1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertiza e KE-së për pasaportat e Maqedonisë

Fatos Musliu / Shkup20 Janar 2009

Ekspertët evropianë dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian filluan në Ministrinë e Punëve të Brendshme misionin e parë vlerësues për liberalizimin e vizave në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/Gckc
Maqedoni - BE
Maqedoni - BEFotografi: Petr Stojanovski

Ekspertë nga shtatë vende anëtarë të Bashkimit Evropian, kanë grumbulluar në policinë maqedonase informacione për sigurinë e pasaportave biometrike dhe dokumentave të tjera. Misioni vlerësues i Komisionit Evropian, duhet të verifikojë nivelin e mundësisë eventuale të fallsifikimit të pasaportës biometrike. Siguria e pasaportave biometrike dhe dokumentave personale, që kanë në përdorim qytetarët e Maqedonisë që nga viti 2007, janë vendosur nën lupën e ekspertëve të Komisionit Evropian meqenëse deri në fund të muajit mars ata duhet të japin vlerësimin nëse Maqedonia plotëson kushtet për liberalizimin e regjimit të vizave me BE-në. Merret vesh se funksionarët e policisë maqedonase i kanë informuar ekspertët e huaj me sigurinë dhe mbrojtjen që kanë pasaportat dhe dokumentat e tjera personale të qytetarëve.

Kontroll kufitar në vendet e BE-së
Kontroll kufitar në vendet e BE-sëFotografi: AP

Maqedonia me epërsi ndaj vendeve të rajonit


Misioni vlerësues i KE-së do të informohet edhe për gjendjen me menaxhimin kufitar, kërkesën e të huajve për azil dhe migracion, si dhe masat për luftën e krimit të organizuar. “Maqedonia, në të gjitha raportet e KE është shteti më i përgatitur për liberalizimin e regjimit të vizave. Presim, që këto informacione të verifikohen edhe nga misioni vlerësues që ndodhet në Shkup. Jam optimist se deri në fund të vitit Maqedonia do të ketë liberalizim të regjimit të vizave,“ thotë Ivica Bocevski, zëvendëskryeministër për çështje evropiane. Të gjitha informatat, ekspertët e Evropës do t`i përfshijnë në raportin e muajit mars të Komisionit Evropian. Nëse zgjedhjet vendore dhe presidenciale kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa incidente, atëherë pritet që Komisioni Evropian të rekomandojë në prill liberalizimin e regjimit të vizave, që nënkupton se të gjithë qytetarët e Maqedonisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Ivica Bocevski, zëvendëskryeministri maqedonas për çështje evropiane
Ivica Bocevski, zëvendëskryeministri maqedonas për çështje evropianeFotografi: Dragan Todorovski

Studentët maqedonas kërkojnë të drejtën në Bruksel

Studentë nga Universitet e Maqedonisë kanë udhëtuar drejt Brukselit për të kërkuar nga Komisioni Evropian heqjen e vizave për Maqedoninë. “Dëshirojmë të lobojmë tek europarlamentarët. Kemi vendosur takime me eurodeputetët slloven Jelko Kacin dhe Peterle. Do të kërkojmë nga ata përkrahje për heqjen e vizave,” thotë përfaqësuesi i studentëve, Miki Trajkovski.

(aca)