1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriegsverräter Gerechtigkeit

8 Shtator 2009

Prej kohësh në Gjermani kërkohet shfuqizimi i vendimeve ndaj të ashtuquajturve "tradhëtarë të luftës". Vështirësia në parlament për sqarimin e çështjes ka të bëjë me mosmarrëveshje politike dhe me kompleksitin e saj.

https://p.dw.com/p/JVqe

Si tradhëtarë lufte në Gjermani akuzoheshin në bazë të kodit penal ushtarak të nazistëve ata persona ushtarakë apo civilë që dëmtonin vendin apo i ndihmonin armikut. Për fat të mirë që prej vitit 1945 togfjalëshi "tradhëtar lufte" është zhdukur si nga përdorimi i përditshëm gjuhësor edhe nga praktika juridike gjermane. Studimet historike bëjnë të qartë se me "tradhëti lufte" kuptoheshin të gjitha llojet e mundshme të mosbindjes si dhe të përpjekjeve apo veprimeve për rezistencë. Koalicioni i madh diskutoi dhe u grind mjaft për këtë temë dhe tani vendosi të ndërmarrë hapin e pritur ligjor.

Nën motivin për "tradhëti lufte" janë dënuar mijëra vetë, por sot jeton vetëm një grup i vogël i këtyre viktimave. Studimet historike arritën të rikonstruktojnë dhe të dokumentojnë vetëm 70 raste të tilla. Dënimin me vdekje sipas gjykatësve nazistëve e meritonin p.sh. ushtarët, që pëpiqeshin t'i shpëtonin çifutët prej shfarosjes, ata që shpërndanin fletëpalosje me përmbajtje pacifiste, ata që angazhoheshin për robërit e luftës rusë apo nga vendet e tjera, ushtarët që kishin shënuar në ditaret e tyre diçka kundër regjimit apo ata që kishin refuzuar të denonconin shokët e tyre që mund të ishin kritikë të regjimit.

Paragrafi përkatës qe formuluar në një mënyrë të tillë që linte shkas për t'u interpretuar sipas dëshirës. Për këta njerëz të guximshëm nuk parashikohej asnjë lloj mëshire. Në të kundërt drejtësia arbitrare e nazistëve u bënte atyre një proces të shkurtër dhe jepte dënime të rënda. Vrasja me pushkatim ose me varje ekzekutohej zakonisht menjëherë pas shpalljes së vendimit.

70 vjet pas sulmit të Vermahtit ndaj Polonisë, 70 vjet pas vrasjeve të mëdha të filluara prej gjermanëve duhet të konstatojmë se veprat e këtyre njerëzve, që në shumicën e rasteve ishin ushtarë të thjeshtë e nderojnë sot Gjermaninë. Ato nuk janë më pak të vlefshme se guximi i dezertorëve, refuzuesve të luftës apo pjesëtarëve të rezistencës ushtarake, të cilët ka kohë që janë rehabilituar.

Ushtria naziste kishte mobilizuar rreth 18 milionë ushtarë. Kush i merr parasysh këto shifra konstaton se ishin shumë të paktë ata që kishin kurajo civile për t' iu kundërvënë makinerisë hitleriane të luftës - duke e ditur se për këtë do duhej të paguanin një çmim të lartë.

Me raportin e saj disi të kontraktuar sa u përket titujve të nderit, nderit të ushtarit dhe betimit të oficerëve për një kohë të gjatë shoqëria gjermane e pati të vështirë që t' i nderonte veprimet e rezistencës dhe mosbindjet brenda Vermahtit siç ishin në të vërtetë, veprime të guximshme kundër diktaturës. Kishte madje rezerva nëse "tradhëtarët e luftës" i kishin dëmtuar shokët e tyre besnikë ndaj ushtrisë. Për këtë arsye çdo rast u shqyrtua me rigorozitetin më të madh. Kësaj iu shtuan muajt e fundit edhe mosmarrëveshjet politike në lidhje me kërkesat e grupeve parlamentare dhe çështjes, se cili grup parlamentar do të bashkohej me kë - sidomos tani në periudhë fushate elektorale.

"Tradhtia e në luftë“ – është një vepër penale e cila nuk mund të përputhet me parimet shtetit të së drejtës. Ky është konstatimi i Bundestagut në vitin 2009. Kompensime financiare për të prekurit nuk do të ketë - rehabilitimi i gjoja kriminelëve nuk kushton asgjë më tepër se sa një përpjekje e përbashkët politiko-morale. Të afërmit e këtyre ushtarëve mund të jenë tani të qetë që baballarët, gjyshërit, xhaxhallarët apo vëllezërit e tyre nuk ishin kriminelë, por viktima të një barbarie. Kjo mund të sjellë pak pajtim në vitin përkujtimor 2009.

Shteti i së drejtës përmbush detyrimet e tij dhe kujdeset për drejtësinë. Edhe pse kjo drejtësi është e vonuar.

Autor: Cornelia Rabitz

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora