1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqja e Müntefering është fatkeqësi për Partinë Socialdemokrate

Sonila Harasani31 Tetor 2005

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek dorëheqja e papritur e shefit të partisë social demokrate SPD, Franz Müntefering, dhe pasojat që do të ketë ky hap për situatën politike në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Art5
Koalicioni i madh në rrezik?
Koalicioni i madh në rrezik?Fotografi: dpa

Gazeta Financial Times Deutschland shkruan:

"Kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Gjermani, shumë të huaj bënin shaka me pavendosmërinë e gjermanëve, për kë të votonin. Tani partia social demokrate po bën një spektakël të ri. Gjatë strategjive të saj konfuze, kjo parti arriti tani të rrëzojë edhe kryetarin e saj, i cili donta të fuste SPD-në në koalicionin e madh qeveritar. Rrëzimi i Franz Müntefering është aksidenti më i rëndë për partinë social demokrate dhe hedh një hije të keqe mbi koalicionin e madh qeveritar, i cili ende nuk është krijuar. Kancelarja e ardhshme Angela Merkel qëndron tani pa një zëvendëskancelar, i cili do të kish mundur ta mbante partinë e tij brenda një linje të qartë politike."

Gazeta Ostsee-Zeitung komenton:

"Tërmeti politik brenda SPD-së e ka tronditur kaq shumë koalicion e madh, sa tani rrezikohet që ai të mos krijohet më fare. Pa figurat aq të rëndësishme politike Müntefering dhe Stoiber, kancelarja e ardhshme Merkel nuk do të ketë as mbështetjen e as përkrahjen, për të cilën ajo ka aq shumë nevojë. Era e majtë brenda partisë social demokrate ka shkaktuar tani një uragan politik. Por Gjermania ka nevojë për një qeveri stabile. Mos vallë tani duhet të rikthehet sërish Schröderi?"


Gazeta Ostthüringer Zeitung pyet:

"Çfarë do të ndodhë tani SPD? Ndoshta gjatë ditëve të ardhshme ky gabim fatal do të komentohet si një shans i ri. Por fakt mbetet se ajo që ndodhi është e rëndë. Një personalitet me aftësitë e Gerhard Schröderit dhe pse jo edhe të Franz Müntefering nuk ekziston brenda radhëve të kësaj partie. Mesa duket SPD-ja do të lundrojë tani pa kurs në det të hapur. Madje ndoshta do të duhet të lutemi që partia më e vjetër dhe më e madhe në Gjermani, të mos zhytet përgjithmonë në këtë det."

Gazeta taz nga Berlini shkruan:

"Dorëheqja e Müntefering është për partinë social demokrate, e cila ka vuajtur më shumë se ç´duhet nga sjelljet egoiste të Gerhard Schröderit, një fatkeqësi e vërtetë. Müntering është simboli i të gjitha vlerave social demokrate: ai është i përgjegjshëm dhe pa komplekse. Kush do ta prezantojë tani politikën për kursime të kësaj partie? Mos vallë teknokrati Peer Steibrück? Pa Müntefering rrezikohet të përmbyset i gjithë plani për koalicionin e madh. Kjo do të thoshte fitoren e irracionalitetit ndaj logjikës. Mesa duket vetë partia social demokrate nuk kupton më gjë."


Gazeta Offenbach-Post shkruan:

"Mbetet hapur pyetja se si do të vazhdojnë tani debatet mbi krijimin e koalicionit të ri qeveritar dhe nëse do të krijohet vërtet një koalicion zi e kuq. Pas tërmetit të djeshëm politik është sërish i mundshëm çdo variant. Që nga versioni Xhamajka, pra kuq-verdhë-gjelbër, e deri tek zgjedhje të reja. Madje me pak ters edhe versioni kuq-kuq flakë-gjelbër. Sidoqoftë në Gjermani nuk ka ndodhur kurrë më parë kaq shumë konfuzion politik, pas zgjedhjeve parlamentare. Rizgjedhja e Schröderit nuk ishte e thënë që nga fillimi. Gjermania do t´i ndjejë gjatë javëve të ardhshme mbi kurriz pasojat e kësaj situate të padurueshme politike."


Dhe së fundi në gazetën General-Anzeiger nga Boni lexojmë:

"Dje ishte një ditë e zezë - jo vetëm për Franz Müntefering, i cili përjetoi disfatën më të rëndë në karrierën e tij politike. Dje ishte një ditë e zezë edhe për Partinë Social demokrate, për koalicionin e ri qeveritar dhe në një farë mënyre për të gjithë Gjermaninë. Çfarë kanë menduar vallë 23 antarët e kryesisë së SPD-së kur votuan për kandidaturën e Andrea Nahles, si sekretare të përgjithshme të partisë, duke injoruar kështu njeriun e tyre më të rëndësishëm, i cili po luante një rol kaq të madh për partinë, politikën dhe Republikën? Ndonëse disa kanë menduar se kështu do të mund të lanin hesapet, ata kanë menduar krejtësisht gabim dhe pa mend. Fundja ky veprim ishte një revolucion kundër shefit të partisë. Mos vallë këta rebelë nuk donin që të krijohet koalicioni i madh? Le të shpresojmë se këto janë vetëm spekulime."