1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende nuk gjendet gjuha e komunikimit - Tirana në tension

19 Maj 2011

Opozita në Tiranë i trembet manipulimit të rezultatit zgjedhor në tavolinë. Deputetë të opozitës e qindra simpatizantë paraditen e së enjtes qëndruan në afërsi të mjediseve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Tiranë.

https://p.dw.com/p/11Jhm
Policia para KQZ-sëFotografi: DW

Disa herë deputetët dhe simpatizantët e opozitës kanë tentuar që të hyjnë me forcë brenda sallës ku po zhvillon mbledhjen KQZ-ja. Por kordonë të shumtë të policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë kanë zbrapsur dhe po e mbajnë nën kontroll turmën e protestuesve. Paralel me grumbullimin në kryeqytet, PS dhe aleatët e saj në opozitë po organizojnë protesta edhe në Durrës, Kavajë, Fier e Lezhë. Shkak është pakënaqësia, që ata kanë për mënyrën e përllogaritjes së votave për kryetar bashkie në Tiranë, ku po evidentohen dhe vota të vlefshme, që janë hedhur në kuti të gabuara ne zgjedhjet e 8 majit.

Place: Central Commission of Elections, Tirana/ ALBANIA
Demonstruesit para KQZ-sëFotografi: DW

Opozita flet për minim të zgjedhjeve

Drejtues të PS-së e kanë përshkruar procesin votues si të minuar nga përfaqësuesit të mazhorancës në KQZ, ndaj dhe ata do të vijojnë me një valë proteste në të gjithë vendin. Më herët kryeministri Sali Berisha lidhur me protestën para godinës së KQZ në Tiranë ka theksuar se opozita duhet të heqë dorë nga veprimet e dhunshme. “Me kërcënime është rrugë e gabuar, me presione është akoma më e gabuar. Ne qëndrojmë këtu për një proces të drejtë e të ndershëm, për një proces, ku çdo votë të kushtojë”, ka deklaruar kryeministri.

Albanien Wahlen Polizei vor Wahlkommission in Tirana Demonstranten
Pamje nga protestaFotografi: DW

Reagime nga Bashkimi Evropian

Nëpërmjet një deklarate shtypi përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka komentuar zhvillimet më të fundit për nxjerrjen e rezultateve të votimeve të 8 majit. Sipas saj, BE ishte duke pritur publikimin e rezultatit zyrtar, “përpara se të shprehnim qendrimin tonë përfundimtar”. Shefja e diplomacisë europiane nënvizon se "rezultati i ngushtë në zgjedhjet për kryetar Bashkie në Tiranë do të thotë se të dy palët duhet të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë zgjidhje”.

Për Ashton zhvillimet e ditës së mërkurë janë tregues i ndjeshmërisë së situatës politike. Duke apeluar për përfundimin e procesit të nxjerrjes së rezultateve, baronesha Ashton ka theksuar se "kjo duhet të bëhet në kuadër të institucioneve ekzistuese dhe brenda rregullave ekzistuese ligjore, kuadrit dhe praktikave" dhe se "të gjithë udhëheqësit politikë mbajnë një përgjegjësi të veçantë për të mos vënë në rrezik jetët e qytetarëve".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi