1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eksperti i Iranit: Kërcënim bosh i Rohanit

16 Gusht 2017

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani ka kërcënuar me anulimin e marrëveshjes atomike. Ali Fathollah-Nejad nga Shoqëria Gjermane për Politikën e Jashtme sheh shkaq të tjera pas fjalëve të Rohanit në drejtim të Uashingtonit.

https://p.dw.com/p/2iHoA
Iran Hassan Rohani
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Kenare

Irani ka kërcënuar se do ta prishë marrëveshjen atomike në rast se do të vendosen sanksione të tjera të SHBA. Teherani mund ta prishë "brenda disa orësh" marrëveshjen, po të vazhdojë Uashingtoni politikën e tij të "sanksioneve dhe të imponimit", paralajmëroi Presidenti iranian, Hassan Rohani të martën në një fjalim në Parlament, të transmetuar në televizion.

DW: Zoti Fathollah-Nejad, a e ka seriozisht pala iraniane kërcënimin për ta rifilluar programin e armëve atomike?

Fathollah-Nejad: Këtë nuk duhet ta marrim shumë seriozisht. Marrëveshja atomike bëri që Irani të bllokojë praktikisht të gjithë programin atomik dhe tani është një pikëpyetje e madhe se si mund ta vërë ai atë sërish në punë. Me shpejtësi kjo zor se bëhet. Kaq thjesht ky kërcënim nuk mund të kthehet në realitet.

Pra kemi të bëjmë me një kërcënim bosh?

E saktë. Në plan të parë këtu janë sinjale të politikës së brendshme dhe të jashtme. Në politikën e brendshme kemi një sinjal ndaj ithtarëve të vijës së fortë, të cilët kanë qenë gjithmonë kundër marrëveshjes atomike dhe që mbrojnë një kthim të vendit në izolimin nga Perëndimi. Kemi të bëjmë natyrisht edhe me një replikë ndaj deklaratave të ngjashme nga Uashingtoni. Veç kësaj nuk duhet të harrojmë se kabineti i ri qeveritar është në koordinim të ngushtë dhe me udhëheqësin e shtetit, Ajatollah Ali Chamenei dhe Rohani në këtë mënyrë është zhvendosur sërish djathtas. Dhe në politikën e jashtme, për mendimin tim është një sinjal ndaj Evropës, e cila e kundërshton një prishje të marrëveshjes atomike nga Trumpi.

Sa e rëndësishme është politikisht dhe ekonomikisht marrëveshja atomike për Teheranin?

04.2012 DW Quadriga Studiogast Ali Fathollah-Nejad
Eksperti Ali Fathollah-Nejad

Për elitën marrëveshja është e favorshme, sepse shteti autoritar ka përfituar nga rivitalizimi i marrëdhënieve ekonomike. Veç kësaj u forcua statusi politik i Iranit. Prandaj nuk mund t'i biesh shkurt e të thuash se përfaqësuesit e vijës së fortë në Iran janë kundër marrëveshjes atomike. Kjo nuk është e vërtetë, edhe nëse ka grupe fundamentaliste-ekstremiste, të cilat preferojnë izolimin përballë një hapjeje të mundshme të vendit, sepse në një rast të tillë ata do të humbisnin pozicionin e tyre politik-ideologjik.

Po populli, ç'mendon?

Në popull kishte shpresa të mëdha, të cilat u ushqyen nga deklarata tepër jorealiste të Rohanit dhe të ministrit të tij të Jashtëm, Sarif, se kjo marrëveshje do të përmirësonte shpejt kushtet jetësore të qytetarëve të zakonshëm. Po deziluzionimi pasoi shpejt, nga njëra anë, sepse rigjallërimi i marrëdhënieve ekonomike për shkaqe të ndryshme nuk ndodhi kaq shpejt, dhe nga ana tjetër, sepse shumica e popullit nuk përfitoi prej saj. Në Iran ne patëm një rritje të moderuar ekonomike, por shtresat e gjëra të popullit nuk e ndienë atë. Prandaj në popull ekziston një lloj zhgënjimi. Gjendja ekonomike e shumicës së njerëzve vitet e fundit madje është keqësuar, gjë që jo së fundi ka të bëjë me politikën neoliberale ekonomike të Rohanit. Por megjithatë mund të besojmë se iranianët janë të interesuar që marrëveshja atomike të mbijetojë dhe nuk janë të interesuar për një epokë të re konfrontimi dhe ndoshta izolimi.

A konsiston strategjia iraniane në synimin për t'i përçarë SHBA nga njëra anë dhe shtetet e tjera nënshkruese të kontratës nga ana tjetër?

E saktë, kjo është prej kohësh strategjia iraniane, dhe nuk ka qenë e pasuksesshme. Në SHBA ne kemi tendencat e një demonizimi të ri të Iranit, kurse në Evropë, për shkak të interesave të forta ekonomike kemi më tepër një glorifikim të Iranit. Evropa është shumë e interesuar për marrëdhënie ekonomike me Iranin dhe do t'i vazhdonin ato edhe nëse SHBA do të zgjedhin një rrugë më të ashpër në marrëdhënie, ndonëse atëherë në kushte më të vështira.

 

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare