Durimi i themeluesve të Bashkimit Evropian ka marrë fund
16 Qershor 2008Nisur prej jo-së së irlandezëve ndaj kushtetutës së BE-së shtypi i sotëm gjerman merret me të ardhmen e Evropës. Komentatorët janë të mendimit se durimi i themeluesve të Bashkimit Evropian ka marrë fund dhe se Evropa e dy shpejtësive të ndryshme ka filluar të vihet në lëvizje.
"Mittelbayerische Zeitung" (Regensburg) shkruan:
"Kush do të përballet me pakënaqësinë ndaj BE-së duhet t'i marrë fillimisht seriozisht hallet e qytetarëve të saj. Euroja vazhdon të konsiderohet si monedha që solli shtrenjtimin. Evropa me rregullat e saj përzihet edhe në tenderat e komunave, por nuk ndërmerr asgjë kur koncernet gjigande dhe spekulantët i ngrejnë në qiell çmimet e energjisë. Evropa sheh duarkryq, kur shtetet e saj anëtare ulin taksat ndaj koncerneve duke thithur kështu firma nga vendet fqinjë gjë që duan ta financojnë me paratë e BE-së. Gjithnjë e më tepër duket se BE-ja, e cila dikur e filloi jetën si Bashkësia Ekonomike Evropiane, nuk e ndjen veten përgjegjëse për qytetarët e saj."
Kurse "Märkische Allgemeine" (Potsdam) vëren:
"Kriza më e fundit e BE-së bën të qartë se megjithë gjestet kërcënuese dhe ankimet për deficite në komunikim Bashkimi Evropian ka arritur në një pikë kritike, prej ku konflikti themelor i tij nuk mund të menjanohet më. Fjala është për konfliktin mes atyre që janë të interesuar vetëm për një union ekonomik dhe atyre që duan një bashkim politik, konflikt i cili nuk mund të mbahet më i heshtur përmes formulave të kompromisave. Ata që përpiqen ta frenojnë trenin e Evropës do të mbeten dikur në vend. Evropa e dy shpejtësive të ndryshme ka filluar të vihet në lëvizje, sepse durimi i themeluesve të Bashkimit Evropian ka marrë fund."