1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu për kthimin e përsonave të zhvendosur

Bekim Shehu10 Qershor 2005

Në Prishtinë u zhvillua takimi i dytë i grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për personat e zhvendosur, në kuadër të dialogut shqiptaro-serb. Kryesuesi i takimit thotë se bisedat ishin konstruktive.

https://p.dw.com/p/AqkY
Fotografi: AP

Cështja e kthimit të personave të zhvendosur nga Kosova dhe problemi i pronave të tyre, ishin dy pikat kryesore që u diskutuan në Prishtinë, në mes grupit punues shqiptar nga Kosova dhe atij serb nga Beogradi. Të dy delegacionet janë pajtuar që kjo cështje të trajtohet si një problem humanitar dhe jo politik. Mirëpo, "kthimi i qëndrueshëm duhet të ketë një vendim politik dhe gatishmëri të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e tij".
Kryesuesi i takimit shqiptaro-serb për kthimin e të zhvendosuve, Godfred Kucner, nga Komesariati i Lartë për Refugjatë, organizatë kjo ndërmjetësuese e dialogut shqiptaro-serb, tha se bisedat në Prishtinë, ishin konstruktive dhe është shfaqur gatishmëri për krjimin e një strategjie të përbashkët për kthim. Mirëpo, nuk është diskutuar cështja e numrit të personave të zhvendosur të cilët duhet të kthehen. Tash për tash ekzistojnë tri lista të personave të zhvendosur, një nga pala e Beogradit, një nga Prishtina dhe një nga UNHCR-ja, të cilat janë shumë të ndryshme njëra me tjetrën. Megjithatë, ky problem për zotin Kucner, nuk është pika kryesore për të cilën duhet diskutuar tash.
"Cështja e numrit të personave që duhet të kthehen nuk ka qenë pjesë e bisedave. Mendoj se këtu duhet të flasim për një problem humanitar. Ka pasë një regjistrim nga komuniteti ndërkombëtar por, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë regjistrim tjetër në të ardhmën. Tash, ekziston dakordimi nga të dyja grupet punuese se duhet të ketë një vendim politik që të gjithë personat e zhvendosur të kthehen në Kosovë. Ndërsa puna e grupeve punuese është që ta hartojnë planin e kthimit në mënyrë që autoritet në praktikë ta implementjonë këtë vendim", tha Godfred Kucner.
Kthimi nuk është vetëm shifra, kthimi duhet të jetë realitet dhe i qëndrueshëm, ku njerëzit duhet të jëtojnë këtu, të kenë liri të lëvizjes dhe qasje në shërbime publike dhe kjo është sfida më të cilën duhet të përballen autoritet dhe qytetarët e të gjitha etniteteve. Për këtë janë pajtuar të dy grupet punuese. Eshtë përgjegjësi e autoritetve të Prishtinës dhe Beogradit që ta jetësojnë kthimin e personave të zhvendosur. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës disa herë janë shprehur në favor të kthimit të personave të zhvendosur. Mirëpo, që ky kthim sipas tyre të bëhet në mënyrë graduale dhe jo në mënyrë masive. Tash e gjashtë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë janë kthyer rreth 12 mijë persona, shumica nga ta pjestar të komuniteti serb. Me këtë ritëm të ngadalshëm nuk janë të kënaqura asnjëra nga autoritet, ato ndërkombëtare, autoritet e Beogradit por as të Prishtinës. Zyrtarët e të dy grupeve punuese, të Prishtinës dhe Beogradit, të cilët nuk u prononcuan për media, sipas kryesuesit të bisedave kanë kërkuar që kthimi i të zhvendosurve të ndodhë më shpejt dhe për këtë ato përgjegjëse bëjnë, institucionet e Kosovës, UNMIK-ut por edhe autoritet e Beogradit.