1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240510 GB Sparplan

25 Maj 2010

Qeveria e re britanike do të shkruajë histori. Aleanca konservatoro-liberale ka në plan të vendosë rregull në financat shtetërore në lëngatë. Në një hap të parë Ministria e Financave publikoi dje listën e shkurtimeve.

https://p.dw.com/p/NW7T
Ministri britanik i Financave George Osborne.
Ministri britanik i Financave George Osborne njofton shkurtime në shpenzimet publike prej më shumë se 6 miliardë stërlinash.Fotografi: AP

Ministrit të ri britanik të thesarit George Osborne, i dallohet vetëkënaqësia. Ashtu siç premtoi gjatë fushatës zgjedhore, menjëherë pas ardhjes në detyrë ai i uli shpenzimet qeveritare.

"Ne kryem rishikimin më të shpejtë dhe më rrënjësor të shpenzimeve të së kaluarës së afërt"- u shpreh ministri konservator i Financave.

Bashkë me sekretarin e tij të shtetit, liberalin David Laws, ai shqyrtoi sistematikisht zërat e veçantë të ministrive të dikurshme laburiste. Laws e përshkruan këtë me fjalët:

"Ky aksion ka për qëllim të dërgojë një valë shoku në sektorët qeveritarë, t'i bëjë nëpunësit qeveritarë të shqyrtojnë domosdoshmërinë e çdo shpenzimi në këto kohë të vështira që po kalojmë."

Tani u duhet të gjithëve të pranojnë shkurtime, më së shumti Ministrisë së Ekonomisë, e cila drejtohet nga liberali Vince Cable. Atje do të shpenzohen afro 900 milionë stërlina më pak sesa ishte planifikuar më parë nga qeveria laburiste. Me pak përjashtime, të gjitha shpenzimet për ministritë janë shkurtuar me qindra miliona. Osborne ankohet:

"Ne trashëguam kaos ekonomik, por mund të dalim prej tij më të fortë. Prandaj sot po hedhim hapin e parë drejt një sektori publik që punon me eficiencë dhe një ekonomie që iu shërben të gjithëve."

Kryeministri konservator britanik David Cameron dhe zv/kryeministri liberal Nick Clegg.
Së bashku për të dalë më të fortë nga kriza - Kryeministri konservator britanik David Cameron dhe zv/kryeministri liberal Nick Clegg.Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe funksionarët qeveritarë duhet të shtrëngojnë rripin. Nuk ka më makina personale shërbimi dhe shoferë, as bileta të klasit të parë për shërbime. Gjithashtu njëherë për njëherë nuk do të ketë punësime të reja për nëpunësit. Laws flet për ndërrim epoke:

"Vitet e bollëkut në sektorin publik kanë kaluar. Por, sa më me vendosmëri të veprojmë, aq më shpejt dhe aq më të fortë do të dalim nga këto kohë të vështira."

Më shumë do të kursehet sivjet tek shpenzimet për modernizimin e sistemeve kompjuterike në zyrat e punonjësve të shtetit, në ndërtesat qeveritare, tek furnizuesit dhe tek organizatat gjysmë-qeveritare, të ashtuquajturat "quangos", të cilat janë financuar deri tani në mënyrë zemërgjerë nga taksapaguesit. Kaq arriti Osborne për fillimin, me ndihmën e një zyre të re për disiplinë buxhetore.

"Brenda vetëm një jave ne përcaktuam një potencial kursimesh prej 6,24 miliardë stërlinash."

Megjithatë, ai e di që përballë deficitit shtetëror prej 156 miliardë stërlinash ky nuk është ende një hap i madh.

Sot, kur Mbretëresha të lexojë në formën tradicionale programin qeveritar në dhomën e ulët të parlamentit, do të mund të dallohen konture të tjera të planeve të kursimeve. Më pas Osborne do të parashtrojë më 22 qershor një buxhet shtesë për vitin në vazhdim.

Autor: Sebastian Hesse / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani