1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polen

12 Prill 2010

Polonia mban zi për viktimat e Smolenskut, në harmoni si rrallëherë. Ndërkohë që vëmendja është fokusuar tek e ardhmja, se në prag ndodhet një luftë elektorale emocionale. Vendi ka nevojë për një president të ri.

https://p.dw.com/p/MuSm
Një buqetë me lule para presidentit polak Lech Kaczynski dhe gruas së tij MariaFotografi: AP

Vendi fqinj Polonia është zhytur në zi. Jeta publike është paralizuar, teatrot dhe kinematë janë mbyllur, televizioni transmeton muzikë funebre, polakët luten. Në rrugën përpara pallatit presidencial në Varshavë zhvillohet mesha kombëtare e përmortshme. Lutje për viktimat e një tragjedie, që bota politike nuk e ka përjetuar ndonjëherë. Në katastrofën e avionit të rrëzuar në Smolensk gjeti vdekjen presidenti Lech Kacynski dhe gruaja e tij Maria. Gjithashtu humbën jetën ndër të tjerë edhe dy zëvendësa të Kryetarit të Parlamentit, disa ministra të zyrës presidenciale, e gjithë kryesia e ushtrisë dhe mbi dhjetë deputetë. Për gjashtë ditë është shpallur zi kombëtare. Kundërshtarët politikë në sfondin e tragjedisë kombëtare i kanë ndërprerë grindjet.

Vështirë të thuhet sa do të zgjasë ndërprerja e luftës politike.

Nuk përjashtohet mundësia, që shumë shpejtë të dalin në pah teori të ndryshme komploti. Ato janë thuajse të pashmangshme, sepse diktohen prej luftës elektorale, që është në prag. Detyrat e presidentit ndërkohë, sipas kushtetutës, i ka marrë Kryetari i Parlamentit, por zgjedhjet presidenciale gjithësesi ishin planifikuar për në vjeshtë. Eshtë një luftë elektorale, në të cilën pritet të luajnë një rol të madh emocionet kombëtare.

Klasa politike në Poloni duhet të ketë kujdes, që emocionet të mos ziejnë tej mase. Kjo do të varet shumë edhe nga qëndrimi i elitës politike ruse. Presidenti Dimitri Medvedev dhe kryeministri Vladimir Putin tani për tani mbajnë një qëndrim të përsosur. Ata jo vetëm ofrojnë bashkëpunim të gjerë në zbardhjen e shkaqeve të katastrofës, por shprehin në mënyrë autentike pjesëmarrjen në hidhërim. Kjo me siguri që do të qetësojë gjakrat në Poloni.

Ka vend që të shtrohen pyetje kritike.

Si është e mundur, që në një avion të fluturojë e gjithë kryesia e ushtrisë, dhjetë ministra dhe mbi njëzet parlamentarë? Avioni qeveritar i tipit Tupolev 154 ishte më se 30 vjet i vjetër. Ekspertët e fluturimeve ajrore prej dhjetë vjetësh tërheqin vëmendjen, se avionët duhet të ndryshohen. Përpara dy vjetësh gjatë një fluturimi të presidentit Lech Kaczynski për në Japoni këtij avioni iu desh të ulej në emergjencë në Mongoli. Pra ka pasur paralajmërime. Kësaj here gjithçka ishte në rregull, sigurojnë të njëjtët ekspertë. Përpara dy muajsh ky avion ishte rikuperuar me themel dhe mori dritën e gjelbër edhe për tre muaj të tjerë. Por përderisa nuk ka pasur defekte teknike, mbetet si shkak vetëm gabimi njerëzor. Në Smolensk në kohën e fluturimit mbizotëronte mjegull e dendur. Aeroporti përdoret kryesisht për qëllime ushtarake; vrojtuesit në Smolensk kanë një përvojë modeste, sa u përket avionëve të pasagjerëve.

Katastrofa e avionit në Smolensk duket se do të kthehet në një traumë tjetër të historisë së Polonisë. Në afërsi të aeroportit të fatkeqësisë janë varrosur viktimat e krimit sovjetik të Katynit nga Lufta e Dytë Botërore. Këto varre donte të vizitonte presidenti Kaczynski. Vdekja e tij bart në mënyrë tragjike tiparet e të gjithë jetës së tij politike. Vizita e tij në Katyn ishte menduar si një përgjigje ndaj vizitës, që kishte bërë para pak ditësh kundërshtari i tij politik, kryeministri Donald Tusk. Synohej të hidhej hije ndaj vizitës së Tusk-ut në Katyn bashkë me kryeministrin Putin, kështu deklaronte shtypi konservator në Poloni. E kështu ndodhi: papritur dhe në mënyrë tragjike.

Autor: Hubert Wohlan/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica