1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogan në Gjermani - "Mospërputhje të thella"

28 Shtator 2018

Shumë nuk e pëlqejnë aspak që në Gjermani i shtrohet tapeti i kuq presidentit turk. Pak para pritjes zyrtarisht në Berlin vizita vlerësohet si një provokim i ri.

https://p.dw.com/p/35eq5
Berlin Staatsbesuch Erdogan PK mit Kanzlerin Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Mes Gjermanisë dhe Turqisë vazhdon të ketë "mospërputhje të thella", tha kancelarja Angela Merkel në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin turk  Recep Tayyip Erdogan në Berlin. Të dy politkanët ishin takuar më parë për bisedime në zyrën e kancelares. Konkretisht Merkel përmendi gjendjen e lirisë së shtypit dhe të drejtat e njeriut në Turqi. Në këtë kontekst ajo tërhoqi vëmendjen, që të zgjidhet sa më shpejt edhe çështja e gazetarëve gjermanë të burgosur në Turqi. "Unë insistova, që edhe këto raste të zgjiidhen mundësisht shpejt", tha Merkel.

Kancelarja theksoi edhe interesat e përbashkëta mes Gjermanisë e Turqisë: "Ne kemi shumë gjëra që na bashkojnë", tha ajo, duke iu referuar partneritetit në NATO, çështjes së migracionit dhe luftës kundër terrorizmit.

Berlin Polizei bei Staatsbesuch Erdogan
Masa të forta sigurie për vizitën e presidetnit turk në GjermaniFotografi: Getty Images/AFP/A. Berry

Samiti i Sirisë në përgatitje

Merkel iu referua edhe luftës në Siri dhe sinjalizoi për një takim të nivelit të lartë në tetor me presidentët e Turqisë, Rusisë, dhe Francës. Gjatë këtyre konsultimeve duhet të jetë në fokus situata kritike në epiqendrën e rebelëve Idlib. Turqia jep një kontribut të "shkëlqyer" në strehimin e më shumë se tre milionë refugjatëve sirianë, shtoi ajo.

Erdogan kërkoi nga Gjermania një luftë më te vendosur kundër terrorizmit. Në Gjermani, tha ai, "qendrojnë anëtarë të organizatës terroriste PKK". Po ashtu ka edhe qindra përkrahës të lëvizjes Gülen në Gjermani.

Deutschland | Protest T-Shirt auf PK vom Merkel und Erdogan
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Sohn

Njëkohësisht kreu i shtetit këmbënguli për ekstradimin e gazetarit të njohur turk Can Dündar. Ai, sipas Erdoganit, është "një agjent që ka bërë publike sekrete shtetërore".

Përplasje qysh në fillim

Përpara bisedës me kancelaren Merkel, Erdogan u prit me nderime shtetërore nga presidenti Frank-Walter Steinmeier. Menjëherë pas kësaj u bë e ditur, se udhëheqja turke kërkon nga Gjermania ekstradimin e gazetarit Dündar si dhe të 68 personave të tjerë në kërkim nga Ankaraja. Gazeta turke e afërt me qeverinë  "Yeni Akit" njofton, se Erdogan tri ditë përpara vizitës i ka dërguar Merkelit listën përkatëse me emrat e personave.

Më 2015 Dündar u akuzua për shkak të një raportimi mbi furnizimet e fshehta me armë të shërbimit sekret turk tek rebelët islamistë në Siri. Në maj 2016 në instancën e parë ai u dënua me pesë vjet burg, në korrik 2016 ai kërkoi strehim për azil në Gjermani. Turqia e akuzon atë për spiunazh, tradhëti të sekretit shtetëror dhe propagandë. Dündar - ndonëse i akredituar - nuk mori pjesë në konferencën e shtypit Merkel dhe Erdogan. Turqia pati kërcënuar me refuzimin e konferencës së shtypit, në rast se në të do të merrte pjesë Dündar.

Incident në konferencën e shtypit 

Jo Can Dündar, por gazetari Ertugrul Yigit shkaktoi një irritim për pak çaste në konferencën e shtypit. Adil Yigit kishte veshur një bluzë me mbishkrimin "Gazetecilere Özgürlük - liri për gazetarët në Turqi" dhe për këtë arsye forcat e sigurisë e larguan atë nga salla para kamerave që filmonin. "Unë nuk kam bërë gjë", thirri gazetari, i cili kishte një akreditim për pjesëmarrje në konferencë.

Berlin Demonstration bei Staatsbesuch Erdogan
Fotografi: Reuters/C. Mang

"Erdogan not welcome"

Vizita e presidentit turk zhvillohet nën masa të forta sigurie. Në Berlin shumë njerëz kanë protetsuar kundër Erdoganit. Vetëm në demonstratën e madhe "Erdogan not welcome" në sheshin Potsdamer Platz organizatorët llogarisin me rreth dhjetë mijë pjesëmarrës, që duan të protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kufizimit të lirisë së shtypit në Turqi.

Në përfundim të vizitës në Gjermani Erdogan do të inagurojë xhaminë e re të madhe të Unionit Islam Turk në Gjermani, DITIB, në të shtunën (29.09) në Këln.  Edhe në Këln janë planifikuar protesta.

wa/se/hk/sti (afp, dpa, rtr)