1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejtshkrimi i ri - kaos dhe anarki

Klaus Dahmann3 Gusht 2006

Drejtshkrimi i ri gjerman është tanimë i detyrueshëm në shkolla e administratë

https://p.dw.com/p/Aqzv

Përpjekja për zbatimin e drejtshkrimit të ri gjerman po hyn në fazën e fundit. Nga 1 gushti rregullorja e reformës është "e detyrueshme", pas një viti edhe "e vlefshme". Në këtë mënyrë përfundon një fazë kalimtare rreth dhjetvjeçare gjatë së cilës lejohej të ekzistonin zyrtarisht të dyja drejtshkrimet, i vjetri dhe i riu. Por kaosi ka mbetur...

Nxehtësia është zhdukur në fakt nga diskutimet mbi reformën e drejtshkrimit, por ajo i ka hapur vendin të keqes më të madhe: indiferencës. E kjo shpie thuajse detyrimisht në anarki ortografike. Për këtë ka një mori arsyesh. Arsye, të cilat etërit e reformës mund t'i kishin shmangur pjesërisht, por edhe i injoruan krejt pjesërisht, sepse nuk mund të shmangeshin.

Sigurisht hartuesit ishin njerëz të zanatit, pra filologë gjermanë. Këtu filloi dilema, pasi jo të gjithë ata ishin të bindur se reforma ishte vërtet e nevojshme. Kështu në vitin 1998 thuajse 600 studiues të gjuhës dhe të letërsisë u shprehën në një letër të hapur kundër reformës. Këtu natyrisht nuk duhet harruar që keqdashja në radhët e filologëve të gjermanistikës është nga më të theksuarat në sektorin akademik. Lufta në llogore pro dhe kundër reformës është thuajse e programuar.

Tërësisht u nënvlerësua protesta e pritur jashtë botës akademike. Shkrimtarë dhe gazetarë shfrynë dhe i demaskuan gjoja përmirësimet si farsë dhe bënë që të binte autoriteti i etërve të reformës deri sa nuk mbeti më pothuajse asgjë prej tij.

Një rol të palavdishëm morën së fundi edhe politikanët, pa të cilët nuk bëhet gjë, sepse këta duhet të miratojnë ndryshimet dhe të urdhërojnë përdorimin në shkolla dhe administratë. Disa përfaqësues të popullit luajtën rolin e ekzekutuesve të nxituar, të tjerët të penguesve të leshtë, dhe kështu u kompletua kaosi. Kështu dhjetë lande gjermane i futën rregullat në shkolla dy vjet më herët sesa ishte planifikuar, vendosën kështu fakte të kryera. Për të thënë më vonë se tani nuk mund të kthehet mbrapsht reforma e kryer. Më pas u përzie edhe komisioni parlamentar i buxhetit duke u hequr ministrave të arsimit kompetencën në çështjen e reformës së drejtshkrimit. Reforma iu ngarkua dikujt për ripunim dhe varianti i ripunuar u hodh përsëri poshtë. Ndërkohë ekziston një ripunim i ripunuar, por rregullat që përmban ai nuk i interesojnë më askujt.

Kush pretendon sot e kësaj dite se zënkat e kota për reformën e drejtshkrimit nuk mund të parashikoheshin, ai është ose naiv ose i verbër. Ose edhe të dyja bashkë. Sepse këtu nuk është fjala vetëm për çështjen tekniko-racionale, se si mund t'ia dalësh me sa më pak rregulla drejtshkrimi. Bëhet fjalë për emocione të thella, të lidhura me gjuhën amtare. Bëhet fjalë për humbjen e autoritetit që pësojnë prindërit kundrejt fëmijëve të tyre, kur papritur nuk mund të dallojnë me siguri midis të saktës dhe të gabuarës as në hartimet e shkollës fillore.

Synimi për të lehtësuar shkrimin me anë të rregullave më të thjeshta nuk u arrit nga reforma. Për këtë do të nevojitej një ndarje nga traditat e shkrimit, por që do të kishte qenë krejt jorealiste. Tani në vend të një njësimi më të madh ka më shumë kaos dhe anarki. Dhe kështu do të mbetet për dekada me radhë. Megjithatë një të mirë e ka e gjitha kjo: Aq zymtësisht nuk shikon më kush në gabimet ortografike.