1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Doreheqja e Nanos - e paralajmeruar

Ani Ruci2 Shtator 2005

Fatos Nano mban peshen kryesore te humbjes se socialisteve ne zgjedhjet parlamentare te 3 korrikut. Kështu shprehet analisti i pavarur, Lutfi Dervishi, ne nje interviste qe i dha Ani Rucit, korespondentes sone ne Tirane

https://p.dw.com/p/AqtZ
Fotografi: AP

DW: A mendoni se doreheqja e Nanos nga drejtimi i PS perben nje zhvillim te rendesishem jo vetem per PS por per gjithe aktoret kryesore politike te Tiranes?

Lutfi Dervishi: Doreheqja e Z. Nano eshte nje doreheqje e paralajmeruar. Kishte premtuar se ne rast te humbjes do te jepte doreheqjen nga drejtimi i partise. Ajo qe nuk doli qarte dje nga deklarata e tij ishte nese kjo doreheqje do te jete e parevokueshme. Nano la te kuptohet se do te flase ne nje moment te dyte per te ardhmen e tij politike. Eshte deputet i zgjedhur dhe ka nje grup solid ne grupin parlamentar pasi shume deputete te rinj jane zgjedhur me perkrahjen e tij.
Momenti i dyte interesant eshte shpejtesia me te cilen kryesia e PS veproi dje per ta shpallur kryetar nderi. Kjo gje do te thote nje mbyllje dere per te rikandiduar per postin e kryetarit te partise ne Kongresin e socialisteve apo per te filluar nje levizje te ngjashme me katarsisin qe nisi 2 vjet me pare. Ka nje ngutje per t´i mbyllur deren nje rikthimi te shpejte te Nanos ne krye te partise.

DW: Ne skenen politike te Tiranes, te zoteruar ne fakt deri tani nga Nano dhe Berisha, a perben nje risi, nje preçedent emancipues doreheqja e djeshme e Nanos?

Lutfi Dervishi: Nuk eshte risi sepse Nano e ka dhene edhe here te tjera doreheqjen nga drejtimi i partise dhe nje pjese e deklarates se tij te djeshme ishte " copy paste" e deklarates qe pat dhene para 6 vitesh, qe premtoi nje analize te thelle duke filluar nga baza e u ngjitur ne hierarkine e partise.

DW: A mendoni qe Nano me doreheqjen e djeshme tregoi qe e ka lexuar sakte mesazhin e 3 Korrikut? Pasi doreheqja e tij u shoqerua edhe me akuzen publike se PD-ja e Berishes i fitoi zgjedhjet me manipulime dhe dhune?

Lutfi Dervishi: Nuk e ka lexuar si duhet humbjen. Kjo humbje, ku Nano mban peshen kryesore, ka ardhur per shkak te qeverisjes problematike, sidomos 2 vitet e fundit te PS. Vete aktoret kryesore te Ps kane folur per nje konsumim te pushtetit. Nuk qendrojne dy aresyet madhore qe ai gjen per per humbjen e zgjedhjeve: manipulimi me çertifikatat e emigranteve dhe ushtrimii dhunes nga PD, ne opozite. Ku ishte shteti, policia ne qeverisjen e Z. Nano dhe partise se tij gjate pergatitjes se procesit zgjedhor dhe ne diten e zgjedhjeve? Nano mban pergjegjesi edhe per shperberjen e koalicionit te majte.

DW: Si i parashikoni zhvillimet e aferta ne PS?

Lutfi Dervishi: Do te kemi nje periudhe para Kongresit te jashtezakonshem te PS, data e te cilit shpallet sot. Do te seleksionohen disa kandidate per postin e kryetarit te PS. Deri tani aspiraten e ka shprehur kryetari i bashkise se Tiranes, Edi Rama dhe nje figure tjeter eshte ish- presidenti Mejdani. Mbetet per t´u pare javet e ardhshme kur do te ravijezohen forcat sepse keto jane zhvillime embrionale. PS tani i ngjan nje grupimi njerezish ku ai grup qe duket sikur e ka pushtetin ne mengjes nuk e ka ne mbremje dhe anasjelltas. Mbetet per t´u pare se cili do te jete qendrimi i PS tani ne opozite ndaj institucioneve, ndaj Parlamentit, qeverise se Berishes, taktikat e luftes se socialisteve ne institucione dhe jashte tyre.