1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende nuk ka përfunduar beteja politike për zgjedhjet në Ukrainë

Karla Engelhard7 Janar 2005

Me Jushçenkon si president, Ukraina mund të fillojë tani të ecë përpara. Por Janukoviç nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve që u zhvilluan sërish në Ukrainë dhe ka deklaruar se do të ankohet përpara Gjykatës së Lartë të Ukrainës se zgjedhjet u manipuluan.

https://p.dw.com/p/AquR
Janukoviç dhe Jushçenko - armiq të betuar?
Janukoviç dhe Jushçenko - armiq të betuar?Fotografi: AP

Në Kresçiatik, rrugën kryesore të Kievit, ka ende çadra plot me simpatizantë të Jushçenkos. Si ky djalosh:

"Ne do të rrinë këtu deri sa të fitojmë. Zgjedhjet nuk do të thonë ende fitoren tonë të plotë. Do të rrimë deri sa presidenti ynë të fillojë zyrtarisht nga puna."

Por mesa duket ata duhet të presin. Fituesi i zgjedhjeve Jushçenko ndodhet tani në malet Karpate për ski. Ai po pushon aty nga vështirësitë që pati javët e shkuara. Kolegu i tij gjerogjian Mihail Sakashvili ndodhet gjithashtu aty. Sakashvili e di fare mirë se sa i vështirë është një revolucion paqësor. Përpara një viti populli gjeorgjian e detyroi Shevernazen të heqë dorë nga posti i tij dhe i hapi rrugën kështu Sakashvilit.

Edhe në Ukrainë protestat ishin masive dhe të suksseshme. Mijëra njerëz demonstruan më javë të tëra. Kudo nëpër rrugët e Kievit të zintë syri ngjyrën portokalli, ngjyrën e opozitës. Pas manipulimit të zgjedhjeve të para presidenciale në nëntor të vitit të kaluar, ukrainasit kërkuan ripërsëritjen e zgjedhjeve, të cilat sollën fitoren e pashmangshme të opozitës.

Por fushata e shëmtuar zgjedhore rrezikon që vendi të përçahet. Kundërshtarët e Jushçenkos arritën ta bënin atë përgjegjës për të gjitha të këqijat në Ukrainën Lindore. Sipas tyre Jushçenko ishte përgjegjës për vdekjen e njerëzve në miniera dhe papunësinë në lindje të vendit, ndonëse kur Jushçenko ishte president, ekonomia në vend filloi të lulëzojë edhe në lindje. Por propaganda bën punën e saj. Një e moshuar ruse ankohet:

"Nuk e di se ç´do të ndodhë me ne dhe familjet tona kur Jushçenko do të fillojë punën si president. Ne rusët nuk do të mund të jetojmë siç duhet me të si president. Dëgjojmë çdo ditë kërcënime" - thotë ajo.

Jushçenko dëshiron ta mbajë Ukrainën të bashkuar dhe ta orientojë vendin drejt Perëndimit. Por nga ana tjetër ai do të bashkëpunojë edhe me fqinjën e madhe, Rusinë. Vizita e parë e tij si president ukrainas jashtë vendit, do të jetë në Rusi.

"Unë e di se nuk do të duhen shumë biseda për t´i zgjidhur problemet që kemi prej vitesh me njëri-tjetirn. Unë do të ofroj perspektiva të kënaqshme për të dyja palët me dimensione dhe tema të reja" - deklaron Jushçenko.

Kundërshtari i tij, Janukoviç, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit por ende nuk e ka pranuar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve. Sipas tij zgjedhjet u manipuluan në favor të Jushçenkos. Por vëzhguesit ndërkomëbtarë deklaruan se kjo nuk është e vërtetë. Sidoqoftë ankesa e Janukoviçit po shqyrtohet tani nga Gjykata e Lartë në Ukrainë, dhe deri sa kjo gjykatë të marrë një vendim, Jushçenko nuk mund të fillojë detyrën si president i ri i vendit. Ndërkohë nëpër rrugët e Kievit ende dëgjohen tingujt e himnit të revolucionit ngjyrë portokalli, me titull "së bashku do të fitojmë."