me shpatulla pas murit. Ne duam që bashkarisht të ecim përpara. Evropa ka për këtë vendime shumë të qarta. Ka edhe të dhëna shkencore, të cilave nuk mund t´u shmangemi. Ndaj jam e gëzuar, që presidenti i ShBA i ka pranuar të dhënat shkencore ashtu si edhe të tjerët. Ai ka propozuar tani iniciativën e vet për mbrojtjen e klimës. Për mua është e padiskutueshme, që e gjitha kjo më pas duhet të kurorëzohet në një proces të OKB-së. Nuk duhet të harrojmë, se ShBA qoftë nën presidentin republikan Bush, qoftë edhe nën demokratët i kanë lënë lamtumirën procesit të OKB-së. Nëse tani ne ia dalim që sërish procesi të kalojë në OKB, ky është një sukses i madh. E për këtë ne jemi duke punuar."

  • Një tjetër temë me prioritet në samitin e G8-ës në Heligendam është edhe Afrika. Ç´sinjal synon të japë kjo konferencë në këtë drejtim? Lidhur me këtë kancelarja Merkel thekson:

"Ne u përmbahemi premtimeve që kemi dhënë për të luftuar varfërinë në Afrikë. Njëkohësisht ne presim prej partnerëve afrikanë edhe që paratë e ndihmave të jenë të prekshme nga njerëzit, që qeverisja të jetë transparente. Ne duam të jemi korrekt me Afrikën, por nga ana tjetër nuk duhet që në Afrikë të ketë korrupsion. Për këtë ne duam të forcojmë edhe institucionet që çojnë përpara bashkëpunimin midis shteteve afrikane."