1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erë e re në marrëdhëniet gjermano-ruse? Kancelarja Merkel do të vizitojë Moskën

Rabitz, Cornelia, DW Russ.6 Mars 2008

Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Rusi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel të shtunën ( 8.3.) udhëton për në Moskë. Ajo do të takohet si me shefin në largim të Kremlinit, Putin ashtu edhe me Medvjedevin.

https://p.dw.com/p/DJwk
Konferencë shtypi e kancelares Angela Merkel dhe presidentit rus Vladimir në Samara/Rusi më18 maj 2007Fotografi: AP
Një fllad i ri po ndjehet në marrëdhëniet gjermano-ruse. Pas disa viteve stanjacioni, madje ftohjeje, Berlini synon tani të japë impulse të reja në raportet bilaterale.
Presidenti i ardhshëm Dimitri Medvedjev konsiderohet si shpresëdhënës për të ardhmen, ndaj sipas koordinatorit për Rusinë, Andreas Schockenhoff, ai e meriton besimin: "Medvedjev është i pari ndër politikanët drejtues rusë, që si në profesion ashtu edhe në politikë nuk është rritur në Bashkimin Sovjetik. Putini karakterizohet prej përvojës së tij në Drezden në vitin 1989 dhe aktivitetit të tij si punonjës i shërbimit të kundërzbulimit. Medvjedev vjen nga një tjetër sfond dhe është për një brez të ri postsovjetik."
Medvjedevi do ta modernizojë shtetin ligjor, ekonominë dhe shoqërinë, e për këtë ai ka nevojë për mbështetje. Perëndimi nuk duhet të distancohet duke i vëzhguar zhvillimet dhe duke dhënë më pas vlerësimet mbi to. Në një sfond të tillë ka rëndësi të veçantë vizita e planifikuar për të shtunën (08.03) e kancelares Angela Merkel në Moskë. Andreas Schockenhoff: "Unë mendoj, se është një sinjal i rëndësishëm fakti, që kancelarja udhëton për në Moskë si dhe takimi që ajo do të ketë si me presidentin në largim e sipër ashtu edhe me presidentin e ri. Ky është sinjali i duhur. "
Angela Merkel është e para politikane e këtij niveli, që pak pas zgjedhjeve viziton Putinin dhe Medvedjevin. Ndryshe nga paradhësi i saj Gerhard Shrëder, që ka pasur marrëdhënie të ngushta miqësore me Vladimir Putinin, Merkel ka mbajtur një qëndrim pragmatik dhe të distancuar kundrejt shefit të Kremlinit. Kancelarja asnjëherë nuk e ka fshehur qëndrimin e saj kritik sa i përket nënvleftësimit të shoqërisë civile ruse, kufizimeve ndaj opozitës dhe qëndrimin e ashpër ndaj shtypit kritik, gjë që nuk i ka pëlqyer presidentit Putin.
Distancimi i fundit politik ndaj Perëndimit, një kurs ky i menduar prej presidentit të deritanishëm rus Putin dha shkas për ftohjen e marrëdhënieve. Në këto marrëdhënie ndihet era e konfliktit të vlerave për standarde demokratike dhe tradita. Burri i fortë i Kremlinit ka pasur në qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik duke preferuar që ta shkëpuste atë prej problemeve politike të tranzicionit. Madje Putini beson, se tranzicioni i vështirë drejt ekonomisë së tregut mund të realizohet më së miri në një sistem autoritar. Kritika është artikuluar qartë si në Gjermani dhe në vendet e tjera perëndimore.
Ndërsa tani pala gjermane shpreson për liberalizimin nën Dimitri Medvjedevin. Por marrëdhëniet gjermano-ruse janë mjaft komplekse duke i tejkaluar kontaktet ekonomike apo samitet e politkanëve drejtues. Bazën për këtë e përbëjnë një sërë lidhjesh personale si: partneritet midis qyteteve, nismat e përbashkëta siç është edhe Dialogu gjermano-rus i Peterburgut. Nga ana tjetër disa qindra mijëra rus me prejardhje gjermane jetojnë sot në Gjermani. Miliona rusë mësojnë gjermanishten. Shumë të përbashkëta në historinë e gjermanëve dhe të rusëve krijojnë një lidhje emocionale midis dy vendve.