1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diskutimi për veprimet e fshehta të CIA-s në Evropë

6 Dhjetor 2005
https://p.dw.com/p/ArsV
Ish ministri i brendshëm Otto Shily ndodhet në qendër të kritikave.
Ish ministri i brendshëm Otto Shily ndodhet në qendër të kritikave.Fotografi: AP

Informacionet që qarkullojnë prej javësh për burgjet e fshehta të CIA-s dhe tranportet e të dyshuarve për terrorizëm kanë rënduar marrëdhëniet transatlantike. Kjo temë preket sot gjeresisht nga gazetat gjermane, kur ministrja e jashtme e SHBA viziton Gjermaninë.

"Eßlinger Zeitung"

"Prej kohësh në luftën në Irak si dhe në luftën mbarëbotërore antiterror SHBA përdorin metodat e vetat shumë të dyshimta përsa u përket të drejtave të njeriut. Guantanamo, torturat në burgjet e Bagdadit dhe informacionet e herëpashershme për civilë të vrarë në sulmet ajrore ndaj objektivave të terroristëve kanë dëmtuar shumë imazhin e administratës amerikane. Megjithatë edhe vizita në Evropë e ministres së jashtme amerikane Rice, do të sjellë pak në sqarimin e operacioneve të CIA-s."

Sipas gazetës Uashington Post në vitin 2004 ish ministri i brendshëm Otto Schily duhet të jetë informuar për transportimin e një gjermano-libanezi nga CIA:

Thüringer Allgemeine analizon kështu:

"Kjo ishte një e shtënë paralajmëruese. Fare qartë para vizitës së ministres së jashtme amerikane Condolleza Rice, gjermanëve iu dha të kuptohet që të mos e hapin gojën shumë për fluturimet e CIA-s me të dyshuar për terrorizëm. Kështu Uashington Post pohon se qeveria e Berlinit ka qenë së paku në dijeni. Përmendja e ish ministrit të brendshëm të Schrëderit mund të ketë qenë një llogari e vjetër dhe ndoshta edhe perpjekje për të mos krijuar menjëherë probleme tek Angela Merkel. Por kush i njeh zinxhirët e informacionit, shkon nga Otto Shily tek Frank- Walter Steinmeier, i cili dikur minister në zyrën e kancelarit ka tani postin e ministrit të jashtëm."

Ish ministri i brendshëm gjerman Otto Shily po bie gjithnjë e më shumë në breshërinë e kritikave. Si politikanë të qeverisë ashtu edhe të opozitës kanë kerkuar prej tij që të sqarojë se ç´di dhe ç´rol ka luajtur në këtë aferë.

Mannheimer Morgen

"Otto Shily, që përndryshe nuk përton të pronocohet në televizion hesht dhe hesht dhe nuk e rregullon kështu aspak punën. Nëqoftëse nuk arrin, që t´i hedhë poshtë shpejt akuzat, qeveria e mëparshme edhe pse postum do të ketë një skandal të madh në kurriz. Atëherë ndoshta Gerhard Schrëder, Joshka Fischer dhe edhe ministri i ri Frank-Walter Steinmeier do të kishin për të shpjeguar shumë gjëra. Angela Merkel nuk ka interes që konflikti të acarohet. Për të çështja do të bëhej delikate, sikur të dilte që edhe ministri i saj i jashtëm Steinmeier dinte më shumë, se ç´duket tani. Për këtë Shili duhet ta thyejë heshtjen. Por i moshuari i parlamentit duket se vepron kesaj rradhe sipas parimit të Kohlit, të rrimë e të presim."

"Märkische Allgemeine"

"Afera për transportet ilegale të personave nga shërbimet amerikane hap më shumë pyetje, se sa ka përgjigje. Kush dhe nga e di se kush gjendej në avionet e inkriminuar amerikanë? Kush informoi, kur dhe cilët sherbime gjermane dhe për çfarë? Nëqoftëse është e vertetë se edhe hetuesit gjermanë kanë marrë në pyetje të burgosur ilegalë amerikanë në Siri, atëherë retorika e zemëruar e qeverisë së mëparshme do të ishte një mashtrim mjaft i paturp i opinionit. Dhe nëqoftëse zëdhënësi i qeverisë thotë, se duhet pyetur së pari Uashingtoni, nëse ka patur fluturime, përpara se të hetohet se çfarë dinë politikanët gjermanë, kjo e kalon kufirin që pranon opinioni. Këtu duhen zbuluar të berat dhe jo të pyeten amerikanët se çfarë mund të dihet."

"Augsburger Allgemeine"

"Përse e ashtuquajtura "Evropë e re e Lindjes" u vu menjëherë në shërbim dhe lejoi mbajtjen e paligjshme të të burgosurve në tokën e saj? Dhe Gjermania jonë zonjë? Stacion kalimi për transportet e të burgosurve! Dhe qeveria jonë? Jo aq e paditur siç tregohej. Evropë e dobët hipokrite! Amerika bën punën e saj të ndyrë dhe ne zemërohemi një çikë, sepse jemi një çikë të pastër. Një skandal pa heronj."


"Ostsee Zeitung" e sheh çështjen në një tjetër këndvështrim:

"Një gjë nuk duhet harruar: Bëhet fjalë për luftë ndaj kundërshtarëve të regjur dhe të rrezikshëm. Për terroristë që shpesh janë në gjendje të përdorin jetën e tyre si armë. Fundja është fjala për mbrojtjen e popullsisë nga armiq tinëzar, të vendosur, konspirativ. Ai ka kohë që nuk godet vetëm në Izrael apo Egjipt. Edhe në Evropë. Sulme në Stamboll, Madrid dhe Londër, me qindra të vdekur dëshmojnë këtë rrezik të përhershëm." përfundon gazeta Ostsee Zeitung.