1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Energjia dhe Kosova sjellin Prodin në Tiranë

Ani Ruci / Tiranë3 Dhjetor 2007

Kryeministri italian Romano Prodi do të bisedojë me Tiranën për mundësinë e ngritjes në Shqipëri të një centrali atomik

https://p.dw.com/p/CVyy
Romano Prodi
Romano ProdiFotografi: AP

Qëllimi i vizitës në Tiranë të kryeministrit italian Romano Prodi, do të përqëndrohet në tri fusha kryesore: energjinë, intensifikim e marrdhënieve italo- shqiptare dhe Kosovën. Burime zyrtare pranë kryeministrit Berisha thanë për DW se gjatë vizitës së Kryeministrit italian Prodi do të nënshkruhen tri marrëveshje.

Për ekstradimin e kriminelëve

Dy kryeministrat, Prodi dhe Berisha do të nënshkruajnë marrëveshjen për ekstradimin e të dënuarve dhe lehtësimin e hetimeve për të bërë të mundur zbatimin e dy Konventave europiane, të firmosura edhe nga Shqipëria, në lidhje me ekstradimin e ndërsjelltë të kriminelëve.

Për investime në fushën e energjisë

Marrëveshja e dytë do të nënshkruhet mes ministrit të Energjisë dhe Ekonomisë Genc Ruli dhe përfaqësuesit të kompanisë italiane ENEL për investime në fushën e energjisë. Burime zyrtare nga kryeministria në Tiranë pohuan dje se mes dy palëve do të diskutohet edhe mundësia e ndërtimit në Shqipëri të një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike, gjë që në territorin italian është e ndaluar me ligj nga Parlamenti italian pas katastrofës së Cernobilit, në vitin 1986.

Për arsimin

Marrëveshja e tretë do të nënshkruhet mes Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, dhe ambasadorit italian në Tiranë për nxitjen e bashkëpunmit teknik dhe shkencor mes dy vendeve.

Për Kosovën

Kosova dhe statusi i saj përbën fokusin tjetër të vizitës në Tiranë të kryeministrit italioan Prodi. Ai është një nga politikanët e BE-së që është treguar mjaft aktiv në çështjen e Kosovës. Sa për ilustrim përmendim se pardje, gjatë një vizite në Bolonjë, Prodi deklaroi se „e ardhmja e Kosovës dhe fati i gjithë rajonit janë sfida më e madhe me të cilën do të përballet Bashkimi Europian në javët dhe muajt e ardhshem dhe ku ai nuk duhet të dështojë". Sipas Kryeministrit italian „BE duhet të provojë aftësitë e tij për stabilizim, si përsa i përket çështjes së statusit të Kosovës dhe gjithë rajonit në përgjithësi".

Vizita e rëndësishme

Kryeministri Prodi është një politikan i njohur në Shqipëri jo vetëm nga elita politike por edhe qytetarët e thjeshtë. Prodi mbahet mend nga shqiptarët si diplomati që guxoi të shkelte në Vlorën e trazirave në prill të vitit 1997, pak kohë pasi marrëdhëniet mes dy vendeve ishin tronditur keqazi nga incidenti në kanalin e Otrantos. Lidhja e Prodit me Shqipërinë do të vazhdonte në vitin 2003 kur ai, si Kryetar i komisionit Europian do të vinte në Tiranë për të firmosur hapjen e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në. Vizita zyrtare e kryeministrit italian Romano Prodi konsiderohet nga qarqet politike dhe të biznesit si historike, për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.