1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130510 Tusk Interview

14 Maj 2010

Kryeministri polak Donald Tusk mori të enjten Çmimin ndërkombëtar Karl të qytetit të Ahenit, për merita të veçanta për bashkimin e Evropës. Në një intervistë me DW, Tusku tha se BE është "modeli më i mirë për evropianët"

https://p.dw.com/p/NNla
Kryeministri polak, mbajtës i Çmimit Karl
Kryeministri polak, mbajtës i Çmimit KarlFotografi: AP

Parimi kryesor i Evropës është solidariteti. Veçanërisht në kohë krizash si tani bëhet e qartë se sa i rëndësishëm dhe atraktiv është ky model- thotë Donald Tusk duke pasur parasysh krizën më të fundit financiare në Greqi.

"Sa më e vështirë, sa më e dhimbshme përvoja, sa më shumë skeptikë që të kemi përreth vetes, aq më lart duam ta mbajmë flamurin e Evropës dhe të përsërisim me zë të lartë që Evropa është një shpikje fenomenale."

Tusku theksoi që BE-ja ka nevojë për më shumë integrim. BE-ja duhet të mendojë për një të ardhme të saj në fushën e energjisë dhe që t'u përmbahet rregullave të solidaritetit. Presidenti polak foli edhe për zgjerimin e BE-së me shtete të tjera. Por mundësia e zgjerimit duhet të orientohet jo vetëm te Brukseli, por edhe te kandidatët vetë.

"Ne vetë, evropianët e tjerë dhe kandidatët duhet të pyesim herë pas here veten: a e mbështesni ju sistemin tonë të vlerave? A doni të bëheni pjesë e bashkësisë, ku secili mbështet tjetrin, ku solidariteti dhe liria nuk janë fjalë boshe? Këtë pyetje duhet t'ua bëjmë turqve, ukrainasve. Por ne kemi edhe shembuj më të afërt, në kuptimin e mundësive reale, siç janë Kroacia dhe Serbia. Evropa nuk duhet të mbyllet në asnjë mënyrë."

Donald Tusku u ngrit njëkohësisht edhe kundër stigmatizimit të Greqisë për shkak të krizës financiare. Ai tërhoqi vëmendjen se edhe shtete të tjera, të cilat bëjnë pjesë në "bërthamën e fortë të Evropës" nuk u përmbahen rregullave të vendosura të buxhetit. Hyrjen e Polonisë në zonën e Euros Tusku e paraqiti të varur nga plotësimi i të ashtuquajturave kritere të Mastrihtit vetë në Poloni. Këto kritere përcaktojnë ndër të tjera deficitin e lejueshëm buxhetor.

Përballë presidencës së planifikuar të BE-së nga ana e Polonisë vitin e ardhshëm, Tusku përmendi si pikërëndesa: sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe "politikën e mençur" përballë shteteve lindore të BE-së.

Pyetjes për pasojat e aksidentit me avion, në të cilën vdiqën presidenti i Polonisë, Lech Kaczynski dhe politikanë të tjerë të rangut të lartë, Tusku iu përgjigj se tragjedia "tronditi zemrat, por jo stabilitetin e vendit":

"Ne përpiqemi që të nxjerrim nga tragjedia përfundime pozitive për të ardhmen e vendit, edhe përfundime politike, përsa u përket marrëdhënieve polako-ruse. Këto marrëdhënie janë çelësi për marrëdhënie më të mira midis BE-së dhe Rusisë. Përpjekjet për raporte më të mira u përshpejtuan nga tragjedia. Ndoshta ne duhet ta shohim si testament të atyre që vdiqën: plotësimi i këtij testamenti do të thotë të nxisësh mirëkuptimin midis popujve."

Autor: Marin Antosiewicz/Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora