1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshime për korrupsion në Gërdec me fondet e qeverisë

Ani Ruci31 Mars 2008

Banorët e Gërdecit janë të revoltuar. Fondet janë shumë të ulta në raport me dëmet, thonë ata.

https://p.dw.com/p/DXvf
Banorë të prekur nga tragjediaFotografi: AP

Komisionit shtetëror të vlerësimit të dëmeve në Gërdecin e shkatërruar nga shpërthimi i municioneve në mes të këtrij muaji, iu deshën më pak se dy javë për të përfunduar punën e tij. Kryefamiljarët e rreth 4 mijë shtëpive të rrënuara filluan sot të marrin shumën e parave që ky komision përcaktoi për rindërtimin e tyre dhe kthimin atje të jetës normale. Por asnjë shumë nuk ua kthen atyre jetën e 24 të afërmve, të vrarë nga shpërthimi.

Reagimet e qytetarëve

Dhënia e fondeve po shoqërohet me akuza për korrupsion drejtuar komisionit në fjalë. Për banorët e Gërdecit, fondet janë shumë të pakta në raport me dëmet që kanë pësuar shtëpitë e tyre, pa llogaritur jetët e humbura. Reagimet e qytarëve janë të revoltuara: „Këtu ose ka korrupsion, ose një Zot e di se çfarë bëhet," thotë një burrë për shumën që i kanë caktuar. „Të drejtën dua. Shtëpia mua më ka vajtur 120 milion lekë. Pse me 5 milion e bëkam shtëpinë unë?! thotë një grua tjetër. „Shumat.. I kanë caktuar sipas qejfit. Në vend që të ma vlerësojnë me 15 milion më thonë bën 1, apo 2 milion lekë. Pse vlerësim është ky? Po tallen me ne." thotë një banore tjetër e Gërdecit.

Por ka edhe më keq. Ka banorë që nuk ekzistojnë fare në listat e shpallura nga komisioni në fjalë. „Komisioni ka ardhur, e ka parë shtëpinë, ka marrë shënime. Po emri im nuk figuron asgjëkundi. Kam bërë ankesë më kanë thënë prit. Pres. Pres por emri im nuk po del", deklaron sot një banor tjetër i dëmtuar. Fiqiri Ismaili, Kryetari i Bashkisë së Vorës, ku bën pjesë edhe fshati Gërdec, ku prej dy vitesh ishte ngritur fabrika e vdekjes, beson fort tek riparimi i padrejtësive të deritanishme " Kemi ngritur katër grupe pune, në katër zona për të parë ankesat e qytetarëveve dhe do të punohet me ndjenjë të lartë përgjegjësie."

Burime zyrtare nga Komisioni i vlerësimit të dëmeve në Gërdec thanë për DW se janë rreth 700 ankesa nga të cilat 500 për rivlerësim të dëmit dhe pjesa tjetër, 200 , për mosekzistencën në listat e dëmshpërblimit të qeverisë.

Protesta e ushtarakëve

Një protestë e ish ushtarakëve, e zhvillluar sot paradite ne sheshin Nënë Tereza, në Tiranë, ka shtuar zërat për përgjegjësinë e kryeministrit Berisha në tragjedinë e Gërdecit dhe shndërrimin e biznesit shtetëror të armëve në një aferë korruptive me fitime të paligjshme në shifra të mëdha.

Sot dosja e Gërdecit ka kaluar nga Prokuroria e Tiranës në atë të Përgjithshme. Në qarqet e organit qendror të akuzës ka zëra që nuk përjashtojnë hapjen e çështjes penale ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili dha dorëheqjen një ditë pas shpërthimit tragjik. Opozita po kërkon me këmbëngulje që Prokuroria e Përgjithshme t´i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit jo vetëm për ish ministrin Mediu por edhe për kryeministrin Berisha dhe fillimin e çështjes penale.