1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171108 Brüssel Reax G20

Christoph Hasselbach18 Nëntor 2008

Nga samiti i G-20s në Uashington nuk duhet të mbeten vetëm zotime. Për masa të shpejta dhe konkrete do të angazhohet në rradhë të parë BE-ja.

https://p.dw.com/p/FwpN
Fotografi: AP

Evropianët jo vetëm ndihen të konfirmuar në pozicionin e tyre pas samitit të G-20s por shumë prej tyre mendojnë madje se BE-ja do të drejtojë botën në zgjidhjen e krizës. Ky është edhe mendimi i Hans-Gert Pöttering, presidentit të Parlamentit Evropian: "Vendimet janë marrë në drejtimin e duhur dhe evropianët ishin të përgatitur mirë. Për këtë arsye evropianët do të marrin rolin e udhëheqësit në këtë çështje. Tani duhet vepruar."

Veprimet duhen ndërmarrë në plane të ndryshme. Deri në samitin e ardhshëm në muajin prill, u shpreh Pöttering, ministrat e financave duhet të marrin vendime konkrete mbështetur në vendimet parimore në Uashington. Por shumë më parë, e pikërisht brenda këtij viti, do të mbyllet në Gjenevë raundi i fundit i Dohës për tregtinë botërore, i cili dështoi në korrik. Fjala është për reduktimin e barrierave tregtare. Përpara samitit të Uashingtonit qeveritë druheshin shumë se për shkak të krizës aktuale, do të ndërmerrnin masa proteksioniste. Disa madje besojnë se rreziku është ende aktual.

EU Sondergipfel in Brüssel Jose Manuel Barroso
Barroso duke folur për krizën financiareFotografi: AP

Duhen siguruar vendet e punës

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso, gjatë një vizite në Londër të kryeministrit britanik Gordon Brown, mbrojti sërisht tregtinë e lirë. "Domosdoshmëria e finalizimit të Dohës për të penguar një recesion mbarëbotëror është më e qartë se kurrë më parë. Pikërisht vendet në ekspansion e kërkojnë këtë fare qartë. Alternativa ndaj Dohës nuk është ruajtja e situatës aktuale, por një nacionalizëm ekonomik, një proteksionizëm i shëmtuar."

Dossierbild Finanzkrise 2
Kriza nuk është tejkaluar endeFotografi: picture-alliance/ dpa

Por edhe brenda BE-së, sipas Barrosos, puna duhet të vazhdojë. Për të ringjallur ekonominë në rënie dhe siguruar vendet e punës, Barroso kërkon stimuj shtetërorë. "Ne kemi nevojë për një plan stimujsh financiarë për Evropën. Por ky plan nuk mund të jetë unik për të gjitha ekonomitë kombëtare pasi situata në vende të ndryshme nuk është e njëjtë. Ne jetojmë megjithatë në kohëra të jashtëzakonshme dhe ato kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Këto masa duhet të ndërmerren në kohën e duhur, të qëllojnë në shenjë dhe të jenë të kufizuara në kohë."

Duket se kënaqësia për rezultatet e samitit ndërkombëtar për financat është e madhe në Evropë. Por po aq e fortë është edhe ndjenja se ky është vetëm fillimi i kërkimit të mundimshëm të një rruge për daljen nga kriza.