1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171108 Opel GM

Lindita Arapi18 Nëntor 2008

Në vitin 1929 koncerni amerikan, General Motors bleu fabrikën atëherë më të madhe gjermane të automjeteve, Adam Opel AG. Aktualisht në Gjermani Opeli ka pesë fabrika që rrezikohen.

https://p.dw.com/p/Fx87
OpelFotografi: AP

Koncerni i automjeteve Opel i ka punët keq, me sa duket shumë keq. Shumë koncerne të tjera janë të cënuara nga kriza, por Opeli mund të gjendet para mundësisë së falimentimit. Ekxperti i automjeteve, Dudenhofer (Ferdinand Dudenhöffer) shpjegon pse: “Sepse Opeli 100 përqind i takon General Motors, ndërkohë që ky koncern po lufton për të mbijetuar.”

Të premten kreu i firmës, Adam Opel GmbH Hans Demant doli para gazetarëve dhe tha: “Ne e kemi diskutuar sot këtë çështje dhe në qoftë se problemet e koncernit amë në SHBA vërshojnë edhe në koncernin tonë, është e mundur që të na dalë garant shteti gjerman me qëllim që Adam Opel GmbH të mbijetojë.”

Angela Merkel u.a. zu Hilfen für Opel PANO
Merkel i premtoi Opelit të hënën (17.11.) ndihmë nga shtetiFotografi: AP

Përpjekje për rrugëdalje nga kriza

Rënia dramatike e shitjes dhe vështirësitë me kredi në koncernin amë General Motors dëshmojnë se koncerni më i madh i automjeteve në botë i ka punët shumë ngushtë. Në rast falimentimi të tij, punët shumë ngushtë do t'i kenë edhe koncernet simotra Opel dhe Saab. Fitimet e Opelit deri tani kanë kaluar në General Motors, sipas një procedure jotransparente, sepse koncerni i ka ndarë firmat sipas rajoneve.

Opeli i përket pjesës së firmës me emrin “GM Europe”. Dudenhofer: “Kemi pra një strukturë të komplikuar të nënsipërmarrjeve në Evropë. Prandaj ndarja e Opelit si koncert më vete, në fakt nuk është fare e mundur.”

Politikanët dhe krerët e koncernit po përpiqen të gjejnë rrugëdalje nga kjo situatë, por Dudenhoferit vetë Opeli është fajtor. “Opeli ka punuar mirë në dy vjetët e fundit, kur ka nxjerrë prodhime të reja me cilësi të lartë. Mirëpo kur shikohen rezultatet e pjesës së koncernit "GM Europe", shihet se prej vitit 2000 ka pasur vetëm humbje.”

Koncernet si ky i General Motors janë një e kaluar, ndëkohë që ato moderne janë më të vogla, të specializuara dhe të gatshme për zhvillim. “Një shembull i mirë është Peugot-Citroen, i cili megjithë vështirësitë e dhjetë viteve të fundit, ka shënuar rezultate të mira. Pra duket se po i vjen fundi kohës së dinosaurëve , të cilët i bëjnë të gjitha në treg.”

Krerët e Opelit tani po mendojnë se çfarë do të bëhet pas kohës së GM. A është e mundur që dikush thjesht të blejë koncernin Opel? Ekspertët thonë se kjo është pak reale, sepse vështirë që do të ketë interesentë për një koncern me ngarkesa kaq të mëdha. Duhet zbuluar pra një lloj Opeli i ri, ndërkohë që koha po kalon shumë shpejt.