1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tahiri: Më 1 tetor hiqet barrikada mbi lumin Ibër

Bekim Shehu12 Korrik 2015

Barrikada mbi lumin Ibër hiqet më 1 tetor, por ende ka dallime në qëndrimet lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë ministrja për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

https://p.dw.com/p/1FxJ2
Fotografi: Esat Ahmeti

DW: Zonja Tahiri, tashmë disa herë u tha në Prishtinë dhe Beograd se çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe është tema më e vështirë në dialogun Kosovë-Serbi. Pse është kaq e vështirë kjo temë?

Tahiri: Ashtu siç jeni njoftuar në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit Mustafa dhe atij serb Vuçiq, me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit, janë trajtuar katër çështje: telekomi, energjia, heqja e barrikadës mbi lumin Ibër dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Sa i përket kësaj të fundit, mund të them se është shënuar përparim dhe përafrim në qëndrime. Mirëpo, ende mbesin pika që janë larg për t'u arritur. Dallimet janë në atë se si e shikojmë ne këtë asociacion. Ne mendojmë se ky asociacion duhet të themelohet dhe të funksionojë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Ndërsa nga pala tjetër janë paraqitur disa kërkesa joreale që praktikisht tejkalojnë suazat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, prandaj edhe nuk ka patur një marrëveshje përfundimtare. Pala serbe kërkon që ky asociacion të ketë kompetenca që zakonisht u takojnë komunave dhe qëndrimi ynë është që asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, sepse ligji për vetëqeverisje lokale dhe Kushtetuta e Kosovës nuk e lejojnë as transferimin e kompetencave të komunave në tjetër nivel dhe as Kushtetuta nuk lejon një tjetër nivel ekzekutiv, sepse sistemi politik i Kosovës ka dy nivele - atë qendror dhe lokal.

Edita Tahiri
Edita TahiriFotografi: DW/B. Shehu

DW: Ministre Tahiri, qëndrimet për të cilat flisni ju duken diametralisht të kundërta. Por, zakonisht në negociata gjithmonë kërkohen kompromise. A ka vend për kompromis dhe ku e shihni kompromisin ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe për asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Tahiri: Në fakt marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013, e bën të qartë se asociacioni do të jetë me ligjet ekzistuese të Kosovës. Pra në kuadër të kësaj kornize ka mundësi të gjendet zgjidhja, e kjo zgjidhje do të gjendet vetëm kur Serbia i heq disa iluzione në raport me pakicën serbe në Kosovë, sepse e kemi thënë disa herë që Serbia atë që nuk është në gjendje ta ofrojë për minoritet në shtetin vet, e kërkon në Kosovë apo shtete tjera. Pra ne vlerësojmë se jemi të gatshëm ta zbatojmë marrëveshjen e Brukselit dhe asociacioni sigurisht që do të ketë disa funksione të rëndësishme që do të luan një rol për të ndihmuar komunat në promovimin e interesave të përbashkëta. Mund të ndihmojë komunat në zgjidhjen e çështjeve të tyre lokale, në lehtësimin e proceseve të ndryshme. Por, asociacioni nuk mund të vendosë në emër të komunave, sepse vendimmarrja u takon komunave anëtare të asociacionit. Komunat janë organe dhe kategori kushtetuese, themelohen në bazë të votave të qytetarëve dhe veprojnë në bazë të legjitimitetit që marrin nga qytetarët. Ndërsa asociacioni krijohet si një pajtim, apo gatishmëri e komunave që të themelojnë një asociacion që ka një definicion të qartë bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare dhe ato janë asociacione që zbatojnë ligjet e tij vendi por edhe kartën për vetëqeverisje lokale.

DW: Ministre Tahiri, duke pasur parasysh që asociacioni po del të jetë tema më e vështirë në dialogun Kosovë-Serbi, sa ekziston mundësia që pikërisht mospajtimet rreth këtij asociacioni të çojnë deri në ndërprerjen e tërësishëm të dialogut Kosovë-Serbi?

Tahiri: Nuk e besoj se do të ndodhë kjo, sepse për tërë këto vite të dialogut ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka pasur tema të vështira. Mirëpo gjithmonë është gjetur një zgjidhje që në esencë ka respektuar dhe zbatuar parimet evropiane, sepse edhe Kosova edhe Serbia kërkojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pikërisht në parimet evropiane është edhe karta për qeverisje lokale ku parashihet që komunat mund të krijojnë asociacione dhe të veprojnë për qëllime të përbashkëta në kuadër të mekanizmit të asociacionit. Kështu që unë pres që do të gjendet zgjidhja dhe do të ketë pajtim, por natyrisht që ka nevojë për një kohë dhe edhe Serbia ta kuptojë që ajo që është e pranueshme për Kosovën është çdo zgjidhje brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

DW: Ministre Tahiri, janë edhe tri tema të tjera që janë diskutuar në takimin e 23 qershorit: kodi telefonik i Kosovës, energjia dhe barrikada mbi Lumin Ibër. Ka marrëveshje për këto çështje?

Tahiri: Çështja e kodit telefonik të Kosovës tashmë është një marrëveshje e arritur dhe arsyeja se pse nuk është shpallur si marrëveshje e arritur është që ne jemi pajtuar që të arrihet marrëveshje në katër fushat që kanë qenë në tryezën e bisedimeve. Kjo ka qenë kërkesë e jona. Pra marrëveshja për telekom është arritur dhe Kosova do ta ketë kodin e saj telefonik ndërkombëtar +383 dhe këtë kod do t'ia ndajw organizata ndërkombëtare për telekomunikacionin ITU. Në emër të Kosovës do të aplikojë Austria, ndërsa Kosova do të jetë administruese e kodit të saj.

DW: Po sa i përket barrikadës mbi Lumin Ibër, kur do të hiqet barrikada?

Tahiri: Te kjo temë ka pasur përparime mjaft. Por nuk është rrumbullakuar marrëveshja, për disa parime. Tashmë kemi rënë dakord që barrikada e njohur si “parku i paqes”, të hiqet më 1 tetor të këtij viti. Ndërsa revitalizimi si një projekt i BE-së do të fillojë menjëherë pas heqjes së barrikadës dhe do të zgjasë gjashtë muaj. Sa i përket çështjes së energjisë, në këtë pikë ka pasur përparime në zbatimin e marrëveshjes. Por tani në këtë fazë duhet të ndodhë edhe pjesa tjetër e marrëveshjes, pra në kuptimin e zbatimit të tejkalohen ngecjet, nuk kemi arritur shumë t'i trajtojmë ngecjet në takimin e 23 qershorit. Por besoj që në takimin e radhës do t'i adresojmë edhe këto pengesa në zbatim në mënyrë që të bëhet zbatimi i plotë i marrëveshjes për energjinë.

DW: Ministre kur do të ndodhë takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe atij serb Aleksandër Vuçiq?

Tahiri: Tashmë qëndrimet tona lidhur me asociacionin ua kemi bërë me dije edhe partnerëve ndërkombëtare, këtu kam parasysh Gjermaninë dhe SHBA, u kemi paraqitur argumentet tona sesi do të mund të ishte zgjidhja e pranueshme për neve në lidhje me asociacionin dhe jam e bindur se partnerët ndërkombëtar do të bisedojnë edhe me Bashkimin Evropian për këtë çështje. Besoj se në këtë periudhë do të ketë përafrim të qëndrimeve dhe në momentin kur BE vlerëson se janë afruar qëndrimet atëherë edhe mund të ndodhë takimi.

DW: Nëse ju kuptova drejt, BE-ja do të bëj analizat nga qëndrimet e të dyja palëve dhe mw pas do tw dal me propozim për asociacionin komunave me shumicë serbe?

Tahiri: Zakonisht metodologjia e BE-së në këtë dialog mund të përkufizohet si një rol lehtësues. Deri tash nuk kanë imponuar ndonjë zgjidhje arbitrazhi. Por BE-ja angazhohet që të gjendet zgjidhje që në të vërtetë dy palët do të jenë të kënaqura. Besoj se edhe kësaj radhe do të jetë një proces negociatash ndërmjet BE-së dhe të dyja palëve - Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të shihet se cila do të ishte ajo zgjidhje e pranueshme.