1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edi Rama: Reforma në drejtësi sot mbetet një utopi

Intervistën e zhvilloi Vilma Filaj-Ballvora23 Nëntor 2007

Për herë të parë bashkia e Tiranës vendos kontakt me perspektivë bashkëpunimi me një qytet në Gjermani. Këto ditë një delegacion nga bashkia e Tiranës i kryesuar nga kryebashkiaku Edi Rama qëndroi në Bon.

https://p.dw.com/p/CSW3
Edi Rama
Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës viziton Deutsche WellenFotografi: DW

Deutsche Welle Shqip: Zoti Rama, ju këto ditë në Bon zhvilluat një vizitë të shkurtër, por me një axhendë të ngjeshur: keni pasur kontakte me drejtues të sektorëve të rëndësishëm të administratës së Bonit si financat, mjedisi, arsimi. A keni marrë impulse të reja për punën tuaj në bashki, veçanërisht në këta sektorë të rëndësishëm dhe problematikë në Tiranë?

Edi Rama: Sigurisht që këto takime kanë një rëndësi të posaçme për përvojat e reja, me të cilat të jepet mundësia të njihesh. Nga ana tjetër jam besimplotë, që i tillë ishte edhe takimi që ne zhvilluam me ndihmën e vyer të fondacionit "Friedrich Ebert", të cilit i jam mirënjohës, që na e mundësoi këtë përvojë. Besoj, që gjithçka ne pamë, dëgjuam dhe mësuam do të vlejë për të pasuruar eksperiencën tonë dhe për të pasuruar shikimin tonë mbi Tiranën.

A ishte kjo një vizitë sporadike, apo që bazohet në një bashkëpunim më afatgjatë?

Ky ishte takimi i parë dhe mbeten për t´u vlerësuar në vijim mundësitë, për ta thelluar këtë bashkëpunim me bashkinë e Bonit. Unë i jam njëkohësisht mirënjohës kryetares së bashkisë, e cila është një nga personalitet më të larta të partisë socialdemokrate gjermane, por njëkohësisht është edhe qytetarja e parë e një komuniteti, që i ka dhënë asaj një mbështetje të jashtëzakonshme, thuajse dyfishin e mbështetjes që ka partia. Edhe në këtë pikëpamje, kjo ishte një eksperiencë e çmuar, që unë shpresoj të jetë një gurë themeli për një bashkëpunim sistematik në të ardhmen.

Keni marrë projekte dhe ide konkrete për ta thelluar bashkëpunimin, apo për të marrë konkretisht ndihma konkrete nga Gjermania në këtë fushë?

Ne do të bëjmë një vlerësim brenda nesh të kësaj vizite dhe bazuar edhe në ato që pamë, dëgjuam e mësuam, patjetër që do të mundohemi t´i japim një fuqi të re këtij momenti të parë, për ta përsëritur dhe për ta kthyer në një rrugë bashkëpunimi afagjatë. Kam shpresë, që takimi i dytë do të jetë në Tiranë. Unë e ftova me shumë kënaqësi kryetaren e bashkisë së Bonit në Tiranë.

Ju zoti Rama ndodheni në mandatin e tretë si kryetar bashkie i Tiranës dhe kjo periudhë ka ndryshime jo të vogla krahasuar me pesë vite më parë. Nga njëra anë ju jeni kryetar i partisë më të madhe në opozitë dhe nga ana tjetër si kryetar bashkie keni tani përballë pushtetin qendror të drejtuar nga koalicioni i djathtë. Në këtë kontekst si e vlerësoni performancën e punës së bashkisë gjatë këtyre dy periudhave?

Unë besoj, që bashkia e Tiranës ka qenë në lartësinë e detyrës dhe u është përgjigjur kërkesave të qytetarëve, duke qenë pranë tyre dhe njëkohësisht duke u bërë mishërimi i ambicjes së kryeqytetasve për një Tiranë evropiane, moderne dhe sociale. Unë besoj, që bashkia e Tiranës sot është një institucion i konsoliduar, dhe e them pa modesti, është institucioni më modern dhe evropian, që është ndërtuar në Shqipërinë e tranzicionit gjatë shtambëdhjetë viteve të mbushura me dështime. Eshtë një shtëpi e përbashkët e banorëve të kryeqytetit, pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht prejardhjes së tyre, pasi e dimë, që Tirana është një qytet, ku i gjen të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe pa dallim moshe dhe gjinie. Unë jam besimplotë, që bashkia e Tiranës do të vazhdojë të jetë një surprizë shumë e pëlqyeshme, për shqiptarët kudo që ndodhen në kushtet kur nga Shqipëria ka pak lajme të mira dhe kur në Shqipëri institucionet e tjera lëngojnë nën një regjim, i cili është tanimë i bazuar tek antikushtetueshmëria, tek shkelja e ligjit, tek mendësia tribale dhe tek një vizion i cunguar dhe i dëmshëm, për Shqipërinë.

Ju zoti Rama përmendi një problem, që ju e formuloni si "vizion i cunguar": në këtë pesëmbëdhjetëvjeçar politika e Shqipërisë është karaketiruar prej mendësisë së mllefeve personale dhe grindjeve pafund midis personave të dy partive kryesore. A do të dalë një hërë një njeri i mençur, që të thotë "stop", në mënyrë që midis dy forcave të mëdha politike të punohet për një debat të shëndoshë dhe konstruktiv në dobi të vendit, dhe që këto forca të funksionojnë si dy forca institucionale?

Pikë së pari këtu nuk është fjala për daljen e një njeriu, por për krijimin e një aleance qytetare, e cila duhet t´i kapërcejë kufijtë e partive, që nga ana e tyre duhet të transformohen në hapësira të mëdha të debatit, gjë që partia socialiste, që unë kam nderin të udhëheq, po e bën përditë e më shumë. Në këtë kontekst do të thoja, se në Shqipëri po përvijohet për ditë e më shumë një ndarje mes dy botësh: një bote të vjetër që përfaqësohet më së miri nga kryeministri Sali Berisha, nga konglomerati i partive të koalicionit qeveritar, që si bisht të vetin ka Fatos Nanon dhe frymën që Berisha dhe Nano përfaqësojnë sot e gjithë ditën si shëmbëlltyrat e dështimit shqiptar të shtambëdhjetë viteve. Nga ana tjetër një botë e re, e cila po mishërohet përditë e më shumë nga partia socialiste, nga opozita shqiptare, nga të gjithë ata, të cilët s´po bëjnë asgjë tjetër, veçse po i japin më shumë zë Shqipërisë dhe shqiptarëve të thjeshtë. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por ne po hapim një rrugë të re për një Shqipëri të re.

Zoti Rama, ju përmendët binomin Berisha dhe Nano, por së fundi zoti Berisha deklaroi, se në parlament Topin e zgjodha president me ndihmën e Edi Ramës, në një kohë që zgjedhja e presdientit ishte një pikë delikate për partinë socialiste. Ju si i përgjigjeni kësaj deklarate?

Se si u zgjodh presidenti i republikës këtë e dinë të gjithë shqiptarët. 20 korriku ishte një ditë e zezë për parlamentin e Shqipërisë, ku përmes një procesi korrupsioni u zgjodh presidenti i republikës, i cili për fat të keq na tregoi jo më larg se sa dje (22.11), të them të drejtën shumë më shpejt se sa mund të parashihej, që nuk është në gjendje të jetë president i të gjithë shqiptarëve, të jetë garant i kushtetutës, i unitetit kombëtar dhe i të gjitha palëve, por është thjeshtë dhe vetëm nënkryetar i partisë demokratike. Shprehjes së zotit Berisha unë nuk denjoj t´i përgjigjem, por ndoshta mjafton të them, se në zinxhirin e gjatë të të pavërtetave, një e pavërtetë më shumë nuk bën më përshtypje.

Zoti Rama këtu ju keni parasysh shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm. Në fakt posti dhe emri i prokurorit në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka qenë pikë debati dhe akuzash për lidhje dhe influencë nga politika. Cili do të jetë kontributi dhe propozimi konkret i partisë socialiste, në mënyrë që ndër të tjera institucioni i prokurorit të jetë i pavarur, pavarësisht nga emrat dhe personi që e drejton atë, tek e fundit ashtu siç e parashikon kushtetuta e Shqipërisë?

Institucioni i prokurorit dhe prokuroria në Shqipëri nuk presin reformën në drejtësi për të qenë të pavarura. Ato janë të pavarura në bazë të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Eshtë një tjetër çështje, që ka të bëjë me antikushtetueshmërinë dhe me antireformën, që përfaqëson Sali Berisha dhe partia e tij. Fakti që prokurori i përgjithshëm trajtohet si një institucion, apo si një degë e këshillit të ministrave, që kryeministri u rrek për më shumë se dy vjet që ta presë si të kalbur për të ngjitur një degë të re sipas preferncave të tij. Kështu që reforma në drejtësi sot mbetet një utopi, për sa kohë kemi të bëjmë me dy filozofi kaq të ndryshme, me dy vizione kaq të ndryshme, me dy përqasje kaq të ndryshme për shtetin e shqiptarëve në Evropën e shekullit të 21-të.

Kryetari i bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht edhe kryetar i partisë më të madhe në opozitë në Shqipëri mori pjesë edhe në një takim me gazetarë në Deutsche Welle.