Europa ime: Gjermania, Turqia dhe refugjatët

Në Gjermani çështja e refugjatëve ka shkaktuar krizë qeveritare. Në Turqi sirianët që u pajisën me pasaportë turke mund të sigurojnë fitoren e Erdoganit. Flasim për refugjatë dhe harrojmë njerëzit, mendon Kemal Hür.

Turqia ndodhet para zgjedhjeve vendimtare. Të dielën (24.06) vendoset për futjen e sistemit presidencial. Në këtë vend të përçarë bëhet fjalë tani, nëse presidenti Recep Tayyip Erdogan, që e qeveris vendin nga puçi 2016 me dekret, do të qeverisë i vetëm duke çimentuar sundimin e tij personal.

Në Turqi jetojnë 3,5 milionë refugjatë. Ky vend ka 80 milionë banorë, afërsisht sa Gjermania. Në Gjermani pranimi i 1,5 milionë refugjatëve sundon debatin politik dhe shoqëror nga viti 2015. Partia populiste e djathtë, AfD pa kthimin në histeri të temës së migracionit nuk do t'ia kishte dalë të hynte në Bundestag. Çështja e refugjatëve e vendos tani qeverinë e kancelares „Ne ia dalim mbanë" pas dy vitesh e gjysmë para një sprove të vështirë. Qeveria e koalicionit të ekonomisë më të madhe dhe stabël të Europës kërcënon të rrëzohet për shkak të njerëzve të larguar nga lufta dhe mjerimi.

30.000 refugjatë turq mund të votojnë në Turqi

Në Turqinë që ka pranuar tre herë më shumë se kaq refugjatë, çështja e refugjatëve ka luajtur vetëm një rol dytësor. Jashtë Turqisë ajo u kthye në temë, vetëm kur Erdogani kërcënonte se do të hapte kufijtë dhe do t'i lejonte refugjatët sirianë të kalonin në Europë. Në një kohë që kancelarja gjermane në një minisamit në Bruksel kërkon të gjejë mbështetje për politikën e saj të azilit, një pjesë e refugjatëve sirianë mund të ndihmojnë Erdoganin të marrë pushtetin absolut. Në muajt e fundit janë pajisur me pasaportë turke 55.000 sirianë, 30.000 prej tyre sipas të dhënave kanë të drejtë vote. Një numër i vogël matur me një elektorat turk prej 50 milionë vetësh. Por Erdogani nuk ia lë asgjë rastësisë, kur bëhet fjalë për pushtetin e tij. „Votuesit për herë të parë" gjenden me shumicë në zonat e partisë  prokurde, HDP në kufirin turko-sirian. Janë ata që mund të ndryshojnë raportet elektorale. Erdoganin ata e shohin si shpëtimtarin dhe mbështetësin e tyre dhe duan ta votojnë atë.

Por nuk dihet, nëse të gjithë refugjatët shohin tek Erdogani shpëtimtarin. Vetëm një numër i vogël është i vendosur në kampet zyrtare. Shumica jeton në gjendje të vështirë. Në Stamboll ka kthina çaji, ku sirianë të rinj punojnë si mëditës në kushte shumë të vështira.

Erdogani prodhon refugjatë

Erdogani është një njeri pushteti pa skrupuj. Refugjatët ai do t'i kthente në vend, nëse nuk do të kishte nevojë për ta. Për të 3,5 milionë vetë janë një armë e fortë. Ai i përdor ata si potencial kërcënimi ndaj Gjermanisë dhe BE. Që nga marrëveshja me refugjatët në mars 2016, ai kërcënon në çdo grindje, se do të prishë marrëveshjen. Por ende pakti jeton. Komisioni Europian së fundmi deklaroi se vazhdojnë të vijnë më pak migrantë në BE.

Por çfarë është ajo që në gjuhën e politikës tingëllon kaq pozitive dhe „funksionuese"? Një despoti që për hir të ruajtjes së pushtetit fut mijëra vetë në burg, burgos gazetarët, mbyll mediat, heq nga puna apo ndal mësimdhënien për mijëra akademikë, nëpunës e punonjës, BE i jep 6 miliardë euro me qëllim që të ndalë migracionin në BE. Duke e bërë veten të shantazhueshme, duke heshtur, kur ai shkel të drejtën ndërkombëtare duke ndërhyrë në Siri, dëbon kurdët nga rajonet e tyre, vendos aty islamistë dhe arabë, duke nxitur një shkëmbim popullsie.

Vlerat europiane nuk vlejnë për njerëzit në arrati

Erdogani nuk zgjidh probleme. Ai është vetë problemi. Ai prodhon me intervenimin ushtarak në Siri edhe më shumë refugjatë. Ndoshta këtë e ka kuptuar edhe kancelarja e vendosur nën presion. Ajo po kërkon ndihmë në Jordani dhe Liban. Ndihmë për një problem, për të cilin para pak vitesh ajo thoshte: „Ne ia dalim mbanë". Në thelb ajo ka të drejtë. 1,5 milionë refugjatë nuk e kanë bërë më të varfër Gjermaninë. Por mënyra e veprimit në media dhe politikë ka zhvendosur kufijtë e një kulture debati me dinjitet. Nuk flasim për fatin e njerëzve por i perceptojmë ata si  „përmbytje", „valë", „masë", „fluks". Flasim për vlera europiane, por izolohemi nga njerëzit që kërkojnë pikërisht këto vlera. Njerëz që ikin nga lufta, nga e cila ne përfitojmë nga armët që kemi shitur. Ne flasim për mirëqenie, por nuk duam të lemë të tjerët të kenë pjesë në të. Ne flasim për „luftimin e arsyeve të migrimit" dhe planifikojmë qendra azili para portave të BE. Në flasim për refugjatë, ata që marrin arratinë, por nuk arrijmë të përdorim fjalën „njerëz". Ajo që nuk themi është, se ne nuk i duam ata mes nesh. Prandaj Merkeli udhëton në Lindjen e Afërt. Dhe shpreson të dielën në Bruksel për mbështetje të partnerëve europianë, që partia simotër CSU të mos e përzërë nga zyra e kancelares, në një kohë që Erdogan em gjasë do të zgjerojë pushtetin e tij, pavarësisht nga mënyrat. Ndoshta edhe me votat e atyre sirianë që ai i bëri me nxitim qytetarë turq.

Politika i quan refugjatë, për fat të keq edhe ne!

Kemal Hür, lindur në Anadollin lindor jeton nga viti 1980 në Berlin. Ai punon si gazetar në profesion të lirë, kryesisht për programet e Radios Gjermane.


Na ndiqni!