1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita botërore e rinisë & SHBA, Irani dhe fushata elektorale në Gjermani & Siguria e fluturimeve ajrore

VFB15 Gusht 2005

Temat që komentojnë gazetat e sotme janë: dita botërore e rinisë që zhvillohet për herë të parë në Gjermani. Deklarata e SHBA në adresë të Iranit dhe qëndrimi refuzues i kancelarit Shrëder ndaj një lufte të re. Duke marrë shkas nga rëzimi dje i një avioni pasagjerësh në afërsi të Athinës, analistët fokusojnë edhe normat e sigurisë në trasnportin ajror.

https://p.dw.com/p/AruG
Pelegrin të rinj në Këln në ditën botërore të rinisë
Pelegrin të rinj në Këln në ditën botërore të rinisëFotografi: dpa

Lidhur me ditën botërore të rinisë "Neue Westfälische" shkruan: "Dita botërore e rinisë tregon, se Zoti nuk është harruar. Ajo tregon gjithashtu, se institucioni i kishës ka një shans mbijetese, nëse hap portat dhe veshët për shqetësimet dhe interesat e rinisë. Papa Benedikti i XVI duket se e ka kuptuar këtë, kur thotë, që nuk do t´i kundërvihet pikëpamjes, se krishtërimi përbëhet vetëm nga udhëzimet për atë që lejohet dhe atë që nuk lejohet. Butësi në vend të rreptësisë, besim në vend të kërcënimit: nëse do të ishte ky programi i Papës gjerman, atëherë mund të kemi edhe më shumë shpresa", vëren "Neue Westfälische".

Në të përditshmen "Esslinger Zeitung" komentohet: "Ratcinger, Papa Benedikti i XVI, ka tendecën që ta damkosë si "relativizëm" çdo kritikë në adresë të institucionit të kishës. Por vizitorëve të rinj në Këln do t´u duhet të relativizojnë në ditën botërore të rinisë. Sepse suket se vetëm kështu mund të kapërcehet kontradikta e madhe e qëndrimit radikal-konservator të Ratizgerit dhe pragmatizimit që i duhet të tregojë ai në jetën e përditshme. E me sa duket vëmendja fokusohet më shumë tek ajo që ofron feja, se sa tek ajo që feja e ndalon", shkruan "Esslinger Zeitung".

Në gazetën "Handelsblatt" komentohet qëndrimi refuzues i kancelarit Gerhard Shrëder tani në valën e fushatës elektorale në Gjermani, ndaj deklaratave të presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, adresuar Iranit. "Mendimet mund të jenë të ndryshme lidhur me përdorimin e dhunës si mjet të politikës edhe tani në epokën e terrorizmit. Megjithatë Shrëder e di, se goditja kundër Iranit as që shtrohet për diskutim dhe SHBA ndërkohë nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë as poliitkisht dhe as ushtarakisht. Gjithashtu kancelari e di, që asnjë president i SHBA pas 11 shtatorit nuk mund ta përjashtojë angazhimin e ushtrisë për t´u vetëmbrojtur. Megjithatë Shrëder e keqpërdor deklaratën e Bushit, për të fituar sërish pikë në luftën elektorale. Me këtë ai rrezikon sërish dhe më së shumti vendosmërinë e Perëndimit, e vetmja gjë që mund ta bënte Iranin të tërhiqej nga programi bërthamor. Fakti që kancelari njëkohësisht theksoi edhe unitetin me SHBA mbi këtë çështje, me siguri që i tingëllon si shpoti Uashingtonit. Nëse Shrëder vërtetë ka marrë shkas nga deklarat e Bushit, atëherë ai duhej të kapte telefonin dhe jo mikrofonin", nënvizon "Handelsblatt".

Duke komentuar çështjen e unitetit brenda aleatëve të NATO-s gazeta "Landeszeitung" analizon: "Harmonia transatlantike sërish ka marrë fund, përpjekjet diplomatike të BE-së po pësojnë një goditje të rëndë. Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, po demonstron forcën duke e kërcënuar Iranin në grindjen atomike me mjete ushtarake. Në të njëjtën ditë, në Uashington u bë publik vlerësimi, se në Irakun fqinj kishim të bënim me shpresa të ekzagjeruara dhe se si rjedhojë duhet t´i lajmë duart prej "demokracisë model" të proklamuar në perandorinë e dikurshme të diktatorit Sadam Husein. Karta ushtarake nuk ecën, siç theksoi edhe Gerhard Shrëder në hapje të fushatës elektorale të partisë socialdemokrate. Në kombet që mbajnë vulën e islamizmit nuk mund të imponohen me dhunë përfytyrimet perëndimore. Por kërcënimi i SHBA e vë nën presion kohor BE-në në ec e jaket e tensionuara me Teheranin. Kjo pasi rjedha e ngjarjeve sjell jo vetëm në kujtesën e diplomatëve evropianë fatalen e qëndrimit amerikan përpara luftës së Irakut", komenton "Landeszeitung".

Dhe së fundi një citat nga artikulli i së përditshmes "Stuttgarter Zeitung" lidhur me sigurinë e fluturimeve: "Në morinë e pakontrollueshme të shoqërive ajrore siç duket ka edhe drunj të shtrembër që nuk e vlerësojnë me seriozitet sigurinë. Avioni qipriot çarter i rëzuar dje në afërsi të Athinës është nisur edhe pse ka pasur një defekt në impiantin e klimatizimit. Një akuzë kjo që Brukseli e vuri që dje në plan. Deklarata e komisionerit për komunikacionin Zhak Barro, për zbatimin e standardeve më të larta në të gjithë BE-në, lë të kuptohet se ka nevojë për të riparuar shumë gjëra të lëna pasdore. Kërkohet veprim i shpejtë. Në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet që për hir të etjes për fitim të injorohet siguria e fluturimeve", vëren "Stuttgarter Zeitung".