1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e Natos diskutohet në Riga

Anke Hagedorn26 Nëntor 2006

Të martën dhe të mërkurën kryetarët e vendeve të Natos do të takohen në një samit dyditor në kryeqytetin e Letonisë, Riga. Tema të takimit janë siguria në Afganistan, trupa e ndërhyrjes së shpejtë dhe zgjerimi i Aleancës

https://p.dw.com/p/ArK1
Logo e takimit të Natos në Riga, 28 dhe 29 nëntor
Logo e takimit të Natos në Riga, 28 dhe 29 nëntorFotografi: AP Graphics

Në rend të ditës janë temat aktuale si problemi i sigurisë në Afganistan, trupa e ndërhyrjes së shpejtë të Natos NRF dhe zgjerimi i Aleancës. Në fakt në samitin e Rigës, i cili zhvillohet nën moton "Tranformimi i Natos", duhet të bëhet fjalë për të ardhmen e Natos.

Por ndërkohë kanë dalë në plan të parë problemet e Natos në Afganistan. Dhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Natos Jap de Hoop Scheffer edhe angazhimi i Gjermanisë kërkohet. Scheffer ka kërkuar disa herë gatishmërinë e Berlinit për angazhim në jugun e Afganistanit, ku zhvillohen luftime. Por deri tani kancelarja gjermane Angela Merkel, ka mbetur e patundur në këtë pikë. Nuk do të ketë zgjerim të operacionit të Bundesverit, garantoi ajo javën e kaluar në parlament. Gjermanët vazhdojnë ta shohin detyren e tyre kryesisht në veri të vendit.

Gjermanët vetëm në veri të Afganistanit

"Bundesveri do të vazhdojë të mbajë përgjegjësi aty në kuadër të mandatit të tij. Por unë nuk shoh angazhim që del përtej këtij mandati, edhe këtë dua ta them këtu shumë qartë. Dhe prandaj për mua dhe për Rigën, për samitin e Natos vlen që tema e Afganistanit është shumë e rëndësishme, sa ta lëmë të degradojë në një debat ushtarak veri-jug. Tema Afganistan do të thotë që ne si Nato duam të jemi të suksesshëm, duam të jemi të suksesshëm si bashkësi ndërkombëtare. Dhe ne e dimë në Gjermani se për këtë edhe duhet luftuar, edhe ushtarakisht. Por zonja dhe zotërinj, edhe duhet luftuar për të fituar zemrat e njerëve në Afganistan. Të dyja këto për mua janë të pandara dhe kështu do ta kuptojmë këtë mision."

Me rreth 3000 ushtarë Gjermania përbën kontigjentin e tretë për nga madhësia të trupës mbrojtëse të Afganistanit ISAF. Dhe që prej mesit të tetorit rreth 21 njësi ndërlidhëse operojnë në jug dhe lindje të vendit në mbështetje logjistike të trupës së mbrojtjes. Sikur të varej nga Angela Merkeli gërshetimi i sigurisë ushtarake me ndihmën civile sipas modelit gjerman do të bëhej standarti i të gjitha koncepteve për misionet jashte vendi. Për një model të tillë ekziston simpati e madhe edhe ndër shtetet e tjera anëtare.

Siguri ushtarake e kombinuar me ndihmë civile

Megjithatë kjo nuk e zgjidh problemin e sigurisë në Hindukush. Kryekomandanti i Natos, James Jones u ankua sërish, se apeli i tij për rritjen e numrit të trupës së ISAF-it me 2 500 ushtarë të tjerë mbeti pa përgjigje. Në fakt Polonia ka bërë të ditur dergimin e rreth 1000 vetëve, por keto do të mberrrijnë në Afganistan pas janarit apo shkurtit.

Ndryshimet udhëheqja e Natos shpreson t´i bëjë në trupën e ndërhyrjes së shpejtë NRF. Sekretari i përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer u tregua optimist në prag të takimit, për ta shpallur trupën elitare në Rigë të aftë për veprim. NRF duhet të jetë në dispozicion për raste të ndryshme që nga ndihma në raste katastrofash deri në ndërhyrje luftarake. Për këtë janë parashikuar 25 000 ushtarë, por deri tani jo të gjitha shtetet anëtare të NATO-s e kanë dhënë kontributin e tyre.

Gjëra më pak kronkrete mund të priten për zgjerimin e NATO-s. Për pranimin e vendeve të tjera si Shqiperia, Kroacia, Maqedonia, Ukraina dhe Gjeorgjia do të diskutohet në Riga, por vendime nuk do të merren.

Si pa perspektivë konsiderohen edhe planet e SHBA-ve për ta zgjeruar NATO-n në një partneritet global. Uashgintoni do t´i ofrojë partneritet Japonisë, Australisë dhe Koresë së Jugut, me perspektivë afatgjatë anëtarësimin. Shumica e shteteve të tjera anëtare e shohin këtë me sy kritik. Si kompromis kryetarët e shteteve dhe qeverive mund të ofronin forcimin e bashkëpunimit, por pa ofruar një partneritet formal.