1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Ku mbaron Europa?

Krsto Lazarevic
11 Shkurt 2017

Për Balkanin Europa është një vend, ku gjërat funksionojnë. Të paktën kështu mendohej për një kohë të gjatë. Por ndërkohë Europa nuk bën figurë të mirë.

https://p.dw.com/p/2XMf1

Cili është mali më i lartë i Europës? A e dini këtë? A është Mali i Bardhë (Mont Blanc)me 4810 metra në alpet franceze, apo Elbrusi 5642 metrai lartë në Kaukaz? Mënyra se si i përgjegjesh kësaj pyetjeje tregon shumë, se çfarë komportimi ke ndaj Europës.

Gjeografi austriako-polak Erwin Hanslik i vrarë prej nacionalsocialistëve  mendonte, se Pik Ismoil Somoni me lartësinë 7495 është mali më i lartë i Europës, e ky ndodhet në Taxhikistan. Uralet dhe Bosfori janë pika të vendosura në mënyrë mjaft arbitrare për shenjimin e fundit të kontitentit europian në Lindje. Por se për çfarë bëhet fjalë në thelb, është kufizimi dhe çështja se kush bën pjesë në të e kush jo.

Kush bën pjesë ku?

As në Serbi nuk është sqaruar çështja për malin më të lartë të vendit. Shumcia e serbëve thonë, se është Deravica me 2656 metra. Por ky mal ndodhet në Kosovë dhe shumica e vendeve të OKB-së e kanë njohur tashmë atë si shtet të pavarur. Edhe lidhur me të tilla grindje për vijën e kufijve shtetërorë shtrohet pyetja, se kë kemi parasysh, kur flasim sot për Europën.

Në shumicën e rasteve kihet parasysh BE-ja, ndoshta edhe shtetet e pasura si Norvegjia e Zvicra, që nuk bëjnë pjesë në BE. Por a kemi parasysh me këtë edhe shtetet e Ballkanit, që nuk janë anëtarë në BE? Ballkani bën pjesë në Europë dhe nuk është në Europë. Ballkani si rajon u konstruktua dikur, sepse ai konsiderohej si pjesa "europiane" e Perandorisë Osmane për ta veçuar atë nga pjesa e civilizuar e kontinentit. 

"Ballkanizimi i Europës" në vend të një "Europianizimi të Ballkanit"

Ballkani duket, se nuk është i sigurtë nëse bën pjesë në Europë ose jo. Nga njëra anë shumica e serbëve, shqiptarëve, malazezëve, kosovarëve, maqedonasve pretendojnë se në mënyrë të vetëkuptueshme janë europianë. Nga ana tjetër ata edhe thonë: "Ne shkojmë në Europë", kur udhëtojnë për në Francë, Gjermani apo në Austri. Të njëjtën gjë thonë të rinjtë, që largohen në masë nga rajoni dhe përpiqen të gjejnë fatin e tyre nëpër spitale, universitete e kantjere ndërtimi në BE.

Me Europë ata kanë parasysh një vend që u ofron perspektivë për një të ardhme dhe që ky vend është jashtë Ballkanit. Europa është një vend, ku tezja, djali apo motra fitojnë mirë para. Europa është një vend, ku policët nuk blihen me ryshfet dhe ku gjen një vend pune, sepse je i kualifikuar për të e jo sepse ke kontaktet e duhura. Europa është një vend, ku vlejnë parimet e shtetit ligjor.

Në Ballkan pas luftrave të Jugosllavisë është ngulitur shpresa, se kjo Europë do të shtrihej në të gjithë kontinetin. Kjo shpresë nuk është shuar, por ajo është në agoninë e vdekjes. Që prej Brex-it askush më nuk beson në Sarajevë, Shkup apo Tiranë, që BE-ja e ka seriozisht me zgjerimin e radhëve të veta. Edhe më keq akoma: Një BE, që po shpërbëhet, ka humbur efektin joshës. Që pas fundit të luftërave të Jugosllavisë tërhiqet vëmendja për një "Europianizim të Ballkanit", por ndërkohë duket se po ndodh një "Ballkanizim i Europës".

Ndarja me Europës dhe Ballkanit

Për vite me radhë BE-ja është habitur me nacionalizmin në Ballkan, sot populistët e djathtë po shënojnë suksese në mbarë kontinentin. Mungesa e perspektivës së të rinjve ka përfshirë prej kohësh edhe Spanjën, Greqinë e Italinë. Qeveritë në Hungari dhe Poloni sistematikisht po e minojnë shtetin ligjor, shembulli i Bullgarisë tregon, se anëtarësimi në BE nuk çon automatikisht në demokratizim dhe luftim të korrupsionit. Në Rumani të paktën qindra mijëra ende dalin në protesta, sepse kanë shpresa për një të ardhme më të mirë. 

Ndarja mentale mes Europës dhe Ballkanit manifestohet që nga vjeshta 2015 edhe materialisht. Kur serbët shohin drejt BE-së, ata shohin gardhe, që kanë ngritur Hungaria dhe Kroacia. Mundet që të kesh shumë ftesa në Bruksel dhe të hapësh kapituj të negociatave për antarësim. Por kur gardhet ngrihen, atëherë njerëzit  pas tyre shumë shpejt e kuptojnë, që ata nuk janë të mirëseardhur.

Nuk është e thjeshtë të reklamosh vlerat europiane, kur BE-ja lë të ngrijnë nga të ftohtit fëmijët e refugjatëve pas rrënojave të stacionit të trenave në Beograd. Hindukushi nuk bën pjesë në Europë. Shumë fëmijë afganë të pashoqëruar, që kanë përfunduar në Serbi, nuk kanë pasur mundësi të arsimohen, sepse ata vijnë nga një zonë kufitare me Pakistanin dhe atje talebanët sundues nuk e preferojnë arsimimin laik. Megjithatë fëmijët në rrënojat e Beogradit kanë kuptuar dy gjëra: 1: ata vërtetë janë në Europë, por në një farë mënyre edhe jo dhe 2: BE-ja nuk i do ata. Shumë njerëz në Ballkan mendojnë po kështu.