1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të mërkurën

22 Shkurt 2012

Raundi i ri i dialogut Prishtinë-Beograd është shtyrë për sot (22.02.). Sipas burimeve të BE është anuluar fluturimi nga Vjena për në Bruksel me të të cilin është dashur të udhëtojë delegacioni nga Kosova

https://p.dw.com/p/147JW
Fotografi: picture-alliance/dpa

Raundi i parë i dialogut Kosovë – Serbi për këtë vit duhet të fillonte të martën, por delegacioni i Kosovës është vonuar. Dy tema kryesore të bisedimeve do të jenë përfaqësimi i Kosovës në takimet rajonale dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kalimeve kufitare.

Raundi i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit pritet me një optimizëm të matur në Bruksel. Tema e parë e takimit i cili tani për tani është planifikuar të përfundojë në të njëjtën ditë është zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, përfshirë këtu edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, përkatësisht pikëkalimeve kufitare e arritur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Në Bruksel theksohet se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një çështje që kërkon kohë, para dhe legjislacionin e duhur në mënyrë që nga një marrëveshje politike të kalohet në funksionin praktik të saj: "Nuk do të kishte nevojë për arritjen e një marrëveshje në qoftë se ajo nuk zbatohet. Ka pasur një progres të rëndësishëm në zbatim, por ka ende shumë për tu bërë. Fokus të veçantë do të kemi në çështjen e IBM ( Menaxhimit të Integruar të Kufijve), ku ne duhet që një marrëveshje politike ta kthejmë në marrëveshje operacionale", tha lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper.

Në foto, Robert Cooper
Në foto, Robert CooperFotografi: CC-BY-EU

Shumë detaje teknike janë duke u harmonizuar në këtë drejtim dhe në Bruksel thonë se bëhet fjalë për një model IBM i cili tashmë ekziston, por që do të duhet t'i përshtatet marrëdhënieve të veçanta midis Beogradit dhe Prishtinës.

Sa e rëndësishme është fusnota?

Kur është fjala për temën e dytë të bisedimeve, përfaqësimin rajonal të Kosovës, në Këshillin e BE-së mund të dëgjohen zëra se një marrëveshje për këtë çështje mund të arrihet shumë shpejt. Jozyrtarisht thuhet se palët nuk do të thirreshin në raundin e ri të dialogut në qoftëse nuk do të kishte përafrim të qëndrimeve mes palëve për këtë çështje: "Vetë BE-ja është themeluar mbi parimin e bashkëpunimit rajonal. Politika jonë në Ballkan në 10 vitet e fundit apo më shumë, përshkruhet si evropianizim dhe bashkëpunimi rajonal është një pjesë e rëndësishme e saj. Nëse ne jemi të suksesshëm për pjesëmarrjen e plotë të Kosovës atëherë bashkëpunimi rajonal do të jetë më efikas, gjë që është e mirë për rajonin dhe për Kosovën", thotë Cooper.

Ndërkohë që tek të dy palët në dialog, si dhe në media më së shumti flitet për shtesat, të cilat duhet të japin një shpjegim për pozitën me të cilën do të përfaqësohet Kosova, në Bruksel thonë se ato nuk janë të rëndësishme. Sipas Brukselit, me rëndësi është thelbi i marrëveshjes. Megjithatë, si shumë herë deri tani, duhet të mirret parasysh se ishin pikërisht detajet ato të cilat paralizuan zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjeve.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP/Montage DW

Vazhdimi i dialogut në Bruksel dhe me të jetësimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të vendkalimeve kufitare dhe përfaqësimi rajonal i Kosovës janë dy nga tre parakushtet të vendosura nga BE-ja për Serbinë në dhjetor, që ajo të fitojë në mars statusin e saj të kandidatit për antarësim. Kushti i tretë i nevojshëm nuk zgjidhet në Bruksel por në terren ku EULEX-i edhe më tej vazhdon të argumentojë se nuk ka një qasje të vazhdueshme dhe të pakushtëzuar në veri të Kosovës.


Autorë: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama