1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diskutohet tërheqja e trupave nga Bosnje-Hercegovina

Bernd Gresler30 Tetor 2006

Bundesveri ndërkohë ndodhet në qendër të vëmendjes për disa arsye. Bëhet fjalë për fotografitë e shëmtuara të ushtarëve gjermanë në Afganistan, për detyrat e marinës gjermane në brigjet libaneze, si dhe për çështjen nëse forcat e armatosura të Gjermanisë janë të mbingarkuara.

https://p.dw.com/p/Aqyt
Ushtari Bundeswehrit, Bosnje
Ushtari Bundeswehrit, BosnjeFotografi: AP

Në Berlin siç duket është kuptuar rreziku, se me misionet e Bundesverit jashtë vendit ushtria po shpërndahet shumë duke i tejkaluar kapacitetet e veta. Ministri i mbrojtjes, Franc-Jozef Jung synon shkurtimin e kontigjentit në Bosnje-Hercegovinë, ku trupat janë të dislokuara qysh nga viti 1995: "Në Bosnje-Hercegovinë situata është e tillë, pas zgjedhjeve që patën një rrjedhë shumë të mirë, po vazhdon stabilizimi i mëtejshëm. Në dhjetor ne duam të bisedojmë lidhur me atë, se si qëndron puna me "exit strategie", ç´ka do të thotë tërheqjen. Eshtë në fokus një plan me disa etapa dhe do të ketë shkurtim të trupave."

Tërheqja duhet, sipas ministrit Jung, të fillojë qysh në dhjetor. Në një etapë të caktuar mund të thuhet, se detyra është përmbushur dhe mund të largohemi nga ky vend, thekson ministri Jung. Në Bosnje-Hercegovinë më 3 tetor u zhviluan zgjedhjet, në të cilat sërish partitë nacionaliste dolën kryesuese. Gjendja kohët e fundit konsiderohet e qetë, megjithatë njohësit e rajonit tërheqin vëmendjen, se çdo kohë mund të shpërthejnë përsëri trazira.

Por nuk është vetëm ministri kristiandemokrat i mbrojtjes Jung ai që shprehet, se në aspektin ushtarak misioni nuk është më i justifikuar. Ish-ministri socialdemokrat i mbrojtjes, Peter Struk, sot kryetar i fraksionit parlamentar në Bundestag, mendon, se lufta ka 11 vjet që ka mbaruar dhe shumë detyra në Bosnje-Hercegovinë mund të merreshin përsipër nga policë të vendeve të tjera. Kryetari i shoqatës së Bundesverit, Bernd Gertz, e përshëndeti këtë deklaratë: "Po ka ardhur koha që të largohemi, ne ndodhemi në Bosnje qysh nga viti 1995, më parë kemi qenë në Kroaci. Rindërtimi civil ka përparuar. Ajo që mbetet atje është më së shumti një detyrë e policisë, e me siguri jo më një detyrë për ushtrinë."

Shefi i sindikatës së ushtrisë, ashtu si edhe politikani socialdemokrat Struk, mendon se është e përshtatshme që të verifikohet edhe mandati në Kosovë, sapo të avancojë çështja e statusit. Në Kosovë aktualisht janë të dislokuar 2.900 ushtarë të Bundesverit. Gjithsej ushtria gjermane ka vënë në dispozicion të misioneve ndërkombëtare mbi 9.000 ushtarë, ndër to në Afganistan, në Kongo dhe në brigjet e Libanit. Në afat të gjatë qeveria dëshiron, që Bundesveri të pajiset me personel dhe financiarisht në mënyrë që njëkohësisht të dërgohen 14.000 ushtarë në pesë misione.