1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende asnjë kompromis mbi çështjet e rëndësishme

Nina Werkhäuser5 Nëntor 2005

Vazhdojnë negociatat mes socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve për koalicionin e madh qeveritar

https://p.dw.com/p/Ar2L
Foto simbol e koalicionit të madh CDU-CSU dhe SPD
Foto simbol e koalicionit të madh CDU-CSU dhe SPDFotografi: bilderbox

Negociatat për koalicionin mes Unionit dhe SPD kanë vazhduar edhe gjatë ditës së premte. Mbi çështjet e rëndësishme ende nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Sa më shumë afrohet përfundimi i planifikuar i negociatave për koalicionin aq më të mëdha duket se bëhen problemet. Çdo ditë negociatorët e Partisë Socialdemokrate SPD dhe Unionit Kristiandemokrat-Kristiansocial CDU_CSU ulen në grupe të ndryshme pune dhe pas takimesh të gjata bëjnë të ditur se nuk kanë arritur kompromis. Të gjithë e dinë se marrëveshja e koalicionit qëndron e bie me rimëkëmbjen e buxhetit. Arkave të shtetit u mungojnë rreth 35.000 miliardë euro pa llogaritur këtu shpenzimet shtesë të qeverisë së re. Për këtë arsye si socialdemokratët ashtu dhe kristiandemokratët i përgatitën qytetarët për shkurtime të dhimbshme si p.sh. për rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar. Rritja e TVSh-së me 4% për të arritur kështu nivelin prej 20% nuk është më tabu as për kryetarin e ardhshëm të SPD Matias Placek:"Për momentin nuk mund të përjashtoj asgjë. Orët dhe ditët e ardhshme do të merret një vendim i qartë pikërisht për këtë temë dhe ky vendim do të jetë i përgjegjshëm. Por ai në të njëtën kohë do të jetë i tillë që t'a bëjë Gjermaninë të aftë të përballojë të ardhmen. Besoj se çdo qytetar gjerman e di tashmë se gjendemi në kohë të vështira të cilat kërkojnë edhe vendime të vështira."

Të kursesh e në të njëjtën kohë të realizosh rritje ekonomike - një përpjekje thuajse e pamundur. Prandaj çdo zë i buxhetit po shqyrtohet imtësisht, para së gjithash subvencionet por edhe ndihma për të papunët e cila po i kushton shtetit shumë më tepër nga sa ishte planifikuar. Kur buxheti të përmbajë vetëm shifra me ngjyrë të zezë mund të paraqesin dëshirat e tyre politikanët e ministrive të veçanta. Kjo u bë e qartë edhe nga kryenegociatori i Unionit, Roland Koch, pas përfundimit të takimit të grupit të punës për financat:"Ne tani do të jemi në një situatë ku shumë nga kolegëve tanë të cilët gjatë dy javëve të shkuara kanë hartuar plane të drejta dhe të rëndësishme, t'u themi se për këto ide dhe në rradhën e planifikuar prej tyre nuk është i mundur financimi, të paktën në dy-tre vitet e para të legjislaturës së ardhshme.

Negociatorët janë të nervozuar nga fakti që bisedimet kanë ngecur në grupet më të rëndësishme të punës. Kryeministri i landit të Zarës Peter Myler i partisë CDU mendon me zë të lartë për krijimin e koalicionit të madh: "Nëse krijimi i këtij koalicioni do të arrihet është e hapur pasi në katër fushat qëndrore: tregu i punës, konsolidimi i buxhetit, sistemet e sigurisë sociale dhe politika energjitike, pozicionet janë shumë larg njëri-tjetrit dhe nuk shihet ende asnjë marrëveshje."

Socialdemokratë dhe kristiandemokratët janë megjithatë ende shumë të vendosur që koalicioni i madh të arrihet brenda shtatë javësh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Për këtë atyre u mbetet edhe vetëm një javë. Përballë shumë çështjeve ende të hapura java e ardhshme do të sjellë me siguri një maratonë negociatash përfshirë këtu edhe mbledhjet e gjata deri në agim.