1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Donald Rusmfeld jep dorëheqjen

Daniel Sheshkevic10 Nëntor 2006

Presidenti amerikan Xhorxh Bush e ndjeu konsekuencën e parë radikale të humbjes së zgjedhjeve të partisë së tij që tani dhe e zëvendësoi ministrin e tij të brendshëm Donald Rumsfeld me ish shefin e Shërbimit Sekret Amerikan CIA, Robert Gates

https://p.dw.com/p/Aqo9
Donald Rusmfeld
Donald RusmfeldFotografi: AP

Kishte ardhur koha për dorëheqjen e Rumsfeldit. Presidenti Bush e mbajti më shumë kohë se ç´duhej pranë njeriun e tij në Pentagon. Tani humbja e thellë e partisë së tij republikane, nuk i la asnjë alternativë tjetër presidentit amerikan. Sepse zgjedhjet për kongresin të martën e kaluar ishin në rradhë të parë një referendum mbi luftën në Irak.

Këtë luftë, Rumsfeld jo vetëm që e planifikoi dhe e organizoi si një ndër njerëzit më të fuqishëm në Pentagon, por madje e çoi në kaos të plotë. Kjo është arsyeja përse Rumsfeld jo vetëm që nuk gëzon pëlqimin e popullit, por u izloua gjithnjë e më shumë edhe nga vetë ushtria amerikane. 8 gjeneralë kishin kërkuar dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të brendshëm, si edhe 4 revista ushtarake, të cilat e komentonin paaftësinë e tij si të patolerueshme.

Donald Rumsfeld, i cili në kohët e tij të arta vlerësohej për inteligjencën dhe humorin e tij tepër të zhvilluar, ishte aq i zgjuar sa ta kuptonte se kish arritur në pikën e fundit të karrierës së tij. Ai i kish ofurar presidentit Bush dorëheqjen e tij që pas publikimit të fotografive të ushtarëve amerikanë në burgun famëkeq irakian Abu Ghraib në Bagdad. Abu Graib është një ndër gabimet fatale që qëndrojnë në listën e përgjegjësive të Rumsfeldit. Urdhërat e tij nga Pentagoni për të torturuar të burgosurit, i dhanë luftës së amerikanëve kundër terrorit shpesh herë një imazh tepër negativ.

Një gabim tjetër i rëndë ishte shpërbërja e trupave irakiane të sigurisë pas pushtimit të Bagdadit nga forcat amerikane. Meqënëse amerikanët nuk kishin aq kontigjente sa duheshin, ata do të kishin pasur patjetër nevojë për forca shtesë, të cilat do të kishin ndihmuar për ta mbajtur më mirë nën kontroll situatën e vështirë në Irak. Por tani në Irak luftojnë milicë nga etni të ndryshme për pushtet dhe forcat e reja të sigurisë, të cilat jane ende në fazën fillestare, nuk janë në gjendje ta kontrollojnë këtë situatë. Fakti se Iraku po përjeton një situatë të ngjashme me atë të një lufte civile, është edhe faji i Rumsfeldit, i cili nuk pranoi të heqë dorë nga planet e tij për ta ndryshuar strukturën e ushtrisë amerikane, në një kohë që Iraku kishte nevojë për më shumë ushtarë amerikanë se kurrë më parë.

Me demokratët në pushtet dhe me një president të dobësuar nga ana politike, pasardhësi i Rumsfeldit nuk do të ketë alternativë tjetër përveç se të fillojë me tërheqjen e ngadaltë nga Iraku. Kjo të paktën duket sikur është dëshira e votuesve amerikanë.