1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eshtë ora e evropianëve. SHBA nuk mund të jenë ndërmjetës i ndershëm në Kaukaz

Miodrag Soriç12 Gusht 2008

Presidenti rus, Dmitrij Medvedjev dha sot (12.8.) urdhërin që ushtria ruse të ndalojë luftimet në Gjeorgji. Tani është radha e evropianëve, më shumë se sa e Shteteve të Bashkuara.

https://p.dw.com/p/EvZA
Raketëhedhës gjeorgjianë në Osetinë Jugore
Raketëhedhës gjeorgjianë në Osetinë JugoreFotografi: AP
Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Eduard Shevarnaxe në vitin 2002
Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Eduard Shevarnaxe në vitin 2002Fotografi: AP

"Një vend që ka një pozicion të tillë gjeopolitik dhe një shumëllojshmëri të tillë etnike, duhet të ketë kujdes të madh dhe të tregojë sensibilitet me politikanët e tij," thoshte në fillim të viteve nëntëdhjetë, presidenti gjeorgjian Eduard Shevarnaxe. Pasardhësi i tij, Mihail Sakashvili nuk zotëron asnjë nga këto. Aq më keq, ai kërkon konfliktin me fqinjin e superfuqishëm, merr armët dhe i bën thirrje vendeve të tjera për ndihmë, pasi Rusia i tregoi me tanke dhe ushtarë, se ku i ka kufijtë.

Presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili, 11 gusht 2008
Presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili, 11 gusht 2008Fotografi: AP

E gjithë bota pyet, pse Sakashvili e shpërtheu tani konfliktin? Mbase për të zënë peng SHBA-të. Amerika furnizon prej vitesh armë në Gjeorgji dhe ka dërguar atje qindra këshilltarë ushtarakë. Sakashvili duhet të ketë shpresuar, që të tërheqë në njëfarë mënyre në konflikt edhe SHBA-të, dhe të trembë kështu Moskën, që të mos hynte në konflikt direkt me Uashingtonin. Nëse ky ka qenë hesapi i bërë nga presidenti gjeorgjian, atëherë ai i ka bërë hesapet pa hanxhinë, duke shkaktuar në rajonin e Kaukazit një gjakderdhje të tmerrshme. Mijëra vetë kanë humbur jetën. Dhjetëra mijëra ndodhen në arrati. Dikur Sakashvili do të duhet të përgjigjet për këto.

Presidenti Bush bën një deklaratë për Gjeorgjinë, 11 gusht 2008
Presidenti Bush bën një deklaratë për Gjeorgjinë, 11 gusht 2008Fotografi: AP

Rusia shfrytëzon momentin, të paktën kështu shihet në Moskë, për t'i treguar të gjithë botës se përkrahja e Amerikës nuk ka shumë vlerë. Ndryshe nga Sakashvili gjaknxehtë, presidenti amerikan Bush ishte aq i arsyeshëm që të mos rrezikonte luftën me Rusinë, fuqi atomike për një konflikt rajonal. Shtëpia e Bardhë e di, se çdo ditë të zgjatjes së luftës rritet çmimi i naftës dhe gazit. Kjo nuk është mirë për konjukturën amerikane, kurse për Rusinë, eksportues lëndësh të para, sjell fitime miliardash. Elita politika amerikane është tërbuar nga zemërimi.

Presidenti rus Medvedjev shpall në televizion ndalimin e luftimeve në Osetinë Jugore, 12 gusht 2008
Presidenti rus Medvedjev shpall në televizion ndalimin e luftimeve në Osetinë Jugore, 12 gusht 2008Fotografi: AP

Gjeorgjia e ka humbur këtë luftë nga pikëpamja ushtarake. Një fitore e vogël do të arrihej nëse me ndihmën e diplomacisë të arrihej një armëpushim, sepse tani Medvedjevi ka urdhëruar stacionimin e trupave jo ruse në kufirin me Osetinë Jugore dhe Abkazinë. Ky do të ishte një kompromis, të cilin mund ta pranojë edhe Rusia, për sa kohë që ndikimi i saj në Kaukaz nuk preket. Amerika është palë në këtë konflikt, prandaj nuk mund të shfaqet si tregtar i sinqertë.

Tani është radha e Evropës. Presidenti francez vazhdon të bisedojë me Kremlinin. Kancelarja gjermane Angela Merkel takon presidentin rus në fundjavë në Soçi në Deti e Zi, disa orë larg nga zona e konfliktit. Franca dhe Gjermania do të bënin mirë në këto bisedime, që të injorojnë zërat e Polonisë dhe tri shteteve të vogla baltike. Ato kërcënojnë Rusinë dhe humbasin kështu mundësitë e veta. Ato janë rëndesa për politikën e jashtme evropiane. Siç thoshte Shevardnaxe, kujdesi dhe ndieshmëria në plan të parë.