1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa terren gjuetie për shërbimet sekrete

Sabine Haklender1 Mars 2006

Këshilli i Evropës për tre muaj me radhë ka pyetur 46 vendet antare lidhur me burgjet e fshehta dhe transportet ilegale të të burgosruve të CIA-s. Të mërkurën Terri Dejvis, Sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi paraqiti në Strasburg rapotin përfundimtar mbi këtë analizë.

https://p.dw.com/p/ArBy
Dik Marti hetuesi i Këshillit të Evropës mbi aferën e CIA-s
Dik Marti hetuesi i Këshillit të Evropës mbi aferën e CIA-sFotografi: AP

Evropa është një terren i përshtatshëm gjuetie për shërbimet e huaja sekrete. Me këtë kritikë e nisi raportin e tij Terri Dejvis lidhur me anketimin tre mujor të zhvilluar në 46 vendet antare të Këshillit të Evropës.

Analiza rezulton, se pothuajse asnjë vend evropian nuk ka ligje, që të garantojnë kontrollin e mjaftueshëm të shërbimeve të huaja sekrete në territorin e tyre. Agjentët e CIA-s të shpenguar kanë mundur të rrëmbejnë të dyshuarit e tyre, si në rastin e një egjiptiani të arrestuar në Milano nga agjentët e CIA-s, pa i informuar autoritetet kombëtare.

Një kritikë kjo që Terri Dejvis nuk dëshironte ta lidhte shprehimisht me luftën e përbashkët të drejtuar nga ShBA kundër terrorizmit: "Unë mbështes çdo lloj bashkëpunimi mes Evropës dhe ShBA, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit, por unë insistoj tek mëvetësia e Evropës, që nuk duhet të sillet si tri majmunët e njohur: i vërbër, i shurdhër dhe mememc."

Më tej Dejvis kritikoi mungesën e kontrollit ndaj hapësirës ajrore evropiane. Fluturimet e deklaruara si civile nuk i janë nënshtruar asnjë lloj kontrolli në asnjërin vend të Evropës. Por pikërisht nëpërmjet kësaj rruge janë mundësuar fluturimet ilegale të të burgosurve të CIA-s. Përderisa agjentët e CIA-s janë punonjës civilë të qeverisë së ShBA, s´ka pasur detyrim për njoftimin e fluturimeve. Në këtë drejtim urgjentisht duhet të vendosen rregulla të reja, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Dejvis kritikoi ashpër Poloninë, Bonje-Hercegovvinën, Maqedoninë dhe Italinë.

Këto katër vende kanë dhënë përgjigje të paqarta, ndonëse në raportin e hetuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti pikërisht këto janë përmendur si vende, për të cilat është dëshmuar që ka pasur rrëmbime nga ana e CIA-s. Dejvis u bëri thirrje këtyre vendeve, që sa më shpejtë të kompletojnë përgjigjet e tyre duke u tërhequr vëmendjen për të drejtën e njeriut për t´u informuar: "Çfardo që të mendojmë ne, kur është fjala për rrëmbime, apo për burgje të fshehta, kjo mund të prekë secilin prej nesh. Tani që e dimë që një trajtim të tillë e ka përjetuar një shtetas gjerman, e shohim se e gjitha kjo ishte e gabuar."

Pavarësisht nga kritika pjesërisht e ashpër në adresë të disa vendeve antare, Këshilli i Evropës ka shumë pak mundësi që të kërkojë informacionin e munguar. Eshtë kryesisht presioni i opinionit publik, ai që mund ta influencojë këtë, vuri në dukje Zhoane Mirner nga organizata Human Rights Watch: "Na ka bërë shumë përshtypje, se sa shpejt u aktivizuan për këtë çështje Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Megjithatë nuk është e sigurt, nëse këto hetime do të influencojnë ashtu siç duhet për të pasur sukses."

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës lavdëroi qeverinë gjermane, pasi informacionet e saj kanë qenë të sakta dhe të plota.