1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diplomacia me shqiptarët: Jo para orës tetë

27 Tetor 2011

Ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Mueller Holtkemper dhe publicisti Ardian Klosi të ftuar në Regensburg në tryezën: “Politika gjermane në Shqipëri: Të veprosh në një vend mes dinamikës dhe bllokadës së brendshme."

https://p.dw.com/p/130Ly
Referuesit në Regensburg
Referuesit në RegensburgFotografi: DW

Dita e saj fillon para orës tetë. Carola Mueller Holktemper preferon të shtojë: „Ndryshe nga kolegët tanë shqiptarë, të cilët në atë kohë nuk gjenden në zyrë.“ Për një ambasador perëndimor në Shqipëri prania në mediat kryesore të vendit është pjesë e së përditshmes. Edhe për Mueller-Holtkemperin. Që nga viti 2010 ajo është ambasadore e Gjermanisë në Tiranë dhe ka vënë re se „interesimi i opinionit publik për mendimin e ambasadorëve të huaj është shumë më i madh, se ç'mund të përfytrohet“. Mueller Holtkemper ishte ftuar të enjten në Regensburg në ambientet e Institutit Suedost në një tryezë për politikën gjermane në Shqipëri.
Ardian Klosi, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës në bisedën e moderuar nga zëvendësdrejtori i institutit, historiani Conrad Klewing, për të treguar prejardhjen e interesimit të madh të opinionit për ambasadorët perëndimorë kujtoi një fakt nga historia: „Edhe vetë vendimi për njohjen e shtetit shqiptar është marrë nga një konferencë ambasadorësh.“ Por edhe historia e njëzetë vjetëve të fundit ka treguar se në shumë raste konfliktesh ambasadorët kanë ndërhyrë me sukses për t'i zgjidhur ato. Klosi megjithatë ishte i mendimit se shumë medie e teprojnë duke vendosur si lajm të parë deklaratën e një ambasadori perëndimor.



Që ambasadorët perëndimorë në Shqipëri janë të pranishëm në media, ky është fakt. Se sa u dëgjohet fjala e tyre, kjo është çështja tjetër. Carola Mueller Holtkemper është në përgjithësi e kënaqur me bashkëpunimin, por kujton një debat të zhvilluar rreth fshatit malor në veri të Shqipërisë, Thethit, ku qeveria, në vend që të siguronte aty furnizimin mjekësor, preferoi të çlironte investitorët nga tatimet. Këto janë raste, ku për shembull ne nuk na ecën fjala, tha diplomatja gjermane, që ka përfunduar studimet për ekonomi.

Bllokadë dhe dinamikë

Para se të shkonte në Shqipëri 54-vjeçarja kishte qenë në disa vende arabe dhe të Lindjes së Mesme, por ajo nuk preferon të bëjë krahasim mes tyre dhe Shqipërisë. Perceptimi i saj për Shqipërinë: Një vend me politikë tejet të polarizuar, ku ka edhe struktura patriarkale e klanesh. Sidomos në prag të zgjedhjeve polarizimi politik çon deri në bllokadë, të cilën e ndjen edhe ambasada gjermane: „Grindjet mes tyre bëjnë që të bllokohen edhe kanalizimet tona.“ Krahas energjisë dhe administratës, ndërtimi infrastrukturës ujore është një nga tre prioritetet kryesore të ndihmës gjermane në Shqipëri.

Ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Mueller Holtkemper
Ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Mueller HoltkemperFotografi: DW



Shqipëria i ka të dyja: bllokadën politike dhe dinamikën. Për Ardian Klosin një dinamikë jo pozitive: Ambientalisti pa parti kujtoi me pesimizëm shkretimin e zonave rurale në veri e në jug të Shqipërisë dhe përqendrimin e popullsisë në Tiranë. Ekonomistja Mueller-Holtkemper ndërhyri me një këndvështrim „pa emocione“ , siç tha ajo: „Problemi i çpopullimit është një fenomen, që haset edhe në territoret e ish-Gjermanisë Lindore. Por në Shqipëri ai vështirësohet për shkak të paqartësisë mbi pronat, sepse për fat të keq në Shqipëri nuk mund të thuhet me siguri se kujt i takon një cope tokë.“

Holtkemper ka përjetuar edhe një Shqipëri tjetër: Atë të vitit 1982. Jo si diplomate, por si turiste private. Prandaj edhe vështrimi i saj ndaj problemeve të Shqipërisë është i relaksuar: Shqiptarët kanë nevojë për kohë, ata kanë dalë nga një diktaturë staliniste tepër e vështirë“, thotë ajo, edhe pse nganjëherë do të dëshironte që të paktën, kur ka vizita zyrtare nga Gjermania dhe duhet ndryshuar me shpejtësi programi, kolegët e protokollit të ministrisë së Jashtme të shkojnë në punë që në orën tetë.

Autor: Anila Shuka

Aridan Klosi, geboren 1957, ist Publizist und eine Aridan Klosi, geboren 1957, ist Publizist und einer der aktivsten Mittler zwischen dem deutschsprachigen Raum und Albanien. hier bei der Veranstaltung: Aussenpolitik live: "DEUTSCHE ALBANIENPOLITIK. AGIEREN IN EINEM LAND ZWISCHEN DYNAMIK UND INNENPOLITISCHER BLOCKADE“ Foto: Anila Shuka --
Publicisti Aridan Klosi,Fotografi: DW

Redaktoi: Angjelina Verbica