1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë të rrezikshme në rajonet palestineze: Reportazh në fillim të fushatës zgjedhore për zgjedhje presidenciale

Betina Marks27 Dhjetor 2004

Para zgjedhjeve presidenciale në 9 janar të vitit 2005 në zonat palestineze - dëshira për paqen në Lindjen e Mesme është shumë e madhe nga të dyja palët. Nga një sondazh i organizuar nga Universiteti i Tel Avivit, doli qartë se 70% e izraelitëve pas vdekjes së Arafatit shohin me optimizëm në të ardhmen. Por edhe në zonat palestineze njerëzit janë të lodhur nga dhuna. Sipas Qendrës palestineze të Politikës, 85% e njerëzve atje synojnë të shkojnë në kutitë e votimit pavarësisht thirrjes së radikalistëve për bojkotim të zgjedhjeve

https://p.dw.com/p/ArRK


Muhamedi është një djalë shtatëvjeçar, i vogël për moshën e tij si të gjithë fëmijët në Rripin e Gazës, të cilët vuajnë nga varfëria. I ndrojtur ai tregon kurrizin e dorës ku mund të shohësh shenjën e një plage. Pikërisht këtu e goditi Muhamedin copëza e një granate, gjatë orës së fiskulturës.
"Mësuesi na kishte thënë të shkonim në oborrin e shkollës dhe të merreshim me ushtrime, kur sapo kishim filluar ne tw luanim, ra një granatë në oborr."
Shkolla e Muhamedit është nga fundi i kampit të refugjatëve të Khan Yunis, në Rripin e Gazës fare pranë bllokut të banimit izraelit, i njohur me emrin Gush Katif. Shpesh këtu ka shkëmbime zjarri mes palestinezëve dhe izraelitëve, dhe viktima qëllojnë që janë fëmijët. Si shtatëvjeçarja Rana Sijam, e cila u godit nga në plumb ndërsa po hante drekën me familjen e saj. Babai i Muhamedit tregon se qysh nga shpërthimi i granatës, Muhamedi bën gjumë të keq:
"Ai është gjithmonë i lodhur, por natën nuk fle mirë dhe zgjohet shpesh. Ka frikë dhe më kërkon që unë të shkoj në shkollë dhe të marr mësimet e tij. Nuk do të shkojë më në shkollë. Ai thotë se ne i kemi sjellë ata në jetë me qëllim që të shkojnë në shkollë dhe të vdesin. Fëmijët janë të terrorizuar nga këto sulme thekson edhe nëna e Muhamedit Hala. Ne përpiqemi që të qetësojmë fëmijët, tu japim shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Por më e mira do të ishte që shkolla të ishte në një vend të sigurtë. Por ku të shkojë Osama dhe Hala, me ato pak të ardhura që kanë ata as nuk mund të ikin me shtëpi diku tjetër. Përveç kësaj gjithkund në Rripin e Gazës ekziston rreziku.
"Ne nënat kemi shumë frikë, kur shkolla organizon ndonjë eksursion. Sepse rreziku përgjon gjithkund"- thotë Hala.

"Ajo çfarë ne dëshirojmë dhe ëndërrojmë për fëmijët tanë është, që ata të kenë siguri dhe një të ardhme të lumtur."

Hala shpreson që trupat izraelite të tërhiqen vitin e ardhshëm nga Rripi i Gazës, ashtu siç ishte planifikuar, dhe që jeta e saj edhe e fëmijëve të saj të jetë më e sigurtë. Bashkëshorti i saj, Osama ka shumë shpresë tek zgjedhjet e reja presidenciale në janar:
"Ne kemi shpresë nga këto zgjedhje dhe që izraelitët ti japin fund pushtimit të Gazës dhe të shpërngulen nga ngulimet e atjeshme."

Por nuk mjafton vetëm tërheqja e izraelitëve nga Rripi i Gazës. Këtë e bëri të qartë edhe kandidati palestinez për president, Mahmud Abaz. Në fundjavën e shkuar ai hapi fushatën zgjedhore përmes një mitingu të transmentuar live në Ramallah. Abaz foli me një ton të ashpër. "Tërheqja nga Gaza dhe nga disa rajone të Jordanisë perëndimore është një pjesë e rëndësishme e tërheqjes së plotë, mbi të cilën ne do të diskutojmë në fund të kësaj. Shumë vetë thonë se Izraeli do të tërhiqet nga Gaza dhe se ky vedn pastaj do të shkëputet nga pjesa tjetër. Por kjo nuk duhet të ndodhë kurrsesi"- theksoi Mahmud Abaz.